Dy liderë të opozitës në Izrael kanë akuzuar kryeministrin në largim, Benjamin Netanyahu, për “tentativë puçi”, pas raportimeve se zyra e tij dyshohet se ka tentuar të implikojë anëtarë të një partie arabo-izraelite, para zgjedhjeve të mbajtura më 27 tetor.
Yair Lapid, i cili drejtoi opozitën në legjislaturën e kaluar dhe është bashkëkryesues i listës “Beyachad”, reagoi të hënën përmes një postimi në rrjetin social X, duke thënë se zhvillimet e fundit po zbulojnë një situatë shumë më serioze sesa një përpjekje për të ndikuar në zgjedhje.
“Sa më shumë detaje që dalin në dritë, aq më e qartë bëhet: Kjo nuk ishte një përpjekje për të penguar zgjedhjet. Ishte një tentativë puçi”, shkroi Lapid.
Sipas televizionit izraelit “Channel 12”, një ditë para zgjedhjeve të 27 tetorit, shefi i kabinetit të Netanyahut, Ido Norden, kishte telefonuar policinë për të paraqitur një ankesë ndaj disa anëtarëve të partisë arabo-izraelite Raam, shkruan Euronews, transmeton "Bota sot".
Raportohet se Norden i kishte drejtuar policinë te një burim i pretenduar i inteligjencës, ish-punonjës i zyrës së Netanyahut, i cili kishte dhënë informacione që çuan në arrestimin e tre anëtarëve të kësaj partie. Megjithatë, të tre personat u liruan më vonë, pasi policia konstatoi se informacionet e dhëna ishin të pabazuara.
Pas zgjedhjeve, në të cilat partitë arabe fituan një numër rekord ulësesh, Netanyahu i akuzoi ato për mashtrim zgjedhor. Ndërkaq, partia e tij, Likud, ka mohuar akuzat e fundit për përfshirjen e zyrës së kryeministrit në këto zhvillime.
Edhe gazeta izraelite “Haaretz” raportoi se kreu i shërbimit të sigurisë së brendshme Shin Bet, David Zini, kishte kërkuar përgjimin e liderëve të listës tjetër arabe, “Lista e Përbashkët”. Megjithatë, sipas raportimit, prokurorja e përgjithshme e kishte refuzuar kërkesën për shkak të mungesës së provave.
Pas publikimit të këtyre pretendimeve, lideri i Listës së Përbashkët, Yousef Jabareen, e cilësoi rastin si një “tentativë puçi” nga Netanyahu.
“Nëse gjetjet konfirmohen, atëherë kemi të bëjmë me një mekanizëm kriminal që ka funksionuar nga zemra e qeverisë për të manipuluar rezultatet e zgjedhjeve. Të gjithë ata që rezultojnë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi, përfshirë edhe Netanyahun”, shkroi ai në X.
Ndërkohë, numri dy i partisë Raam, ish-shefi i policisë Yoav Segalovitz, kërkoi nisjen e menjëhershme të një hetimi të pavarur dhe gjithëpërfshirës.
“Këto dyshime kërkojnë një hetim penal të menjëhershëm, të pavarur dhe të plotë, i cili të përfshijë të gjithë personat e përfshirë, në çdo nivel dhe në çdo funksion”, deklaroi ai.
Ai shtoi se Netanyahu kishte pretenduar se zgjedhjet po i vidhen, ndërkohë që, sipas tij, vetë kishte tentuar ta “vjedhë vendin” dhe po vazhdonte ta bënte këtë.
Edhe rivali kryesor i Netanyahut, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Gadi Eisenkot, reagoi ashpër të dielën. Ai deklaroi se kryeministri në largim nuk mund të qëndrojë më asnjë minutë në krye të qeverisë.
Pas zgjedhjeve të muajit të kaluar, as blloku i Netanyahut dhe as opozita e udhëhequr nga Eisenkot nuk arritën të sigurojnë 61 ulëset e nevojshme për formimin e qeverisë. Dy partitë arabe, Lista e Përbashkët dhe Raam, kanë shprehur mbështetjen e tyre për Eisenkotin, të cilit presidenti Isaac Herzog i ka besuar mandatin për formimin e qeverisë.