Gjatë 24 orëve të kaluara, India i ka regjistruar 6,767 raste të reja të koronavirusit. Kjo është shifra më e lartë ditore që nga fillimi i përhapjes së sëmundjes.
Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Familjare e këtij shteti gjithashtu njoftoi se, përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe janë shënuar edhe 147 të vdekur, shkruan “CNN”.
Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i të prekurve nga Covid-19 në shtetin e dytë për popullsinë më të madhe në botë shkoi në 131,868 persona, ndërsa numri i të vdekurve në 3,867.
India edhe të shtunën shënoi rekord të rasteve të reja për një ditë – 6,654 – shifër që u tejkalua të dielën.
Pavarësisht rritjes së numrit të rasteve, qeveria indiane ka njoftuar se do ta lejojë rifillimin e fluturimeve brenda vendit duke nisur nga java e ardhshme.