LIVE: Jo vetëm në Ukrainë, alarmon Amerika - paralajmërohet rrezik për luftë të re!

Bota

LIVE: Jo vetëm në Ukrainë, alarmon Amerika - paralajmërohet rrezik për luftë të re!

Nga: BOTA SOT Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 08:22 Përditësuar në ora: 23:35 më 09.12.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

“Po kërcënojnë sigurinë globale!”- Ministri britanik pë marrëveshjet Rusi-Iran: Vendet të mbajnë përgjegjësi

Marrëveshjet midis Rusisë dhe Iranit po kërcënojnë sigurinë globale, tha sot sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar James Cleverly i cili ndau deklaratën e tij në vazhdën e publikimit të informacionit nga SHBA, që tregon se Irani është bërë një nga mbështetësit kryesorë ushtarakë të Rusisë.

Ky informacion detajon shtrirjen e mbështetjes ushtarake të Iranit për luftën e paligjshme të Rusisë në Ukrainë, duke përfshirë sigurimin e qindra dronëve.

“Irani është tani një nga mbështetësit kryesorë ushtarakë të Rusisë. Marrëveshjet e tyre kanë bërë që regjimi iranian të dërgojë qindra dronë në Moskë, të cilët janë përdorur për të sulmuar infrastrukturën kritike të Ukrainës dhe për të vrarë civilë”, tha ai.

“Në këmbim, Rusia po ofron mbështetje ushtarake dhe teknike për regjimin iranian, i cili do të rrisë rrezikun që ai paraqet për partnerët tanë në Lindjen e Mesme dhe për sigurinë ndërkombëtare. Britania e Madhe do të vazhdojë të ekspozojë këtë aleancë të dëshpëruar dhe t’i mbajë të dyja vendet përgjegjëse.”

Stoltenberg paralajmëron për rrezikun e përhapjes së konfliktit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu shqetësimin se luftimet në Ukrainë mund të dalin jashtë kontrollit dhe të shndërrohen në një luftë midis Rusisë dhe NATO-s, sipas një interviste të trasnmetuar të premten.

"Nëse gjërat shkojnë keq, situata mund të përshkallëzohet më tej," tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në komentet për televizionin norvegjez NRK.

"Lufta në Ukrainë është e tmerrshme dhe ekziston rreziku që të shndërrohet në një luftë të madhe midis NATO-s dhe Rusisë," tha ai. "Ne po punojmë çdo ditë për ta shmangur një gjë të tillë."

Sekretari Stoltenberg, ish-kryeministër i Norvegjisë, tha në intervistë se "nuk ka dyshim se ekziston mundësia për një luftë më të madhe", duke shtuar se ishte e rëndësishme të shmangej një konflikt "që do të përfshinte vende të tjera në Evropë."

Kremlini ka akuzuar vazhdimisht aleatët e NATO-s se janë bërë efektivisht një palë në konflikt duke i ofruar Ukrainës armë, duke trajnuar trupat e saj dhe duke ndihmuar me informacione zbulimi për të sulmuar forcat ruse.

Në komentet që pasqyrojnë tensione në rritje mes Rusisë dhe Perëndimit, Presidenti Vladimir Putin sugjeroi se Moska mund të mendojë për përdorimin e atij që ai e cilësoi si konceptin amerikan për një sulm parandalues.

"Nëse flasim për një goditje çarmatosëse, ndoshta ia vlen të mendohet për miratimin e ideve të zhvilluara nga homologët tanë amerikanë, idetë e tyre për të garantuar sigurinë e tyre," tha ai.

Shumë përpara fillimit të agresionit në Ukrainë, Kremlini kishte shprehur shqetësimin për përpjekjet amerikane për të zhvilluar të aftësinë e Goditjes së Menjëhershme Globale që parashikon goditjen e objektivave strategjikë të një kundërshtari me armë konvencionale me precision të lartë kudo në botë brenda një ore./VOA

Presidenti Biden autorizon 275 milionë dollarë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën

Presidenti amerikan Joe Biden autorizoi të premten një ndihmë të re ushtarake prej 275 milionë dollarësh për Ukrainën duke ofruar armë të reja kundër dronëve dhe ato të mbrojtjes ajrore, thuhet në në njoftim të Shtëpisë së Bardhë.

Ndihma e re përfshin gjithashtu municion për armët e artilerisë së rëndë, “HIMARS”, të prodhuara nga kompania Lockheed Martin, automjete ushtarake “Humvee” dhe rreth 150 gjeneratorë, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Kjo është hera e 27-të që përdoret Autoriteti presidencial për Ukrainën, i cili lejon Shtetet e Bashkuara të transferojnë pajisje dhe armë nga rezervat e saj me shpejtësi dhe pa miratimin e Kongresit në përgjigje të një emergjence.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se pajisjet ishin "nisur" drejt Ukrainës.

Por nuk ka shumë detaje për dy sisteme, ato të "armëve të mbrojtjes ajrore" dhe "sistemet kundër ajrore pa pilot", që duket se do të jenë kapacitete të reja për Ukrainën.

Rritja e sulmeve me raketa të Rusisë në Ukrainë pjesërisht ka për qëllim të pakësojë arsenalin kundër ajror të Kievit dhe të arrijë dominimin ajror mbi vend, tha një zyrtar i lartë i Pentagonit në nëntor.

Për t'iu kundërvënë këtyre sulmeve, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar sisteme të sofistikuara kundërajrore “NASAMS” në Ukrainë, të cilat kanë filluar të përdoren në javët e fundit.

Uashingtoni njoftoi më parë se po dërgonte katër sisteme të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër veprimi, “Avenger”, dhe raketa interceptuese “HAWK”.

Aleatët e Shteteve të Bashkuara kanë dërguar gjithashtu sisteme të mbrojtjes ajrore në Ukrainë.

Që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt, të cilin Moska e quan një "operacion special ushtarak", Shtetet e Bashkuara kanë dërguar atje rreth 19.3 miliardë dollarë në ndihma ushtarake./VOA

Perëndimi vendosi kufirin mbi naftën ruse, Putin: Vendim idiot, çmimet do shkojnë në qiell për këto vende

Rusia mund të ulë prodhimin e naftës dhe do të refuzojë t’ia shesë çdo vendi që vendos kufirin e çmimit të Perëndimit për naftën ruse, ka thënë presidenti rus Vladimir Putin.

G7 dhe Australia ranë dakord javën e kaluar për një kufi të çmimit prej 60 dollarësh për fuçi për naftën bruto ruse në det, pasi anëtarët e Bashkimit Evropian mposhtën rezistencën nga Polonia.

“Sa i përket reagimit tonë, unë kam thënë tashmë se ne thjesht nuk do t’u shesim atyre vendeve që marrin vendime të tilla,” tha Putin në Bishkek, ndërsa shtoi se “do të mendojmë, ndoshta edhe për mundësinë e reduktimit të prodhimit”.

Putin tha se Rusia kishte një marrëveshje me OPEC (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës) për prodhimin, kështu që një hap i tillë drastik ishte ende vetëm një mundësi.  “Ne po mendojmë për këtë, nuk ka ende zgjidhje. Hapat konkretë do të përshkruhen në dekretin e presidentit të Rusisë, i cili do të publikohet në ditët në vijim,” tha ai.

Putin shtoi më tej se Moska nuk do të humbasë nga kufiri i çmimeve të Perëndimit dhe se financat e qeverisë do të qëndrojnë në vijë, ndërsa nuk ngurroi ta cilësonte këtë vendim të Perëndimit si “idiot”, ndërsa shtoi se çmimet e energjisë do të “rriten në qiell” për ata që vendosën kufijtë.

SHBA: Rusia po zgjeron arsenalin e saj bërthamor

Rusia po zgjeron arsenalin e saj bërthamor, tha të premten Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, në kohën kur presidenti rus Vladimir Putin disa herë ka sugjeruar se ai mund të përdorte armë bërthamore “për të mbrojtur Rusinë”.

Rusia gjithashtu po modernizon dhe zgjeron arsenalin e saj bërthamor”, tha Austin në ceremoninë për komandantin e ri të Komandës Strategjike të SHBA, e cila mbikëqyr arsenalin bërthamor të vendit.

“Derisa Kremlini vazhdon luftën e tij mizore dhe të paprovokuar kundër Ukrainës, e gjithë bota e ka parë Putinin të përfshihet në vringëllimën e papërgjegjshme me armë bërthamore”, shtoi Austin, raporton Reuters.

Presidenti rus Vladimir Putin, më 7 dhjetor, deklaroi se rusët “do të mbrohen me të gjitha mjetet në dispozicion”.

Ai tha se rreziku i një lufte bërthamore po rritet, por se Rusia e sheh arsenalin e saj “si një mjet hakmarrjeje dhe jo që të sulmojë e para”.

“Ne i kemi këto mjete në një formë më të avancuar dhe më moderne se çdo vend tjetër bërthamor, por ne nuk do të vrapojmë nëpër botë duke i tundur këto armë si brisk”, tha Putin.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt, mijëra njerëz janë vrarë, miliona janë zhvendosur, qytete të shumta ukrainase janë shkatërruar, sikurse dhe një pjesë e madhe e infrastrukturës së vendit, ndërkaq ekonomia globale është tronditur./REL

Holanda shpërthen ndaj Serbisë dhe i bën thirrjen e fortë BE-së

Holanda kërkon që Komisioni Europian t’i ndërprejë negociatat me Serbinë për anëtarësim në BE. Politikanët holandezë kërkojnë që të pezullohet udhëtimi pa viza i serbëve nëse Beogradi vazhdon ta ndjekë kursin e tij duke mos i vënë sanksione Rusisë.

Mediumi holandez, NOS, raporton se VVD dhe PvdA, dy partitë politike në Amsterdam, duan që në Bruksel të propozohet një procedurë e re e pranimit të kandidatëve për anëtarësim në BE. 

Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkim Europian dhe për këtë arsye merr miliarda euro ndihme, ka shkruar deputeti i VVD-së, Van Wijngaarden. Në një mocion që ai do ta paraqesë sot bashkë me PvdA-në, palët shkruajnë se Komisioni Europian duhet të jetë në gjendje të merret me kandidatët për anëtarësim që nuk përshtaten me politikën e jashtme të Brukselit.

“Serbia dëshiron të mbetet në favor të Rusisë dhe në të njëjtën kohë të bëhet anëtare e BE-së, me fjalë të tjera ta hajë atë në të dyja mënyrat”, tha anëtari i VVD-së, Van Wijngaarden. “Përveç kësaj, ata duan ta mbajnë udhëtimin pa viza, por vendi gjithashtu vepron si një port tranziti për migrantët e paligjshëm. Nëse qeveria serbe vazhdon ta ndjekë këtë kurs, si procesi i anëtarësimit në BE ashtu edhe udhëtimi pa viza për serbët duhet të pezullohet”.

Sipas deputetit të PvdA, Piri, politika e jashtme e përbashkët është një “reflektim i vlerave mbi të cilat është themeluar BE-ja: promovimi i demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut”. Nëse një vend kandidat ka probleme me këto parime bazë, thotë se është “vetëm logjike të nxirren pasoja”.

Çfarë po ndodh në Estoni? NATO në gatishmëri, merret vendimi i rëndësishëm

Shtetet e Bashkuara do të dislokojnë numër shtesë të pjesëtarëve të këmbësorisë në Estoni “gjatë javëve në vijim” me qëllim që të forcohet mbrojtja në krahun lindor të NATO-s, thanë zyrtarët e mbrojtjes së Estonisë.

Ky dislokim konsiston në një grup të këmbësorisë amerikane – një njësit që zakonisht përbëhet nga 80 deri më 250 ushtarë – u tha në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes të Estonisë. Së bashku me ushtarët do të dërgohen edhe sisteme raketore të lëvizshmërisë së lartë, të njohur si HIMARS, por edhe pajisje të tjera ushtarake. “Ky vendim shënon një shtim të konsiderueshëm të pranisë ushtarake të SHBA-së në Estoni dhe në shtetet e Baltikut, duke dëshmuar përkushtimin afatgjatë të SHBA-së sa i përket sigurisë së rajonit tonë dhe njëkohësisht duke forcuar mbrojtjen e NATO-s”, tha ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur.

Javën e kaluar, Estonia – që gjendet në kufi me Rusinë – tha se do të marrë sisteme HIMARS për të forcuar kapacitetet e saj të mbrojtjes. Blerja e këtyre sistemeve është projekti më i madh i mbrojtjes i këtij shteti, që kap vlerën prej mbi 200 milionë dollarëve.

Përmes një deklarate të ndarë, Ambasada amerikane në Tallin tha se trupat amerikane janë pjesë e trupave të NATO-s që diskohen përmes rotacionit. Për dislokimin e këtij kontingjenti, NATO ishte pajtuar gjatë samitit të mbajtur më herët gjatë këtij viti në Madrid.

SHBA jep alarmin, lufta në Ukrainë mund të përfshijë dhe vende të tjera, reagon Rusia

Mesa duket sulmet e Ukrainës në territorin rus e kanë shqetësuar presidentin amerikan Joe  Biden. Pak ditë më parë Shtëpia e Bardhë ka raportuar se po ndjek me vëmendje të madhe zhvillimet e fundit midis dy vendeve. Por sulmet e Ukrainës në territorin rus kanë krijuar goxha panik pasi sipas zyrtarëve amerikan këto sulme mund të bëhen shkak për përshkallëzim të luftës madje duke përfshirë dhe vende të tjera. Ndaj dhe këshilltarët e presidentit amerikan e kanë këshilluar herë pas herë Kievin që të fokusohet vetëm në mbrojtjen e territorit të tij.

Alarmohet SHBA

Në lidhje me spekulimet e inkurajimit të Ukrainës nga ana e SHBA-së zëdhënësi i këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA John Kirby  tha se  SHBA ka qenë e përkushtuar për t’u siguruar ukrainasve mjetet për të mbrojtur shtetin e tyre dhe për të shmangur çdo përshkallëzim të luftës. Ai tha se janë ukrainasit ata që marrin vendimet e tyre për këtë gjë. Më pas ai shtoi se SHBA ka qenë gjithmonë e qartë në vendimet që ka marrë dhe për deklaratat e bëra, por ata nuk i kanë inkurajuar kurrë ukrainasit që të godasin Rusinë.‘Ne jemi të përkushtuar të sigurojmë që ukrainasit të kenë mjetet për të mbrojtur veten dhe për të shmangur çdo përshkallëzim të luftës, por në fund janë ukrainasit ata që marrin vendimet e tyre. Ne kemi qenë gjithmonë të qartë dhe nuk i inkurajuam ata të godasin në të gjithë kufiri me Rusinë ", tha ai.

Reagon Rusia

Nuk ka vonuar dhe kundërpërgjigjja e palës ruse në lidhje me ndihmë e SHBA ndaj Ukrainës. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka deklaruar se synimet e SHBA-së për të "forcuar pozitën e Kievit" do të çojnë vetëm në "shkatërrimin e Ukrainës"."SHBA-ja po e furnizon me armë për të shkatërruar vendin për të cilin ata janë kujdesur (Ukrainën) për shumë vite. Kjo është një kontradiktë kaq jetike. Ata duket se duan të forcohen dhe forcohen, por gjithçka çon në rezultat të kundërt. Pozicioni i Uashingtonit, që mbështetet në fryrjen e konfliktit, çon në shkatërrimin e Ukrainës", tha Zakharov. Ajo theksoi gjithashtu se Uashingtoni ka në plan të nxisë armiqësitë në Ukrainë që do të çonte në zhvillimin e luftës të paktën deri në fund të vitit 2025. “Uashingtoni planifikon të nxisë armiqësitë në Ukrainë të paktën deri në fund të vitit 2025. Plani i tyre bazohet në dokumente që ata nuk ia fshehin askujt, të cilat kanë lidhje me armët”, theksoi Zakharova. Mëpas ajo shtoi se administrata Biden synon të bindë Kongresin që të përfshijë mbështetje shtesë për Kievin në shumën prej 37 miliardë dollarësh në buxhetin për vitin 2023 dhe se pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të dedikohen për ushtrinë ukrainase. Kujtojmë se Kongresi amerikan  ka miratuar  tashmë propozimin e Ligjit për politikën e mbrojtjes kombëtare për vitin 2023, me një vlerë totale prej 858 miliardë dollarësh, në bazë të të cilit vitin e ardhshëm në Ukrainë do të dërgohet një paketë e re e ndihmës për sigurinë.

Pushtimi i Rusisë në Ukrainë

Më 24 shkurt 2022, Rusia e pushtoi Ukrainën në një përshkallëzim të madh të Luftës Ruso-Ukrainase, e cila filloi në vitin 2014. Pushtimi filloi në mëngjesin e 24 shkurtit, kur presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një “operacion special ushtarak” që synonte “çmilitarizimin” dhe “denazifikimin” e Ukrainës. Në fjalimin e tij, Putin i përkrahu pikëpamjet irredentiste, sfidoi të drejtën e Ukrainës për shtetësi dhe pretendoi në mënyrë të rreme se Ukraina qeverisej nga neo-nazistët që persekutonin pakicën etnike ruse. Disa minuta më vonë, raketa dhe sulme ajrore goditën Ukrainën, duke përfshirë kryeqytetin Kiev, të ndjekur nga një pushtim i madh tokësor nga drejtime të shumta. Si kundërpërgjigje ndaj këtij agresioni, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e miratoi ligjin ushtarak dhe mobilizimin e përgjithshëm. Pushtimi u dënua ndërkombëtarisht si një luftë agresioni. Një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kërkoi një tërheqje të plotë të forcave ruse, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Rusinë të pezullonte operacionet ushtarake dhe Këshilli i Evropës dëboi Rusinë. Shumë vende vendosën sanksione të reja, të cilat prekën ekonomitë e Rusisë dhe të botës dhe ofruan ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën.

Fillon strategjia e re Rusisë, ja çfarë zbulon fjalimi bombastik i Vladimir Putinit për armët bërthamore dhe Ukrainën

Duke folur në një takim të Këshillit Rus për të Drejtat e Njeriut në Kremlin, Putin tha se Moska do të luftojë "me të gjitha mjetet e disponueshme në dispozicionin tonë" në atë që ai vazhdoi ta quante "operacion ushtarak special", por gjithashtu tha se nuk e sheh urgjentisht të mobilizohen më shumë trupa. Deklarata e Putinit se lufta "mund të jetë një proces i gjatë" përfaqëson një largim domethënës nga retorika e Kremlinit në fillim të pushtimit në shkurt. Por ai tha se Rusia u bë më e madhe duke aneksuar territorin ukrainas. Në shtator, Kremlini shpalli katër provinca të Ukrainës pjesë të Rusisë, të cilat pjesa më e madhe e botës i ka shpallur të paligjshme. “Ky është një rezultat i rëndësishëm”, tha Putin. “Në këto kushte, të flitet për disa përpjekje shtesë për mobilizim nuk ka kuptim. Nuk ka nevojë për këtë për shtetin dhe Ministrinë e Mbrojtjes”, tha lideri rus. Se si Rusia mund të përballet me detyrën e zhvillimit të një lufte të zgjatur pa angazhuar më shumë njerëz për të luftuar është e paqartë, megjithëse Kremlini thotë se shumë nga ushtarët e rekrutuar në shtator nuk e kanë parë ende fushën e betejës. Putin tha se gjysma e 300,000 të thirrurve për të luftuar në Ukrainë si pjesë e draftit janë ende duke u stërvitur jashtë zonave luftarake. Rreth 77,000 rekrutët janë të angazhuar në luftime në Ukrainë, tha ai, dhe të tjerë shërbejnë në njësitë e mbrojtjes territoriale ose ndihmojnë në stërvitje.

Armë nukleare

Putin gjithashtu ka minimizuar mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore, pavarësisht kërcënimeve të tij të fshehura në të kaluarën se ishte një opsion në Ukrainë. Putin hodhi poshtë kritikat perëndimore se komentet e tij të mëparshme mbi armët bërthamore përbënin "tronditje armësh". Pa përjashtuar kategorikisht përdorimin e parë të armëve bërthamore, Putin tha se ai e sheh arsenalin bërthamor të Rusisë si një parandalues , jo një provokim. “Sa i përket idesë se në asnjë rrethanë Rusia nuk do të ishte e para që do të përdorte një armë të tillë, atëherë kjo do të thoshte se ne nuk mund të ishim as të dytët që do ta përdornin atë sepse mundësia për ta bërë këtë në rast të një sulmi ndaj tonë territori do të ishte shumë i kufizuar”, tha ai. “Sidoqoftë, ne kemi një strategji... domethënë, si mbrojtje, ne konsiderojmë armët e shkatërrimit në masë, armët bërthamore, gjithçka bazohet në të ashtuquajturin sulm hakmarrës. Domethënë, kur goditemi, ne kundërpërgjigjemi”, tha Putin Udhëheqësi rus u shpreh se armët bërthamore të Shteteve të Bashkuara gjenden në një numër të madh në tokën evropiane, ndërsa Rusia nuk i ka transferuar armët e saj bërthamore në territore të tjera dhe nuk ka plane ta bëjë këtë, por "do t'i mbrojë aleatët e saj me të gjitha mjetet, nëse e nevojshme." Nuk jemi çmendur. Ne jemi të vetëdijshëm se çfarë janë armët bërthamore. Ne i kemi këto asete, ato janë në një formë më të avancuar dhe moderne se çdo vend tjetër bërthamor, kjo është e qartë. Por ne nuk do ta përdorim këtë armë si një brisk, duke vrapuar nëpër botë”, tha Putin.

Toni imperialist

Putin shprehu një ton imperialist në fjalimin e tij. Ai e krahasoi veten me Pjetrin e Madh, duke vënë në dukje se Rusia kontrollon Detin e Azov, për të cilin luftoi edhe perandori rus, shkruan Instituti për Studimin e Luftës. Kjo referencë në historinë perandorake të Rusisë i pozicionon në mënyrë eksplicite qëllimet aktuale të Putinit në Ukrainë si haptazi imperialiste dhe ende maksimaliste. Putin po kushtëzon audiencën e brendshme të Rusisë që të presë një luftë të zgjatur dhe të vështirë në Ukrainë, ndërsa ai vazhdon të kërkojë pushtimin e një territori shtesë ukrainas. ISË tha se Putini nuk ishte i gatshëm të bënte një pushim të përkohshëm nga luftimet për t'u rigrupuar, siç sugjeroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s mund të bënte Kremlini. “Fiksimi aktual i Putinit për vazhdimin e operacioneve sulmuese rreth Bakhmutit dhe gjetkë kontribuon në aftësinë e Ukrainës për të mbajtur iniciativën ushtarake diku tjetër”. Sukseset e vazhdueshme operacionale të Ukrainës varen nga aftësia e forcave ukrainase për të vazhduar operacionet e njëpasnjëshme gjatë gjithë dimrit 2022-2023 pa ndërprerje”, thuhet në njoftimin e ISW.

Bashkimi Evropian “izolon” edhe më shumë Vladimir Putinin, miraton paketën e radhës të sanksioneve për Rusinë

Bashkimi Evropian po izolon edhe më shumë Vladimir Putinin në arenën ndërkombëtare. Sanksionet e hekurta për Carin sa vijnë e shtohen dhe kjo e çon Rusinë në humnerë. Dje BE shtoi 200 individë e subjekte të tjera në listën e sanksioneve dhe të vendosë sanksione kundër tre bankave të tjera ruse në përpjekje për të rritur presionin kundër Moskës.

Shefja e Komisionit Evropian renditi shtresat që prekin sanksionet. Sanksionet përfshijnë forcat e armatosura ruse, si dhe oficerë individualë dhe kompani industriale të mbrojtjes, anëtarë të Dumës Shtetërore dhe Këshillit të Federatës, ministra, guvernatorë dhe partitë politike,” tha ajo.

Von der Leyen vuri në dukje se ata gjithashtu propozojnë vendosjen e sanksioneve kundër tre bankave të tjera ruse, duke përfshirë një ndalim të plotë transaksioni në Bankën Ruse të Zhvillimit Rajonal. “Dhe së treti, ne duam gjithashtu të vendosim kontrolle dhe kufizime të reja të eksportit. Kjo përfshin kimikate kryesore, agjentë nervorë, elektronikë dhe komponentë IT që mund të përdoren nga makina ruse e luftës,” tha ajo.

Ajo njoftoi gjithashtu se kjo paketë synon të shkurtojë aksesin e Rusisë në të gjitha llojet e dronëve dhe mjeteve ajrore pa pilot, pasi ato propozojnë të ndalojnë eksportet e drejtpërdrejta të motorëve të dronëve në Rusi dhe eksportet në çdo vend të tretë si Irani, që mund të furnizojë dronët në Rusi. Paketa përfshin gjithashtu shënjestrimin e makinerisë së propagandës ruse duke hequr katër kanale shtesë nga ajri dhe masa të mëtejshme ekonomike kundër sektorit të energjisë dhe minierave të Rusisë, duke përfshirë ndalimin e investimeve të reja minerare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat