Policia iraniane arreston “spiunët” që dyshohet se kishin lidhje me Izraelin

Azia

Policia iraniane arreston “spiunët” që dyshohet se kishin lidhje me Izraelin

Më: 28 korrik 2022 Në ora: 19:43
Flamuri i Iranit që valëvitet prapa telat me gjemba. Fotografi ilustruese.

Policia iraniane ka arrestuar liderin dhe katër anëtarë të tjerë të një rrjeti të dyshuar spiunazhi, që sipas Teheranit kanë lidhje me shërbimet e inteligjencës izraelite.

Kështu njoftoi më 28 korrik organizata kundër-spiunazhit e Njësisë së Zbatimit të Ligjit në Iran.

Në deklaratën e publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve (ILNA), autoritetet thanë se anëtarët e rrjetit kishin mbledhur informacione "jetike" rreth Iranit, të cilat më pas ua kanë dërguar agjencisë së inteligjencës izraelite, Mossad, në këmbim të shpërblimeve financiare.

Zyra e Kryeministrit izraelit, e cila mbikëqyr Mossadin, nuk komentoi mbi arrestimet e raportuara.

Anëtarët e grupit dyshoheshin gjithashtu për përhapjen e propagandës kundër Iranit, thuhet në deklaratë.

Aty thuhet po ashtu se autoritetet iraniane sekuestruan pajisje elektronike të avancuara, karta SIM dhe telefona celularë nga anëtarët.

Irani ka akuzuar në mënyrë të përsëritur armikun e përhershëm, Izraelin, për akte të supozuara sabotimi në objektet e tij kërkimore bërthamore, si dhe sulme kibernetike dhe vrasje të shkencëtarëve bërthamorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat