Festonin ardhjen e një foshnje, por gjithçka përfundoi në tragjedi: Tre të vrarë në Ohio

Amerika

Festonin ardhjen e një foshnje, por gjithçka përfundoi në tragjedi: Tre të vrarë në Ohio

Më: 22 nëntor 2026 Në ora: 22:23
Fotoilustrim

Tre persona kanë humbur jetën dhe një grua ka mbetur e plagosur nga të shtënat me armë zjarri gjatë një feste për ardhjen në jetë të një fëmije në Ohio të SHBA-së.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës në ambientet e një lokali eventesh në qytetin Parma, rreth 16 kilometra në jug të Clevelandit. Sipas autoriteteve, dyshohet se gjithçka nisi pas një konflikti familjar.

Mes viktimave është edhe një 19-vjeçar, i cili dyshohet se ishte babai i fëmijës që pritet të lindë. Sipas dëshmive të raportuara nga CNN, i riu nuk ishte ftuar në festën e organizuar për nder të nënës së ardhshme.

Policia bëri të ditur se në lidhje me ngjarjen është ndaluar një 29-vjeçar, i dyshuar si njëri prej dy personave që kanë përdorur armë zjarri. Megjithatë, deri më tani ndaj tij nuk janë ngritur akuza zyrtare.

Autoritetet po hetojnë nëse 29-vjeçari ishte ai që nisi të shtënat apo nëse veproi në kushtet e vetëmbrojtjes.

Mes viktimave një 17-vjeçare dhe babai i gruas shtatzënë

Policia ka identifikuar dy prej viktimave si 17-vjeçarja Leasia England dhe 45-vjeçari Jason Townsend. Ky i fundit ishte babai i gruas shtatzënë, për nder të së cilës ishte organizuar festa.

Vetë gruaja shtatzënë nuk ka pësuar lëndime.

Ndërkohë, viktima e tretë është 19-vjeçari i dyshuar si personi tjetër i armatosur, ndërsa një grua 39-vjeçare mbeti e plagosur nga një plumb në këmbë.

Sipas autoriteteve, 29-vjeçari i ndaluar dyshohet se është i afërm i gruas shtatzënë.

Policia ka sekuestruar dy armët që dyshohet se janë përdorur gjatë përplasjes. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe po marrin dëshmitë e personave të pranishëm për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Gjithashtu, pritet të kryhen ekspertiza balistike për të përcaktuar se nga cila prej dy armëve janë qëlluar plumbat që u morën jetën viktimave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat