Trump u bën një surprizë fëmijëve

Amerika

Trump u bën një surprizë fëmijëve

Më: 30 tetor 2026 Në ora: 18:44
Melania Trump, Donald Trump

Një fluturim në lartësi të ulët i avionit presidencial mbi Shtëpinë e Bardhë, i organizuar gjatë një feste të Halloween për fëmijët, shkaktoi vonesa në dhjetëra fluturime dhe shqetësoi disa banorë të Uashingtonit.

Trafiku ajror në një nga aeroportet kryesore të qytetit u ndërpre përkohësisht, ndërsa zyrtarët vendas e kritikuan vendimin, duke vënë në dukje se ishin njoftuar vetëm 15 minuta më parë.

Avioni "Air Force One" kreu dje dy kalime në lartësi të ulët mbi Shtëpinë e Bardhë. Si pasojë, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) pezulloi përkohësisht të gjithë trafikun në Aeroportin Kombëtar "Reagan" të Uashingtonit, që ndodhet aty pranë. Avioni fluturoi gjithashtu mbi lagje të banuara në afërsi.

Në momentin e fluturimit, presidenti Trump po organizonte një festë të Halloween për fëmijët. Shtëpia e Bardhë publikoi pamje në rrjetet sociale me mbishkrimin: "Një fluturim epik i 'Air Force One' mbi Shtëpinë e Bardhë për fëmijët që erdhën për të marrë ëmbëlsira!"

Këshilli Bashkiak i Distriktit të Kolumbisë njoftoi se njoftimi për fluturimin kishte ardhur vetëm 15 minuta më herët "për të gjithë në qendër të Uashingtonit, në Pentagon dhe në Aeroportin Kombëtar. Kjo frikësoi shumë njerëz, përfshirë edhe ne."

Përfaqësues të kompanive ajrore konfirmuan gjithashtu se ishin njoftuar më pak se një orë para ngjarjes. Disa pasagjerë në fluturimet drejt Uashingtonit raportuan se avionët e tyre u desh të bënin xhiro në ajër para uljes, ose se fluturimet e tyre pësuan vonesa.

Sipas faqes së internetit "FlightAware", e cila gjurmon fluturimet, 26 për qind e fluturimeve në nisje dhe 17 për qind e atyre në mbërritje pësuan vonesa dje në aeroport, duke arritur në një total prej 202 fluturimesh. Shumica e këtyre vonesave janë pasojë e drejtpërdrejtë e pezullimit të operacioneve në aeroport.

Fluturimet e "Air Force One" organizohen shpesh gjatë ngjarjeve të mëdha sportive ku merr pjesë presidenti Trump.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat