Gratë ujgure në Kinë thonë se po përdhunohen sistematikisht në kampe

Azia

Gratë ujgure në Kinë thonë se po përdhunohen sistematikisht në kampe

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 22:17
Foto ilustrim

Gratë në kampet për “riedukim” të ujgurëve në Kinë po përdhunohen sistematikisht, po abuzohen dhe po torturohen seksualisht, sipas informatave të hollësishme që ka marrë BBC.

Disa prej tyre edhe kanë ndarë tmerret që po i përjetojnë në këto kampe.

Burrat gjithmonë mbanin maska, tha Tursunay Ziawudun, edhe pse atëherë s’kishte pandemi.

Ata veshin disa kostume, tha ajo, jo uniforma policie.

Diku pasmesnate, ata vinin në qelitë tona për të zgjedhur gratë që dëshironin dhe i çonin teposhtë korridorit në një “dhomë të zezë”, ku nuk kishte kamera vëzhgimi.

Ziawudun tha se disa net e morën edhe atë.

“Kjo ndoshta është njolla që s’do ta harrojë përgjithmonë”, tha ajo.

“Madje unë s’dua që këto fjalë të dalin nga goja ime”.

Tursunay Ziawudun kaloi nëntë muaj brenda këtij sistemi të gjerë dhe sekret të Kinës në kampet e internimit në rajonin e Xinjiang.

Sipas vlerësimeve të pavarura, më shumë se një milion burra dhe gra janë arrestuar në rrjetin e përhapur të kampeve, për të cilat Kina thotë se janë për “riedukimin” e ujgurëve dhe pakicave të tjera.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se qeveria kineze gradualisht ka hequr liritë fetare dhe liritë tjera të ujgurëve, duke arritur kulmin në një sistem shtypës të mbikëqyrjes masive, ndalimit, indoktrinimit dhe madje edhe sterilizimit të detyruar.

Tursunay Ziawudun, e cila u largua nga Xinjiang pas lirimit të saj dhe tani është në SHBA, tha se gratë u morën nga qelitë “çdo natë” dhe u përdhunuan nga një ose më shumë burra kinezë të maskuar. Ajo tha se u torturua dhe më vonë u përdhunua në grup në tre raste, secila herë nga dy ose tre burra.

Ziawudun ka folur për mediat më parë, por vetëm nga Kazakistani, ku ajo “jetoi me frikë të vazhdueshme se do të dërgohej përsëri në Kinë”.

Ajo tha se nëse zbulohet që ka folur për nivelin e abuzimit seksual që ajo kishte përjetuar dhe parë në kampe, po të kthehej në Xinjiang, do të dënohej edhe më ashpër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat