Edhe aleatët kanë filluar t’ia kthejnë “shpinën” Putinit

Bota

Edhe aleatët kanë filluar t’ia kthejnë “shpinën” Putinit

Më: 27 shtator 2022 Në ora: 16:48
Vladimir Putin

Ndërsa fillimi i agresionit të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin në fund të shkurtit shkaktoi kritika dhe sanksione të gjera, disa vende i ruajtën lidhjet me Rusinë, ose të paktën nuk e dënuan drejtpërdrejt veprimin e Moskës zyrtare.

Sidoqoftë, tejzgjatja e sulmit ushtarak – rreth 7 muaj nga fillimi i luftës – dhe kundërofensivat e fundit ukrainase, të cilat kanë rritur shpresën për një fitore kundër Rusisë, bënë që disa nga aleatët më besnik “t’i kthejnë shpinën Putinit”.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka punuar për të krijuar një koalicion global për të izoluar Rusinë dhe për të bërë presion ndaj Putinit që t’i japë fund luftës, dhe kritikat e fundit ndaj Rusisë tregojnë se strategjia e udhëheqësit amerikan mund të funksionojë.

Lideri rus njoftoi një mobilizim të pjesshëm javën e kaluar, dhe mbështeti planet për referendume në 4 rajone të kontrolluara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore, rezultatet e të cilave janë kundërshtuar ashpër nga udhëheqësit perëndimorë dhe Ukraina. Megjithatë, përplasja me Perëndimin nuk është i vetmi. Putini po përballet me rezistencë edhe nga një prej aleatëve të tij, ish-anëtari i Bashkimit Sovjetik, Kazakistani.

Ministria e Jashtme e Kazakistanit tha të hënën se nuk do të njohë aneksimin e mundshëm rus të rajoneve lindore të Ukrainës përmes referendumeve. Dhe kjo nuk është hera e parë që Kazakistani, i cili, së bashku me Rusinë, është anëtar i Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) të stilit të NATO-s, nuk mbështet pozicionet ruse për aspekte të luftës.

Në qershor, presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev tha se Kazakistani nuk do të njihte pavarësinë e vetëshpallur të dy zonave separatiste të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore. Ai gjithashtu bëri thirrje për bisedime paqeje Rusi-Ukrainë dhe ofroi ndihmë me ndërmjetësim, sipas mediave shtetërore ruse.

Veç Tokayev, edhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili ka mbajtur lidhje diplomatike dhe ekonomike me Rusinë që nga fillimi i luftës, i tha Judy Woodruff të PBS në një intervistë javën e kaluar se Rusia nuk duhet të lejohet të mbajë asnjë nga territoret ukrainase që ka pushtuar. Erdogan madje theksoi gjithashtu se pushtimi “nuk mund të justifikohet”.

Ndërkohë, pas njoftimit të mobilizimit, presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko sqaroi se trupat bjelloruse nuk do të mobilizoheshin së bashku me ato të Rusisë, duke e lënë Putinin të merret i vetëm me mungesën e ushtarëve.

Një tjetër goditje për Rusinë ishin kritikat e ashpëra për agresionin në Ukrainënë Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e kaluar, për agresionin në Ukrainë. Vendet e OKB-së i bënë thirrje Moskës t’i japë fund dhunës. Sidoqoftë, ka ende vende miqësore me Rusinë ose neutrale në pushtim, si Brazili dhe India, të cilat shprehën dëshirën që lufta të përfundojë, raportoi Associated Press.

Ministri indian i Punëve të Jashtme S. Jaishankar bëri thirrje për hetime “objektive dhe të pavarura” për shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut dhe të ligjit ndërkombëtar. Ai përmendi në mënyrë specifike vrasjet e supozuara ruse në qytetin ukrainas Bucha, ku ushtria e Putinit është akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës.

“Edhe një numër vendesh që mbajnë lidhje të ngushta me Moskën kanë thënë publikisht se kanë pyetje dhe shqetësime serioze në lidhje me pushtimin e vazhdueshëm të Presidentit Putin”, tha javën e kaluar Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Gjatë një takimi të krerëve të shteteve në Uzbekistan javën e kaluar, kryeministri indian Narendra Modi u pa i distancuar nga Putini, të cilit më vonë i bënte thirrje t’i vinte gishtin kokës pasi “epoka e sotme nuk është e luftës”. Një bashkëpunëtor i lartë i Institutit Brookings dhe Drejtor i “The India Project”, Tanvi Madan, përmendi dëshirën e udhëheqësve indian shprehur Putinit për të lëvizur drejt një “rruge paqeje”. Megjithëse ata kërkojnë ruajtjen e raporteve të mira dhe aleancës ruso-indiane.

India është një partner vendimtar për Putinin dhe blerjet e saj të naftës nga Rusia kanë kompensuar të paktën pjesërisht pasojat ekonomike me të cilat u përball Putini që nga fillimi i luftës. Megjithëse India nuk e ka mbështetur apo miratuar publikisht pushtimin e Rusisë, dhe abstenoi nga votimi kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë në prill që kërkonte që Rusia të pezullohej nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut për sulmin në Ukrainë.

Në mbledhjen e OKB-së javën e kaluar, aleati kryesor i Putinit, Bjellorusia foli në mbështetje të Rusisë, por gjithashtu bëri thirrje për përfundimin e luftimeve që ajo e përshkroi si një “tragjedi”. Ndërsa Kina, e cila ka vazhduar të blejë naftë ruse në mes të luftës dhe ka votuar kundër rezolutës së OKB-së në prill, tha se lehtësimi i bisedimeve të paqes ishte një “prioritet i ngutshëm”.

“Kina mbështet të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës në Ukrainë”, tha ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, sipas The Guardian.

Në një bisedë telefonike në qershor, presidenti kinez Xi Jinping u zotua të vazhdojë “mbështetjen reciproke të Kinës me Rusinë për çështjet që kanë të bëjnë me interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore, si sovraniteti dhe siguria, dhe të thellojë koordinimin strategjik midis dy vendeve”. Pavarësisht këtij riafirmimi të lidhjeve Rusi-Kinë, muaj pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, Putin pranoi në samitin e Uzbekistanit javën e kaluar se udhëheqësi kinez kishte shprehur “pyetje dhe shqetësim” për luftën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat