Koreja e Jugut ashpërson kontrollet në provimet universitare, pas skandalit me kamerë të fshehtë dhe inteligjencë artificiale

Azia

Koreja e Jugut ashpërson kontrollet në provimet universitare, pas skandalit me kamerë të fshehtë dhe inteligjencë artificiale

Nga: A.M. Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 19:08
Fotoilustrim

Koreja e Jugut ka vendosur të forcojë ndjeshëm masat e sigurisë gjatë provimeve kombëtare të pranimit në universitete, pas zbulimit të një rasti të kopjimit, ku një kandidat përdori kamerë të fshehtë dhe inteligjencë artificiale (IA) për të siguruar përgjigjet e testit.

Sipas agjencisë ndërkombëtare të lajmeve “Reuters”, autoritetet kanë vendosur që kandidatëve t'u kontrollohen me kujdes jakat e rrobave, për të zbuluar pajisje të mundshme të fshehura, si dhe syzet, për të identifikuar teknologjinë inteligjente që mund të përdoret për kopjim. Gjithashtu, kandidatët do t'i nënshtrohen kontrolleve me detektorë metalesh.

Masat e reja parashohin edhe angazhimin e rreth 8 mijë e 400 mbikëqyrësve shtesë në qendrat e provimeve në të gjithë vendin. Ndërkohë, kandidatëve do t'u kërkohet që çantat dhe sendet e tyre personale t'i lënë jashtë ambienteve ku zhvillohet testi.

Përveç kontrolleve fizike, qeveria ka paralajmëruar edhe ashpërsimin e dënimeve për ata që kapen duke kopjuar. Sipas masave të propozuara, periudha e përjashtimit nga provimet do të zgjatet nga një vit në dhjetë vjet.

Skandali që nxiti këto masa u bë publik pasi një kandidat, i cili kishte arritur rezultatin më të lartë në provimin për profesionistët e taksave, pranoi se kishte përdorur një kamerë të fshehtë për të fotografuar pyetjet e testit dhe për t'ia dërguar ato një aplikacioni të inteligjencës artificiale.

Aplikacioni më pas i kishte kthyer përgjigjet, duke i mundësuar kandidatit të përfitonte nga teknologjia gjatë provimit.

Ky rast ka nxitur shqetësime te autoritetet për mënyrën se si teknologjitë e reja mund të përdoren për të manipuluar proceset e vlerësimit, ndërsa Koreja e Jugut po synon të vendosë kontrolle më të rrepta për të garantuar integritetin dhe barazinë gjatë provimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat