Sporti në zi, shuhet kampioni Todi Janku

Boksi

Sporti në zi, shuhet kampioni Todi Janku

Më: 18 shkurt 2017 Në ora: 00:04
Todi Janku

Sporti shqiptar në zi, në moshën 87 vjecare pas një sëmundje të rëndë u nda nga jeta Todi Janku, legjenda e boksit shqiptar, që mbi ring shkroi një faqe të ndritur në një nga periudhat më të vështira për këtë sport. “Roki Balboa” i Shqipërisë ishte nofka me të cilën Janku njihen në botën e dorezave, ku ishte një kampion i padiskutueshëm në vendin tonë në vitet 50-60, aq sa në vitin 1956 mori dhe titullin “Mjeshtër i Madh” i Boksit, titull që e mban gjithashtu dhe në profesionin e tij si marangoz. I lindur në 8 janar 1930, Thodhori Janku sportin e boksit e ushtroi prej vitit 1952 deri në vitin 1963, ndërsa prej vitit 1956 ka punuar dhe si trajner boksi pranë klubit të Tiranës ndërsa ka qenë dhe kapiten i dorezave bardheblu por dhe kombëtares shqiptare në këtë sport. Më 7 dhjetor 1995 u dekorua nga presidenti me urdhërin “Naim Frashëri”. 

Në karrierën e tij Janku ka një rekord të jashtëzakonshëm me 82 ndeshje në total, të gjitha të fituara dhe 80 prej të cilave me nok aut.  Në vitin 1998 u përzgjodh ndër 10 sportistët e shekullit në Shqipëri, ndërsa 3 herë ka qenë sportisti i vitit në vendin tonë.

Me rastin e Lojrave Olimpike të “Athinë 2004” Koksh e vlerësoi dhe me urdhërin olimpik, ndërsa mban dhe titullin “Mirënjohje e qytetit të Tiranës”. Me ndarjen e tij nga jeta, jo vetëm sporti por dhe shoqëria shqiptare ka humbur një prej njerëzve më të ndritur të sajin, Rokin e vërtetë të ringut kuqezi.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat