Nëna britaniko-iraniane përballet me një gjyq të ri në Teheran

Azia

Nëna britaniko-iraniane përballet me një gjyq të ri në Teheran

Më: 11 shtator 2020 Në ora: 19:36
Nazanin Zahari-Ratcliffe

Nazanin Zahari-Ratcliffe me shtetësi britanike dhe iraniane, e burgosur në Iran nën akuza për spiunim, do të përballet me një gjyq të ri në ditët në vijim. Dënimi i saj do të skadojë në muajin prill të vitit që vjen, por ndaj saj janë ngritur akuza të reja që nuk janë bërë publike. Punonjësja e organizatave bamirëse dhe vajza e saj u ndaluan në aeroportin e Teheranit në vitin 2016 pasi vizituan familjen e tyre. Ajo i mohon me forcë të gjitha akuzat ndaj saj. Sikurse njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, familja e saj beson se ajo po përdoret si mjet negocimi në një mosmarrëveshje mbi pagesat e tankeve të blera para Revolucionit Iranian, por që nuk u dërguan kurrë.

Nazanin Zaghari-Ratcliffe u dërgua nga Garda Revolucionare të martën në një gjykatë të Teheranit, për t’u përballur me akuza të reja, që nuk janë bërë publike. Bashkëshorti i saj, Richard Ratcliffe, thotë se kjo e ka goditur rëndë familjen e tij.

“Gjatë gjithë kësaj kohe na kanë përdorur si mjet negocimi dhe kam qenë i qartë për faktin se mendoj se ajo është peng”, thotë zoti Ratcliffe.

Ai beson se Irani po e përdor rastin e gruas së tij si mjet negocimi mbi një borxh 520 milionë dollarë. Në vitin 1979 Shahu i Iranit pagoi Britaninë për tanket në fjalë. Britania nuk e përmbushi porosinë pas përmbysjes së Shahut në të njëjtin vit. Julie Norman është analiste për sigurinë me Kolegjin Universitar të Londrës.

“Britania ra dakord të shlyente pagesën fillestare prej 400 milion paundësh. Sidoqoftë me sanksionet që janë në fuqi, është pothuajse e pamundur të bëhet kjo”, thotë zonja Norman.

Brtiania nuk dëshiron të lidhë ndalimin e zonjës Zaghari-Ratcliffe’s me borxhin.

“Nuk duan të inkurajojnë këtë lloj taktike apo praktike që mund të duket sikur po paguajnë një haraç apo diçka të tillë”, thotë Julie Norman me Kolegjin Universitar të Londrës.

Irani ka ndaluar njerëz me dy shtetësi nga disa vende perëndimore nën akuza të paqarta, përfshi shtetas nga Amerika, Franca, Kanadaja dhe Australia.

“Irani tani me të vërtetë po e ndjen krizën e sanksioneve, kryesisht atyre të vëna nga Amerika dhe po përpiqet të tregojë muskujt aty ku mundet. Po ashtu shumë prej këtyre kanë të bëjnë me politikën e brendshme. Është e rëndësishme të theksohet se këto arrestime dhe burgosje bëhen nga Garda Revolucionare që drejtohet nga Udhëheqësi Suprem. Në disa forma, kjo është praktikë ndikimi mbi elementët e tjerë të qeverisë që mund të shihen si më të moderuar”, thotë analistja Norman.

Vitin e kaluar Britania i dha zonjës Zaghari-Ratcliffe mbrojtje diplomatike, që do të thotë se çështja e saj u bë një mosmarrëveshje zyrtare ligjore mes Londrës dhe Teheranit.

“Patëm një shtytje të madhe diplomatike në përpjekjet për të sjellë në shtëpi Nazanin, dhe cili është rezultati ? Ata shtuan një çështje të dytë gjyqësore. Duhet të ketë pasoja. E gjithë kjo është një lojë mizore që ata planifikojnë, dhe çfarëdo që po bën qeveria, nuk po funksionon”, thotë bashkëshorti i saj Richard Ratcliffe.

Vajza e tyre 6 vjeçare, Gabriella, tani jeton në Londër me babanë e saj.

Zonjës Zaghari-Ratcliffe iu dha lirim i përkohshëm në mars ndërsa Irani u përpoq të lehtësonte kushtet e mbipopullimit në burgje për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit. Ajo po jeton në shtëpinë e prindërve të saj në Teheran, e detyruar të veshë një pajisje për monitorim. Gjyqi i saj i ri pritet të fillojë të dielën./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat