Kinë, rigjykim për kanadezin e akuzuar për trafik droge

Bota

Kinë, rigjykim për kanadezin e akuzuar për trafik droge

Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 23:24
Ilustrim

Një gjykatë kineze e apelit u pajtua të shtunën me prokurorët se një dënim me 15 vjet burg për një shtetas kanadez të akuzuar për kontrabandë droge ishte shumë i butë. Gjykata urdhëroi që Robert Lloyd Shellenberg të rigjykohej në qytetin e Dalianit, ku ai fillimisht u gjykua dhe mori dënimin.

Vendimi ka të ngjarë të përkeqësojë marrëdhëniet tashmë të tendosura mes Kanadasë dhe Kinës lidhur me ato që duket të jenë hapa hakmarrëse të ndërmarra nga Kina pasi autoritetet kanadeze arrestuan kryefinancieren e një kompanie teknologjike kineze.

Meng Wanzhou, kryefinanciere e kompanisë Huawei, u arrestua në Vankuver më 1 dhjetor me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, të cilat po kërkojnë ekstradimin e saj në lidhje me dyshimet për shkelje të sanksioneve tregtare të Uashingtonit ndaj Iranit. Pas këtij veprimi, Pekini arrestoi dy qytetarë kanadezë në Kinë për akuza që lidhen me sigurinë kombëtare.

Një qytetare e tretë kanadeze, një mësuese, gjithashtu u arrestua këtë muaj për probleme me vizën, por më vonë u lirua dhe u lejua të kthehej në Kanada, njoftuan të shtunën autoritetet kanadeze.

Schellenberg mund të përballet me një dënim shumë më të rëndë, përfshirë atë me vdekje, kur ai të rigjykohet. Gjykata e apelit vendosi që dënimi me burg i dhënë nga gjykata më e ulët ishte "padyshim i papërshtatshëm", sepse Schellenberg akuzohej për "rol të rëndësishëm" në atë që mund të jetë një rrjet ndërkombëtar i trafikimit të drogës, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Në vitet e fundit Kina ka ekzekutuar qytetarë nga disa vende të huaja, duke përfshirë Britaninë, Japoninë dhe Filipinet, pas dënimeve të lidhura me trafikimin e drogën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat