SHBA paralajmëron aktivitet ushtarak në hapësirën ajrore meksikane dhe të Amerikës Latine

Amerika

SHBA paralajmëron aktivitet ushtarak në hapësirën ajrore meksikane dhe të Amerikës Latine

Më: 17 janar 2026 Në ora: 07:58
Foto ilustrim

Administrata Federale Amerikane e Aviacionit (FAA) u ka rekomanduar kompanive ajrore dhe avionëve që operojnë në hapësirën ajrore të disa rajoneve, veçanërisht mbi Meksikë dhe vende të Amerikës Qendrore dhe Jugore, të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të “aktiviteteve ushtarake”.

Paralajmërimi flet për “situata potencialisht të rrezikshme”, të cilat lidhen gjithashtu me ndërprerje të mundshme të shërbimeve të navigimit satelitor, dhe ka një afat fillestar prej 60 ditësh.

“FAA ka lëshuar paralajmërime përmes NOTAM-eve (njoftime për pilotët) për hapësira të caktuara ajrore të Meksikës, Amerikës Qendrore, Panamasë, Bogotás, Guayaquil-it dhe Mazatlán-it, si dhe për hapësirën ajrore të Oqeanit Paqësor lindor”, deklaroi një përfaqësues i agjencisë për Agjencinë Franceze të Lajmeve.

Sipas tij, paralajmërimet hyjnë menjëherë në fuqi.

NOTAM-et i referohen “rreziqeve të mundshme për të gjitha mjetet ajrore, në të gjitha lartësitë, përfshirë fazat e fluturimit, mbërritjes dhe nisjes”.

Më 8 janar, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi se forcat e armatosura amerikane do të nisnin së shpejti “sulme tokësore” kundër karteleve të drogës, pas një serie bombardimesh ndaj mjeteve të shpejta lundruese në Karaibe dhe në Oqeanin Paqësor, të cilat, sipas Uashingtonit, pa paraqitur prova, transportonin drogë. Nga këto sulme ajrore ndaj mjeteve detare u vranë mbi 100 persona, sipas shifrave të vetë qeverisë amerikane.

Disa ditë më herët, më 3 janar, ushtria amerikane arrestoi presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshorten e tij, të cilët akuzohen nga drejtësia amerikane për “narkoterrorizëm” dhe për futjen e “tonëve kokainë” në Shtetet e Bashkuara. Çifti u transferua menjëherë në territorin amerikan.

Presidenti i rrëzuar, 63 vjeç, i cili u kap pas muajsh operacionesh intensive ajrore të SHBA-së në rajon, u paraqit më 5 janar para një gjykate në Nju Jork së bashku me bashkëshorten e tij, Cilia Flores, 69 vjeçe. Të dy u deklaruan të pafajshëm.

Të paktën 47 anëtarë të forcave të armatosura të Venezuelës u vranë gjatë operacionit ushtarak amerikan, deklaroi dje ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino López. Ndërkohë, autoritetet kubane kishin njoftuar më herët se 32 shtetas kubanë, pjesë e njësisë së sigurisë së presidentit Maduro, humbën jetën gjatë operacionit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat