Mamusha para sfidës së madhe në Stamboll

Atletika

Mamusha para sfidës së madhe në Stamboll

Nga: Kemajl Goca Më: 18 tetor 2019 Në ora: 19:29
Tirron Mamusha

Atleti Tirron Mamusha përgatitet për sfidën shumë të rëndësishme përkatësisht në fillim të muajit nëntor, për Maratonën e Stambollit. Ai është i impresionuar me suksesin në Maratonën e Tiranës por ka synime edhe më të mëdha për të ardhmen. Suksesi në Tiranë e ka frymëzuar edhe më shumë për arritur më të mirën edhe në Stamboll. Gjakovari, anëtar i klubit ‘Gërmia Team’ nga Prishtina, është i zhgënjyer që nuk e ndihmojnë institucionet përkundër sukseseve që ka.  

“Bota sot”: Javën që e lamë pas morët pjesë në maratonën e Tiranës, si e vlerësoni paraqitjen dhe konkurrencën?
Tirron Mamusha:
Javën e kaluar isha pjesëmarrës në Maratonën e Tiranës - edicioni i 4-të, paraqitja ishte shumë e mirë, ndërsa konkurrenca shumë e fortë me atletë nga Kenia dhe Evropa, ku në fund ja arrita të renditem i 4-ti dhe i pari prej evropianëve.

“Bota sot”: A mendoni se ky vit ka qenë më i miri?
Tirron Mamusha:
Mundem me e konsideruar edhe këtë vit të sukseseve në Gjysmëmaratona ku edhe në muajin prill në Gjysmëmaratonën e Prishtinës pata paraqitje shumë të mirë.

“Bota sot”: Çfarë iu zhgënjeu më shumë e çfarë iu gëzoi më shumë gjatë këtij viti?
Tirron Mamusha:
Për mua në sport ka qenë vit i gëzimeve ku edhe puna ime në fund po jep rezultatet, ndërsa nga zhgënjimet mbet gjendja e vështirë financiare në sport.

“Bota sot”: Cilat janë synimet tuaja?
Tirron Mamusha:
Tjetër garë e rëndësishme me pret me 3 nëntor bashkë me ‘Gërmia Team’, do të vrapojmë në ‘Istabul Marathon 2019’.  Unë garojë në distancën 15 kilometra ku edhe besoj në një plasman në 10 më të mirët.

“Bota sot”: Ku do të përgatiteni për garën e Stambollit dhe sa keni njohuri për konkurrencën?
Tirron Mamusha:
Përgatitjet janë në fazën e fundit për garën në Stamboll, ndërsa konkurrenca është shumë e fortë ku ka vrapues nga krejt Evropa, Kenia dhe Etiopia.

“Bota sot”: A keni vendosur më shumë të merrni pjesë në shtigjet e gjata?
Tirron Mamusha:
Po, kryesisht në fund vit garojë në distancat më të gjata, duhet filluar me 10 kilometra e deri në 21.1 kilometra.

“Bota sot”: Sa keni vështirësi, sa po arrini t'ia dilni, a keni ndihmë nga dikush?
Tirron Mamusha:
Gjithmonë ju jam falënderues klubit ‘Gërmia Team’ që janë përkrahësit kryesorë në karrierën time si atlet. Ndërsa asnjëherë përkundër të gjitha këtyre sukseseve nuk kam pasur ndihmë nga Komuna e Gjakovës ose institucione tjera shtetërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat