Puna e pedagogut që shënoi historinë 

Basketboll

Puna e pedagogut që shënoi historinë 

Nga: Kemajl Goca Më: 24 shtator 2019 Në ora: 15:04
Jakup Kasapolli

20 vjet të klubit të basketbollit Penza 
Shënimi i një përvjetori është histori e kohës, dëshmi dhe rrumbullakësim i një periode të angazhimit, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në rrethanat e caktuara, e cila shënon  vulën e kohës dhe peshën e kujtimit për punën, kontributin, rezultatin dhe gjithë gamën që ajo kohë ka shënuar si gjurmë për të mos harru kurrë. 

Image

Dhjetor 1996 – nisma e punës me vogëlushe 11-13 vjeç, Jakup Kasapolli majtas Afrimi djathtas.

Këtë vit KB PENZA shënon 20 vjetorin e themelimin e vet. Klubi që mbeti sinonim i sportit kolektiv në qytetin e Pejës për 20 vjet rresht, si simbol i dalë pas shumë vitesh e dekadash të mungesës së basketbollit femëror, si rinisë e re, jo vetëm në këtë degë sportive.

Askush nuk e paramendonte se në Pejën e pasluftës së shkatërruar e të djegur pothuaj tërësisht (nga ajo barbari e çmenduri serbe) do të ketë dikush forcë e vullnet për të mendu e vepru “edhe për sport”. 

Por befas, si meteor, mozaikun e sportit pejan, në vitin 2000 e pasuroi klubi i vajzave të basketbollit Penza. KB Peja kishte refuzu ofertën e prof. Jakup Kasapollit (krijuesit të skuadrës dhe themeluesit të klubit) që skuadra e femrave të  bashkangjitet asaj. Pasi nuk kishte rrugëdalje tjetër rrugëtimi i pavarur ishte forma dhe mënyra e vetme e mbetur pa alternativë. Klubi organizon Kuvendin themelues (e gjitha ishte skenar dhe punë e profesorit), zgjodhi stafin drejtues, emrin e ri të klubit dhe në tetor të vitit 2000 në konkurrencën e 11 skuadrave tjera të ligës së Kosovës nisi aventurën sportive e cila zgjati plot 20 vjet e vazhdon edhe sot e asaj dite.

Por historiku i klubit nuk filloi me organizimin e Kuvendit. Brumi filloi të gatuhet shumë më herët, si embrioni i kësaj  skuadre në kushte dhe rrethana specifike të veprimit kur sportistet shqiptarë ishin të përjashtuar nga institucionet dhe  regjimi serb, Peja, asokohe si qytet i shumë klubeve me të suksesshme në konkurrencën e meshkujve në Kosovë, nuk kishte asnjë skuadër të vajzave nga sportet me top. Ishte pedagogu sportiv Jakup Kasapolli (asokohe Kryetar i LS –Pejë)  që theu këtë tabu, dhe kah fundi i vitit 1996, tuboi mjaftë vogëlushe (të moshës 11-13 vjeç nga disa shkolla të qytetit) për të nisur me ato ABC e basketbollit.

Edhe pse në kushte dhe kohë të vështira, puna (për afër dy vjet) eci mirë deri në vitin 1998, kur rrethanat politike e të sigurisë u vështirësuan aq shumë, saqë jeta e njerëzve në rrugë ishte e pasigurt, kurse vazhdimi i ushtrimeve ishte e rrezikshme dhe ndërprerja e tyre ishte e  paevitueshme.

Por vajzat tashmë ishin “infektu” mjaftueshëm me basketboll dhe insistimi i tyre për të vazhdu puna e ndërprerë në ato kohë të errëta, duhej vazhduar në  rrethana të reja, me relaksuese. E gjithë kjo motivoi edhe profën për vazhdimin e stërvitjeve pandërprerë edhe muajve të verës së nxehtë të vitit 2000. Akti i themelimit të klubit për vajzat ishte nisma e një aventure dhe sfide e bukur që vetëm sporti di të ofroi. 

Dhe saga e gjithë kësaj historie ishte profesori Jakup Kasapolli, njeriu i cili me vullnetin dhe zellin më të madh realizoi një zbraztësi të dekadave të sportit të basketbollit ndër femra në Pejë, pasi ajo kishte pushu së vepruari nga fillimi i viteve të tetëdhjeta. Që nga nisma e tij me 1996, Profa Ishte shumë i afërt me vogëlushe pothuajse fëmijë e me vone me fillimin e garave dhe rrugëtimi i klubit, ato ishin kadetl 15-16 vjeçare që kur nisi rrugëtimi i klubit dhe garat.  
Fal atij, ato filluan të njohin fshehtësitë e sportit, bukurit dhe sfidat që ajo sjellë me udhëtimet, gëzimet dhe zhgënjimet e rezultateve në fushën e lojës. Me kalimin e kohës vërehej ndryshimi në lojë përparimi teknik e taktik po se po, loja dhe përvoja rriteshin nga dita në ditë nga ndeshja në ndeshje.

Image

Gusht 2000, vajzat e gjenerates së parë 15-17 vjeç që rikthyen basketbollin në Pejë pas vitit 1982. Si karakteristikë e radhë e përbërjes ishin motrat Muhaxheri, motrat Dupa dhe motrat Panxha.

Ai, në raport me to,  ishte pothuajse gjithçka: prind, trajner, menaxher i klubit, infermier, psikolog dhe çka mos. Punoi edhe me grupmosha të reja me vite pa asnjë kompensim material, ndihmoi me vit  edhe si ndihmëstrajner i ekipit të parë dhe tani, pas dy dekadave të veprimit sportiv, KB PENZA mbijetoj të gjitha sfidat dhe pengesat që u shfaqën në rrugëtimin e saj. Ajo me punë dhe rezultatet e veta hyri në historinë e sportit pejan e kosovar si meteor që bëri dritë rrugën e sportit femëror.

Rrita e klubit dhe ndërrimi i gjeneratave nga viti në vit klubi u rrit dhe fitoi përvojë të madhe sportive e cila u reflektu edhe me suksese te jashtëzakonshme sportive. Kështu suksesi i parë i këtyre vajzave me gjeneratën e dytë u arrit në vitin 2009 me fitoren e Kupës së Kosovës. Me pastaj Penza disa vite rresht, kishte fjalën kryesore të basketbollit femëror në Kosovë që ato i  rumbullakësoi  duke u stolisur me 8 tituj të republikës (6 fitore të Kupës  dhe 2 tituj kampioni).

Peja gjithmonë kishte sportistë të mirë, individ të jashtëzakonshëm skuadra të mëdha me suksese edhe botërore, por PENZA mbeti një simbol i kolektivit sportiv të rrallë femëror, dhe e vetmja pas luftës së fundit PENZA është ndër klube të rralla në Kosovë që historikun e vet e sportiv e  materializoi edhe me një dokumentar  – libër, edhe kjo punë ishte vepër dhe kontribut i profës Jakup, i cili ne 11 vjetorin e klubit botoi monografiëe Klubi i Basketbollit Penza, me 170 faqe tekst dhe 270 foto të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat