Liderët e vendeve të Azisë Juglindore janë mbledhur të dielën në Manila të Filipineve, në kuadër të samitit të 49-të të Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), ku në fokus të diskutimeve janë kriza energjetike, siguria rajonale dhe pasojat ekonomike të konflikteve ndërkombëtare.
Takimi treditor, i cili zhvillohet nga 15 deri më 17 nëntor, mbahet në një kohë kur vendet e rajonit po përballen me rritjen e çmimeve të naftës, pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe pasigurinë ekonomike.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe unitet mes vendeve anëtare, duke theksuar se sfidat aktuale kërkojnë veprim të përbashkët.
“Sidomos në një kohë kur përballemi me kriza të shumta, nga rritja e çmimeve të naftës te shqetësimet e sigurisë dhe afrimi i fenomenit El Nino, ASEAN duhet të veprojë si një i vetëm”, ka deklaruar Marcos.
Një prej çështjeve kryesore të samitit është siguria energjetike. Vendet e Azisë Juglindore, të cilat varen në masë të madhe nga importi i karburanteve, po përballen me presionin e kostove të larta të energjisë, që po rëndojnë ekonomitë, bizneset dhe familjet.
Në këtë drejtim, liderët pritet të diskutojnë edhe propozimin për krijimin e një rezerve të përbashkët rajonale të naftës, si një mekanizëm për të përballuar krizat e furnizimit dhe luhatjet e tregut ndërkombëtar.