Dhjetëra shqiptarë infektohen me Covid-19 në një supermarket në Boston - Bota Sot
Dhjetëra shqiptarë infektohen me Covid-19 në një supermarket në Boston

Amerika

Dhjetëra shqiptarë infektohen me Covid-19 në një supermarket në Boston

Më: 18 maj 2020 Në ora: 10:05
Boston

Epidemia e koronavirusit ka pësuar një shtrirje të madhe në popullatë, por me një kurbë të rrezikshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shteti më i prekur është Nju Jorku (me mbi 23 mijë të vdekur; në total shifra në SHBA ka shkuar rreth 90 mijë viktima), por pas tij epidemia po zgjerohet edhe në shtetin e Massachusetts-it, ku prej dekadash jetojnë me mijëra shtetas shqiptarë.

Guvernatori George Baker nuk ka urdhëruar izolim në këtë shtet qysh prej fillimit të pandemisë, por ka lejuar lëvizjen e lirë, duke vendosur masa dhe rregulla strikte. Megjithatë viktimat në Mass (emri i shkurtuar) shkojnë deri mbi 5 mijë persona. Në këtë situatë, edhe shqiptarët janë prekur dhe kanë pësuar tronditje të madhe.

Gazeta Shqip mëson nga burime të sigurta, se një supermarket gjigand të njohur në periferi të Bostonit, është mbyllur para disa ditësh nga auroritetet shëndetësore për shkak se 1/3 e punonjësve rezultoi me korona virus pas kryerjes së testit. Mes tyre ndodheshin edhe dhjetëra shqiptarë, të cilët pasi mësuan se ishin të prekur u izoluan menjëherë.

Siç raporton burimi, asnjë nga punonjësit shqiptarë të prekur nuk është në gjendje të rëndë, por e ka kaluar situatën pa pasoja. Një pjesë e tyre kanë rezultuar asimptomatikë (nuk tregon shenja të sëmundjes), por që gjithsesi rrezikonin të kontaminonin të tjerët duke qenë se ishin mbartës të virusit.

Në kushte anonimiteti, njëri prej shqiptarëve të prekur tregon se masat që kishin marrë drejtuesit e supermarketit linin për të dëshiruar dhe se struktura ishte detyruar të mbyllej pas urdhrit të autoriteteve shëndetësore lokale vetëm pas vdekjes së një punonjëseje të prekur me koronavirus.

Pas kësaj situate supermarketi është rihapur me leje të autoriteteve pas pastrimit dhe disinfektimit të plotë. Deri tani, Massachusetts-i numëron mbi 83 mijë persona të prekur nga Covid 19 dhe mbi 5 mijë të vdekur, ku për fat të mirë nuk rezulton të ketë shtetas shqiptar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat