Kongresi amerikan miraton dy projektligje

Amerika

Kongresi amerikan miraton dy projektligje

Më: 5 qershor 2026 Në ora: 16:08
Kongresi amerikan

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi me 226 vota pro dhe 195 kundër Aktin për Mbështetjen e Ukrainës, i cili parashikon mbi 1 miliard dollarë ndihmë për sigurinë dhe rindërtimin e Ukrainës, si dhe 8 miliardë dollarë kredi për mbrojtjen e saj.

Paketa përfshin gjithashtu sanksione të ashpra ndaj Rusisë, tarifa prej 500 për qind për mallrat ruse dhe kufizime të reja ndaj sektorit energjetik rus.

Projektligji duhet të miratohet edhe nga Senati para se të nënshkruhet nga presidenti Donald Trump.

Votimi u konsiderua një sfidë ndaj qëndrimit të Trumpit për luftën në Ukrainë, pasi 18 republikanë iu bashkuan demokratëve në mbështetje të paketës. Mbështetësit argumentuan se ndihma është e domosdoshme për Ukrainën dhe për rritjen e presionit ndaj Moskës, ndërsa kundërshtarët shprehën shqetësime për përfshirjen e mëtejshme amerikane në konflikt.

Ndërkohë, Senati amerikan miratoi me 52 vota pro dhe 47 kundër një paketë prej rreth 70 miliardë dollarësh për financimin e agjencive të emigracionit dhe sigurisë kufitare deri në fund të mandatit të Trumpit. Projektligji siguron fonde për policinë kufitare dhe agjencinë ICE, duke shmangur rrezikun e ndërprerjes së financimit në të ardhmen.

Debatet në Senat u fokusuan edhe te një fond kontrovers prej 1.8 miliardë dollarësh, të mbështetur nga Trump, por pavarësisht kundërshtimeve brenda Partisë Republikane, paketa u miratua.

Projektligji tani kalon në Dhomën e Përfaqësuesve për votimin përfundimtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat