Administrata e presidentit Donald Trump po përgatit tarifa të reja ndaj Kinës, Bashkimit Evropian dhe dhjetëra vendeve të tjera, të cilat mund të shpallen që këtë javë, raporton "Wall Street Journal".
Sipas gazetës, tarifat synojnë të kundërshtojnë subvencionet shtetërore që u mundësojnë industrive të huaja të prodhojnë tepër dhe të shesin mallra me çmime të ulëta, çka, sipas Uashingtonit, i dëmton prodhuesit amerikanë. Norma e saktë nuk është caktuar ende.
"Wall Street Journal" shkruan se për BE-në, Japoninë dhe Korenë e Jugut tarifat totale pritet të jenë 15 për qind ose më pak, duke ndjekur marrëveshjet e nënshkruara më parë. Për Kinën ato mund të jenë më të larta, ndërsa tarifa më të larta mund të vendosen edhe ndaj Vietnamit dhe Indisë. Çeliku, alumini dhe automjetet mund të përjashtohen, pasi tashmë i nënshtrohen tarifave për arsye të sigurisë kombëtare.
Gazeta thotë se administrata synon të rikthejë nivele të ngjashme me ato të vitit 2025 me një bazë tjetër ligjore, pasi Gjykata Supreme e SHBA-së e anuloi në shkurt raundin e parë të këtyre tarifave. Hetimi për subvencionet industriale të Kinës, BE-së dhe 14 vendeve të tjera nisi në mars.
Sipas të njëjtit raportim, tarifat prej 10 deri në 12.5 për qind, të vendosura në korrik ndaj vendeve që nuk veprojnë kundër tregtisë së mallrave të prodhuara me punë të detyruar, pritet të rriten. Edhe ato janë të kundërshtuara në gjykatë. Nëse vendet e prekura nuk i ndryshojnë politikat industriale, administrata mund t'i rrisë më tej tarifat.