Sirena alarmi në Seul; Koreja e Veriut lëshon pa sukses satelitin spiun

Azia

Sirena alarmi në Seul; Koreja e Veriut lëshon pa sukses satelitin spiun

Më: 31 maj 2023 Në ora: 18:00
Foto ilustrim

Koreja e Veriut provoi të mërkurën të lëshojë satelitin e saj të parë spiun ushtarak. Përpjekja dështoi, me raketën që u rrëzua në oqean - por jo përpara se të shkaktonte alarm për banorët e Seulit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Gallo njofton nga kryeqyteti i Koresë së Jugut.

Sirenat e sulmit ajror ranë në rrugët e kryeqytetit të Koresë së Jugut.

Përpara se shumë banorë në Seul të ngriheshin nga shtrati, altoparlantët i paralajmëruan ata që të përgatiteshin për t'u strehuar.

Banorët morën gjithashtu sinjalizime në celularët e tyre, së bashku me një mesazh që thoshte t’u jepnin përparësi të moshuarve dhe të rinjve. E gjithë kjo është shumë e pazakontë, pasi lëshimet e raketave të Koresë së Veriut praktikisht nuk shkaktojnë alarm në Jug.

Paralajmërimet u nxitën nga lëshimi I një sateliti nga Koreja e Veriut, i cili u drejtua në jug, përpara se të binte në det.

Zyrtarët e Seulit thanë se paralajmërimet ishin dërguar gabimisht, por e mbrojtën qasjen e tyre si "më mirë të sigurt se sa të dështuar".

"Ky mesazh emergjence mund të jetë reagim i tepruar i një zyrtari të rangut të ulët të sigurisë, por nuk ishte gabim. Parimi ynë është të përgjigjemi në një mënyrë që mund të shihet si e tepruar, por nuk mund të ketë kompromis për sigurinë", tha kryetari i bashkisë së Seulit Oh Se-hoon.

Koreja e Veriut tha se sateliti kishte për qëllim të monitoronte lëvizjet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.

Por raketa që mbante satelitin u rrëzua në oqean dhe u gjet të paktën pjesërisht nga ushtria e Koresë së Jugut.

“Duket se regjimi i Koresë së Veriut është përballur me vështirësi të shumta të papritura teknike. Nuk është e lehtë për asnjë vend, madje edhe për ekonomitë më të përparuara me teknologji moderne shumë të sofistikuar”, thotë Bong Young-shik, profesor në Universitetin ‘Yonse’.

Koreja e Veriut e pranoi dështimin e satelitit dhe tha se do të kryente një tjetër lëshim sa më shpejt të jetë e mundur./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat