Menjëherë pas Konferencës së Sigurisë në Mynih, ministri i Jashtëm i SHBA-së, Marco Rubio, e vazhdoi udhëtimin e tij në Evropë me vizita në Sllovaki dhe më pas në Hungari. Kjo nuk është rastësi, sepse në të dy vendet qeverisin kryeministra që janë sipas shijes së Donald Trump: ata janë skeptikë ndaj BE-së, kundër migracionit, ndryshimi i klimës nuk përbën ndonjë temë për ta. Administrata e Trumpit mbështet edhe qeveri dhe parti të tjera të djathta në Evropë. Megjithatë disa syresh janë distancuar nga Trumpi, kur ai kërcënoi se do ta merrte, nëse është e nevojshme edhe me forcë ushtarake, ishullin e Grënlandës që i përket Danimarkës.
Kryeministri hungarez Viktor Orban
Viktor Orbán është në pushtet që nga viti 2015. E ndërsa ish-presidenti amerikan Joe Biden e akuzonte Orbánin se po synon krijimi e një diktature ("looking for dictatorship”), duke thënë se ai shtyp mediat e pavarura dhe vepron kundër të drejtave LGBTQ, Trumpi e lavdëroi atë së fundmi duke e quajtur "mik të vërtetë, luftëtar dhe fitues”. Trump dhe senatori Marco Rubio po e mbështesin veçanërisht tani Orbánin për fushatën për zgjedhjet parlamentare në prill, të cilat ai rrezikon t'i humbasë.
Orbáni mbështet edhe kursin e Trumpit për të reduktuar ndjeshëm ose për të ndalur ndihmën ushtarake për Ukrainën – ndryshe nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Ashtu si Trumpi, ai nuk heziton të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe nuk dëshiron t'ia atribuojë qartë Rusisë fajin për luftën.
Orbáni mban marrëdhënie të mira me partinë gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD), të cilën Enti për Mbrojtjen e Kushtetutës në Gjermani e klasifikon pjesërisht si ekstremiste të djathtë. Para një viti, Orbáni priti në zyrën e tij kryetaren e AfD-së, Alice Weidel, dhe deklaroi se është "plotësisht e qartë që AfD është e ardhmja”.
Sa i përket çështjes së Grenlandës, Orbán u tregua i rezervuar. Ai shmangu një dënim të drejtpërdrejtë të Trumpit dhe tha se problemi duhet të zgjidhet brenda NATO-s.
Kryeministri sllovak Robert Fico: figurë kontradiktore
Menjëherë pas Konferencës së Sigurisë, Rubio shkoi për një vizitë zyrtare tek kryeministrit sllovak Robert Fico. Në kryeqytetin Bratislavë ai tha se, nën presidentin Trump, SHBA-të "do ta bëjë jo vetëm Sllovakinë, por të gjithë Evropën Qendrore pjesë thelbësore të angazhimit tonë në kontinent dhe në botë”. Por ai nuk dha sqarime të mëtejshme.
Së bashku me Orbánin, Fico konsiderohet si një nga aleatët më të ngushtë të Donald Trumpit në BE. Fico ndjek një kurs të ashpër kundër migracionit. Në vitin 2016 ai deklaroi: "Islami nuk ka vend në Sllovaki.” Ai ndaloi dërgesat e armëve për Ukrainën dhe i quajti ukrainasit e sulmuar nga Rusia "nazistë dhe fashistë”.
Megjithatë, politika e Ficos ndaj SHBA-së është kontradiktore. Gjatë periudhës së parë të qeverisjes së tij (2006-2010) ai kërkoi afrimin me vende si Rusia, Kina, Venezuela dhe Kuba, të gjitha jo patjetër miqtë më të mëdhenj të Uashingtonit. Në fund të janarit 2026 shkaktoi bujë një raport në revistën "Politico”, në të cilën duke iu referuar diplomatëve evropianë të paidentifikuar, thuhet se Fica kishte thënë në kuadrin e një samiti të BE-së se Trump "ka humbur arsyen”. Raporti u hodh poshtë me vendosmëri si nga Fico ashtu edhe nga Shtëpia e Bardhë, duke u cilësuar si "gënjeshtër” dhe "lajm i rremë”.
Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni: ndërmjetësuesja
Giorgia Meloninuk është vetëm kryetare e partisë Fratelli d'Italia, e cila shpesh konsiderohet si post-fashiste, por edhe gruaja e parë në krye të një qeverie italiane. Ideologjikisht ajo është e afërt me Donald Trumpin dhe që herët ka kërkuar afrimitet me të – gjë që ka shkaktuar shqetësim te evropianë të tjerë. Meloni është kryeministrja e ekonomisë së tretë më të madhe të BE-së pas Gjermanisë dhe Francës, dhe kjo i ka siguruar asaj një rol të rëndësishëm ndërmjetësues në konfliktet mes BE-së dhe SHBA-së.
Dhe konflikte ka pasur shumë. Në mosmarrëveshjen për tarifat doganore vitin e kaluar, ajo përdori ndikimin e saj; në çështjen e Grënlandës, të paktën ofroi ndërmjetësim. Roli i saj si ndërmjetëse ndoshta është i kufizuar, por ajo merret seriozisht nga të dyja palët.
Kërkesën e Trumpit për Grënlandën ajo e quajti "gabim”; sepse për një pjesë të madhe të opinionit publik italian, Trump kishte shkuar shumë larg me pretendimet e tij. Prandaj ajo doli në ofensivë dhe tha: "Ka shumë gjëra për të cilat nuk jam dakord me Trumpin. Kur nuk jam dakord, ia them.” Edhe në çështjen e Ukrainës ajo mban një qëndrim të pavarur dhe ka mbështetur vazhdimisht ndihmat për Ukrainën.
Alice Weidel: bashkëkryetare e AfD-së
Ka kaluar një vit që kur zëvendëspresidenti amerikan JD Vance kritikoi evropianët në Konferencën e Sigurisë në Mynih 2025, sepse sipas tij, ata shtypin lirinë e shprehjes dhe po lejojnë një migracion shkatërrimtar që popujt e Evropës nuk e dëshirojnë. Më pas Vance bëri një provokim të madh ndaj partive të qendrës politike në Gjermani: ai u takua në mënyrë demonstrative me bashkëkryetaren e AfD-së, Alice Weidel, e cila as nuk ishte e ftuar në Konferencën e Sigurisë, ndërkohë që injoroi kancelarin e atëhershëm, Olaf Scholz. Kjo qe një rritje e dukshme e peshës politike të partisë AfD, e cila konsiderohet pjesërisht si ekstremiste e djathtë dhe me të cilën të gjitha partitë e tjera të përfaqësuara në Bundestag nuk duan të kenë bashkëpunim.
Lufta kundër emigracionit, refuzimi i mbrojtjes së klimës dhe theksimi i kombit: këto janë qëndrime që Weidel i ndan me Donald Trump. Edhe fakti që Trump duket i gatshëm që për hir të paqes në Ukrainë, t'i bëjë lëshime të mëdha agresorit Rusi, është një qëndrim që përputhet me atë të AfD-së. Situata u bë më e vështirë vetëm kur Trump këmbënguli se donte patjetër Grënlandën, pra territorin e një vendi aleat të NATO-s. Që atëherë AfD-ja është distancuar disi në retorikë nga Trumpi.
Presidenti polak Karol Nawrocki: i zhgënjyeri
Në fakt politikanët e partisë "Ligj dhe Drejtësi" (PiS) mendonin se ishin nxënësit model të Donald Trumpit në Evropë. Nën qeveritë e tyre nacional-konservatore (2005–2007 dhe 2015–2023), theksi u vu sidomos te rendi dhe ligji, lufta kundër migracionit, një dozë e fortë euroskepticizmi dhe një marrëdhënie e ngushtë me SHBA-në. Dhe mbi të gjitha brenda NATO-s Polonia sot ka shpenzimet më të larta për mbrojtjen në raport me fuqinë e saj ekonomike, madje edhe ia renditet edhe para SHBA-së. Ndërkohë në Varshavë qeveris liberali dhe pro-evropiani Donald Tusk, kurse president u bë konservatori Karol Nawrocki, të cilin e kandidoi PiS dhe të cilin Donald Trump e priti në mënyrë demonstrative në Shtëpinë e Bardhë gjatë fushatës zgjedhore.
Prandaj edhe pse deri më sot nuk e ka shprehur hapur Nawrocki, admirues i Trumpit, duhet të jetë tani aq më i zhgënjyer nga Trumpi, sepse ai po e vë gjithnjë e më shumë në dyshim nëse SHBA-ja do t'i mbronte vërtet vendet e NATO-s si Polonia në rast të një sulmi rus, pavarësisht shpenzimeve të larta për mbrojtje që bën Polonia. Po ashtu në Poloni, një nga aleatët më të ngushtë të Ukrainës, shihet me sy shumë të keq qëndrimi miqësor i Trumpit ndaj Rusisë. / DW