Irani njofton se dy cisterna nafte u përfshinë nga zjarri në Ngushticën e Hormuzit

Azia

Irani njofton se dy cisterna nafte u përfshinë nga zjarri në Ngushticën e Hormuzit

Nga: A.M. Më: 15 nëntor 2026 Në ora: 09:34
Fotoilustrim

Dy cisterna nafte janë përfshirë nga zjarri në Ngushticën e Hormuzit, pasi dyshohet se kanë goditur mina detare gjatë përpjekjes për të kaluar nëpër një rrugë të paautorizuar detare.

Lajmi është bërë i ditur nga Marina e Gardës Revolucionare të Iranit, e cila ka deklaruar se anijet po përpiqeshin të kalonin pa u zbuluar, duke i pasur të fikura sistemet e navigimit dhe identifikimit.

Sipas deklaratës së forcave iraniane, goditja e minave shkaktoi shpërthime dhe zjarre të mëdha në të dy cisternat.

Autoritetet iraniane nuk kanë bërë të ditur emrat apo shtetet e origjinës së anijeve, ndërsa deri më tani nuk ka informacione të konfirmuara për viktima apo të lënduar.

Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, Marina iraniane ka njoftuar edhe për një incident tjetër të ngjashëm, duke bërë të ditur se gjithsej tri cisterna nafte janë përfshirë nga zjarri të shtunën, më 14 nëntor, pas goditjes së minave detare.

Megjithatë, Reuters ka theksuar se nuk ka arritur t'i verifikojë në mënyrë të pavarur këto raportime.

Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit. Situata në këtë zonë është tensionuar ndjeshëm për shkak të përplasjeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa Teherani ka vendosur kufizime për lëvizjen e anijeve në këtë korridor strategjik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat