Rrëfim nga burgjet në Siri ku po mbahen ish-pjesëtarët e ISIS-it

Azia

Rrëfim nga burgjet në Siri ku po mbahen ish-pjesëtarët e ISIS-it

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 13:51
Fëmijët e mbyllur në një kamp të Sirisë

Të burgosurit e mbulojnë dyshemenë si një tepih i dëshpërimit njerëzor. Shumë prej tyre i kanë humbur sytë ose gjymtyrët, disa janë bërë asht e lëkurë nga sëmundja dhe shumica janë të veshur me rroba të portokallta, të ngjashme me rrobat që ISIS-i ua veshte robërve të tyre para se t’i vriste.

Në katin e dytë, të ngjeshur në dy qeli me pak rreze dielli, ndodhen më shumë se 150 fëmijë, të moshës 9 deri 14 vjeçare. Ata kanë prejardhje nga vende të ndryshme. Prindërit e tyre i sollën në Siri dhe përfunduan të vrarë ose të burgosur. Fëmijët gjenden aty qe disa muaj dhe nuk kanë ndonjë ide se ku janë të afërmit e tyre apo çfarë i pret në të ardhmen.

“Kam një pyetje”, tha një djalë nga Surinami brenda qelisë së tij. “Çfarë do të ndodhë me ne? A do të dalin fëmijët nga ky vend?”

Vizitat e rralla në dy burgjet e kushtuara për ish-banorët e territorit të kontrolluar nga Shteti Islamik në pjesën verilindore të Sirisë nga gazeta “The New York Times” këtë javë i vënë në pah përmasat e një krize humanitare dhe ligjore, e cila po vazhdon të rritet dhe të cilën bota ka vendosur ta injorojë në masë të konsiderueshme.

Pas rënies së kalifatit të vetëshpallur të Shtetit Islamik në Siri, dhjetëra mijëra burra, gra e fëmijë, të cilët jetonin në atë pjesë, përfunduan në kampe të ndyra dhe burgje të stërmbushura, të kontrolluara nga grupet e armatosura kurde, të cilat kishin bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara për t’i mposhtur xhihadistët.

Megjithatë, tash që Turqia e ka nisur një ofensivë ushtarake kundër forcave kurde dhe e ka sjellë një valë të re të dhunës, duke e dobësuar kontrollin e këtyre forcave në rajon, janë rritur paqartësitë për fatin e shumë njerëzve që i mbijetuan rrëzimit të Shtetit Islamik dhe që tashmë janë strehuar në burgje e kampe ndalimi.

Shumica e vendeve të tyre kanë refuzuar që t’i marrin ata në atdhe nga frika se kanë qëndrime ekstremiste apo mund të kryejnë sulme. Kështu, në vend të kësaj, qeveritë e tyre kanë zgjedhur që t’i lënë ata në duart e forcave të udhëhequra nga kurdët, të cilat kanë mungesë të burimeve për t’i strehuar, ushqyer dhe mbrojtur ata, e aq më pak për t’i hetuar personat e rritur dhe për t’u ofruar fëmijëve shkollim dhe rehabilitim, shkruan “The New York Times”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat