Bisedimet për programin atomik - Irani insiston për eksportet e naftës

Bota

Bisedimet për programin atomik - Irani insiston për eksportet e naftës

Më: 28 dhjetor 2021 Në ora: 09:06
Foto ilustrim

Perëndimi do ta pengojë Teheranin në ndërtimin e armëve bërthamore. Republika Islamike në fillim të raundit të ri të bisedimeve formulon kushtet e saj.

Irani hyn në raundin e ri të bisedimeve për riaktivizimin e marrëveshjes ndërkombëtare të vitit 2015 për programin bërthamor me kërkesën për shfuqizimin e sanksioneve të SHBA-së.  "Qëllimi minimal i këtij raundi bisedimesh duhet të jetë rinormalizimi i eksporteve iraniane të naftës dhe aksesi tek paratë e naftës në bankat e huaja", tha ministri i Jashtëm iranian Hussein Amirabdollahian në Teheran. Gjatë bisedimeve në Vjenë që nga e hëna (27.12) sërish po diskutohet për kufizimin e programit bërhtmor të Iranit të kërkuar nga Perëndimi. Qëllimi është që të pengohet Republika Islamike në ndërtimin e armëve bërthamore.

Uashingtoni më 2018 nën drejtimin e ish-presidentit Donald Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja për armët bërthamore dhe vendosi sanksione ndaj Iranit. Embargoja e naftës dhe kufizimet në qarkullimin e pagesave i kanë hequr Iranit burimin më të rëndësishëm të të ardhurave. Duke iu kundërvënë këtyre masave Irani pas një afati pritjeje një vjeçare gradualisht i tejkaloi vijat e kuqe të përcaktuara nga marrëveshja. Ndër të tjera uraniumi tani pasurohet deri në kuotën 60 përqind. Kjo kuotë është fare pranë përqindjes së pastërtisë së uranimut të nevojshëm për kapsulat shpërthyese atomike.

Ndonëse kreu i programit bërthamor iranian Mohammed Eslami e ka përjashtuar pasurimin deri në 90 përqind të uraniumit të përshtatshëm për armë bërthamore edhe nëse bisedimet dështojnë, SHBA megjithatë bëjnë fjalë për sanksione të tjera, në rast se nuk arrihet një kompromis.

Ndër pikat e mosmarrëveshjeve, që duhen zgjidhur në Vjenë, janë jo vetëm hapat për çtensionim nga të dyja palët, por edhe rendi i këtyre hapave që duhen ndërmarrë. Irani kërkon, që SHBA fillimisht të tërheqë sanksionet dhe insiston për garanci, që Uashingtoni të mos tërhiqet sërish nga marrëveshja.

Deri tani në shtatë raundet e bisedimeve Irani dhe SHBA-ja nuk kanë mundur të arrijnë në marrëveshje pavarësisht përpjekjeve për ndërmjetësim nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe Kina. Përfaqësues të SHBA-së nuk marrin pjesë direkt as në raundin e ri që po zhvillohet në kryeqytetin e Austrisë, por ata janë të lidhur me bisedimet në mënyrë indirekte./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat