E çuditshme por e vërtetë. Në këto orë kaosi e paniku në Shqipëri për shkak të tërmetit që ka rënë mëngjesin e së martës, ka ndodhur edhe një përplasje mes dy Federatave sportive: Asaj Shqiptare të Basketbollit (FSHB) dhe asaj të Kosovës të Basketbollit (FBK).
Federata Shqiptare e Basketbollit ka konfirmuar që ditën e martë se pavarësisht tërmetit, ndeshja miqësore Shqipëri-Kosovë në basketboll për meshkuj e planifikuar për festën e Pavarësisë, do të luhet rregullisht më 28 nëntor në Shkodër.
Ja postimi i FSHB-së në Facebook: “FSHB solidarizohet me familjet e prekura nga dëmet e tërmetit të sotëm, sidomos me familjet që kanë humbur njerëzit e dashur. Shqipëria duhet të bëhet bashkë për kalimin e kësaj situate! Gjithashtu, FSHB njofton se ndeshja e parashikuar ndërmjet kombëtares së Shqipërisë dhe Kosovës do të zhvillohet sipas programit të parashikuar”.
Gjithsesi, një lajm krejt ndryshe vjen nga Kosova, ku Federata e Basketbollit e Kosovës njofton se kjo ndeshje është shtyrë.
“Ndeshja vëllazërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, e paraparë të zhvillohet më 28 nëntor në Shkodër është shtyrë për një datë tjetër, që do të caktohet më vonë. Përkundër dëshirës së madhe për të shënuar ditën e Pavarësisë së shqiptarëve me një ndeshje vëllazërore, takimi nuk mund të zhvillohet, derisa Shqipëria është prekur nga një tërmet i fuqishëm, ku ka dhjetëra viktima dhe qindra të lënduar.
FBK-ja shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të lënduarve u uron shërim sa më të shpejtë”.