Warriors heshtin Nuggets në shtëpinë e tyre

Basketboll

Warriors heshtin Nuggets në shtëpinë e tyre

Më: 16 janar 2019 Në ora: 12:39
Golden State Warriors

Fitore bindëse për kampionët në fuqi të NBA.

Dominim në stilin e kampionit në Pepsi Center të Denverit në përballjen për kreun e Konferencës së Perëndimit në NBA.

Golden State Warriors u dhanë një leksion basketbolli Denver Nuggets me rezultatin e thellë 111-142, falë një çereku të parë me plot 51 pikë të shënuara nga kampionët në fuqi, duke thyer rekordin e Phoenix Suns të arritur më 10 nëntor të 1990-ës me 50 pikë.

Merita ishte e tëra për treshen fantastike, Durant-Thompson-Curry, që vetëm në këtë 12-minutësh realizuan 17, 12 dhe 12 pikë. Durant e mbylli ndeshjen me 27 pikë, ndërsa Curry e Thompson nga 31 secili.

Fitore edhe më e thellë e Philadelphia 76ers ndaj Minnesota Timberwolves me rezultat 149-107, takim ku spikatën veçanërisht Joel Embiid me 31 pikë e 13 kërcime e Ben Simmons me 20 pikë, 10 asistime dhe 11 kërcime.

Edhe Milwaukee Bucks shpërtheu me një fitore të thellë 124-86 ndaj Miami Heat. Një provë forcë kjo nga Bucks, që nuk kishin nevojë as për Antetokounmpon në formë të shkëlqyer për të shkatërruar me 38 pikë dallim kundërshtarët nga Florida.

Humbje e rëndë e Oklahoma City Thunder në parketin e Atlanta Hawks 142-126. Edhe pse kishin në përbërje pikëshënuesin më të mirë, Russell Westbrook, që realizoi 31 pikë, Thunder zhgënjyen në fazën mbrojtëse, duke u ndëshkuar me 45 pikë vetëm në çerekun e dytë.

Fitore e lehtë edhe për Indiana Pacers përballë Phoenix Suns me rezultatin 131-97, ndërsa Los Angeles Lakers u kthyen te suksesi, pas dy humbjeve radhazi, duke mposhtur Chicago Bulls 107-100 ende pa yllin e skuadrës LeBron James, që vijon të jetë i lënduar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat