Autoritetet në Korenë e Jugut kanë zbuluar 111 kandidatë me pajisje inteligjente të ndaluara gjatë provimit kombëtar të pranimit në universitete, pas vendosjes së masave të jashtëzakonshme kundër kopjimit me inteligjencë artificiale.
Sipas Ministrisë së Arsimit, 5 prej kandidatëve janë kapur duke përdorur pajisje inteligjente gjatë provimit, ndërsa te të tjerët janë konstatuar pajisje të paautorizuara.
Rreth 500 mijë nxënës iu nënshtruan këtë javë provimit të njohur si Suneung, një nga testet më të rëndësishme në sistemin arsimor të Koresë së Jugut, raporton BBC.
Për të parandaluar kopjimin, autoritetet ndërmorën masa të pazakonta, përfshirë dërgimin e alarmeve emergjente në telefonat mobilë në të gjithë vendin, me qëllim identifikimin e pajisjeve të fshehura në sallat e provimit.
Të enjten, ndërmjet orës 08:00 dhe 15:00, u dërguan 3 alarme kombëtare, të cilat aktivizuan sinjalet zanore të telefonave edhe kur pajisjet ishin në modalitetin pa zë.
Alarmet u dëgjuan edhe në telefonat e turistëve që përdornin shërbimin roaming, ndërsa nuk u aktivizuan në pajisjet e fikura ose të vendosura në modalitetin e fluturimit.
Kjo ishte hera e parë që Koreja e Jugut përdori sistemin kombëtar të paralajmërimit për fatkeqësi për të identifikuar pajisje që mund të përdoreshin për kopjim në provime.
Kandidatëve iu kërkua gjithashtu të mbulonin pullat e këmishave dhe xhaketave, për të parandaluar përdorimin e kamerave të fshehta. Autoritetet kontrolluan edhe syzet, për shkak të shqetësimeve për përdorimin e syzeve inteligjente.
Masat erdhën pas disa skandaleve të kopjimit me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Muajin e kaluar, 2 kandidatë u kapën duke përdorur syze me inteligjencë artificiale gjatë provimeve të pranimit në universitete. Ministria e Arsimit njoftoi gjithashtu se gjatë këtij viti janë zbuluar 4 nxënës të shkollave të mesme dhe të ulëta që kishin përdorur pajisje të tilla për kopjim.
Shqetësimet u shtuan pas rrëfimit të 34-vjeçarit Han Won-seok, kandidatit me rezultatin më të lartë në provimin për certifikimin e kontabilistëve tatimorë.
Ai pranoi se kishte përdorur një kamerë miniaturë për të fotografuar pyetjet, të cilat më pas ia kishte dërguar një sistemi të inteligjencës artificiale, duke kontrolluar përgjigjet përmes telefonit.
Rezultati i tij kishte ngritur dyshime, pasi kishte gabuar vetëm 1 nga 160 pyetjet e provimit.
Kryeministri i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, bëri thirrje të premten për reformimin e sistemit të provimeve, me qëllim parandalimin e kopjimit përmes inteligjencës artificiale.
Ai theksoi se provimet publike ndikojnë ndjeshëm në shpërndarjen e mundësive dhe burimeve në shoqëri, ndërsa përdorimi i inteligjencës artificiale për kopjim cenon drejtësinë dhe besimin në sistem.
Provimi Suneung, i cili mbahet çdo nëntor, zgjat rreth 8 orë dhe përfshin afërsisht 200 pyetje nga lëndë të ndryshme, përfshirë gjuhën koreane, matematikën, anglishten dhe shkencat shoqërore e natyrore.
Rëndësia e këtij provimi është aq e madhe sa gjatë zhvillimit të tij ndërpriten punimet ndërtimore, kufizohen fluturimet dhe pezullohen stërvitjet ushtarake, për t'u siguruar nxënësve kushte sa më të përshtatshme për testim.