OKB ankohet për trupat e huaja në Libi - Bota Sot
OKB ankohet për trupat e huaja në Libi

Bota

OKB ankohet për trupat e huaja në Libi

Më: 9 korrik 2020 Në ora: 09:57
Ilustrim

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Guterres u shpreh me nota të zymta për situatën në Libi. Gjashtë muaj pas konferencës për Libinë ai u ankua që disa shtete ndërhyjnë në mënyrë të përsëritur në luftime.

"Koha nuk është në favorin tonë," tha António Guterres në videokonferencën e Këshillit të Sigurimit të OKB. Më shumë se 400,000 vetë janë larguar tashmë nga dhuna në këtë vend të mbërthyer nga kriza. Vetëm në tre muajt e fundit, më shumë se 100 civilë janë vrarë dhe rreziku i një përshkallëzimi tjetër është i afërt.

Në të njëjtën kohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB theksoi se nuk duhen t'i humbasim shpresat për përfundimin e konfliktit. Ai u shpreh për krijimin e një zone të çmilitarizuar dhe tha që Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë drejt një armëpushimi dhe të kërkojnë zgjidhje diplomatike.

MPJ gjerman kërkon të merren masa

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas u ankua gjithashtu për pjesëmarrjen e vendeve të tjera në konflikt. Ai kërkoi që shtetet e huaja t'i japin fund aksioneve të tyre me aeroplanë, tanke, kamionë dhe anije të ngarkesave plot armë. "Ne do të përdorim masat që kemi në dispozicion për të siguruar që Libia  të mos jetë më fushë beteje e një lufte ndërkombëtare - dhe këtu përfshihen edhe sanksione të qëllimshme", tha Maas. Ai bëri thirrje që palët në konflikt të bashkohen me misionin mbështetës të OKB, UNSMIL.

Përçarë në shumë fise

Situata në Libi është e paqëndrueshme prej rreth një dekade. Pas rënies me ndihmën e Perëndimit të sundimtarit Muamar al-Gaddafi, vendi u përça në territore të ndryshme fisnore. Palët ndërluftuese aktualisht më trëndësishme drejtohen nga gjenerali Khalifa Haftar, i cili e ka bazën e tij të pushtetit në lindje, dhe nga kryeministri libian Fajis al-Sarradsh me qendër në Tripoli.

Image

Haftar merr mbështetje nga Rusia, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Pas një sulmi të pasuksesshëm në kryeqytetin e vendit Tripoli, trupat e tij tani janë tërhequr prej më shumë se një viti në qytetin port Sirte. Al-Sarradshin e mbështet anëtarja e NATO-s Turqia, e cila po ndërhyn gjithnjë e më shumë ushtarakisht në Libi me sisteme të mbrojtjes ajrore, dronë luftarakë, ushtarë dhe mercenarë.

Mungojnë mjetet për të bërë presion

Gjermania, si anëtare jo e përhershme e Këshillir të Sigurimit, është këtë muaj kryesuese e tij dhe për këtë arsye mund të paraqesë për tema për diskutim. Organi më i lartë i Kombeve të Bashkuara  zgjati kohët e fundit embargon e armëve kundër Libisë, e cila është në fuqi për më shumë se nëntë vjet, dhe mbështeti me rezolutë rezultatet e konferencës së Berlinit për Libinë gjatshtë muaj më parë. Sidoqoftë, Rusia abstenoi nga votimi. Dhe në rast të shkeljes së rezolutës nuk parashikohen sanksione - një mjet i rëndësishëm ky për presion për të siguruar respektimin e tyre.

Prandaj për momentin është e vështirë të bëhen parashikime. Edhe Ministri i Jashtëm gjerman e pranoi këtë duke thënë se "gjetja e një zgjidhjeje politike për konfliktin në Libi nuk do të jetë e lehtë"./DW/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat