Iraku heq shtetrrethimin, shkon në 72 numri i viktimave në protesta

Azia

Iraku heq shtetrrethimin, shkon në 72 numri i viktimave në protesta

Më: 5 tetor 2019 Në ora: 14:30
Irak

Autoritetet irakiane e kanë shfuqizuar gjendjen e orës policore në Bagdad të shtunën. Vendimi për masën e jashtëzakonshme nuk kishte ndikuar në ndërprerjen e protestave të dhunshme, në të cilat humbën jetën 72 persona dhe qindra të tjerë u lënduan.

Trafiku është zhvilluar normalisht në kryeqytetin irakian, ndërsa rrugët dhe sheshet kryesore ishin të qeta. Në hapësirat ku javën e kaluar ishin mbledhur protestuesit policia kishte vendosur barrier të betonit.

Zyrtarët e kabinetit të kryeministrit Adel Abdul Mahdi u takuan me liderët e protestuesve nga Bagdadi dhe provincat tjera për të diskutuar lidhur me kërkesat e tyre. Kryeministri dhe president i Irakut premtuan se do ta kërkojnë përmbushjen e kërkesave të protestuesve, por televizioni shtetëror nuk dha hollësi për mënyrën e plotësimit të tyre.

Kjo kryengritje është trazira më vdekjeprurëse në Irak që nga shpallja e fitores kundër Shtetit Islamik në vitin 2017 dhe i ka dridhur themelet e qeverisë së kryeministrit Mahdi. Qeveria ka premtuar reforma, por duket se ato nuk i kanë bindur irakianët.

Snajperët e policisë kanë qëlluar në drejtim të protestuesve të premten, kanë thënë reporterët e agjencisë “Reuters”, duke i shtuar tensionet dhe duke e ashpërsuar taktikën e forcave të sigurisë, të cilat më parë kanë përdorur plumba lufte, gaz lotsjellës dhe kamionë me ujë, shkruan “Reuters”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat