Humbën në xhungël pas rrëzimit të avionit, gjenden të gjallë pas 40 ditësh katër fëmijët

Bota

Humbën në xhungël pas rrëzimit të avionit, gjenden të gjallë pas 40 ditësh katër fëmijët

Më: 10 qershor 2023 Në ora: 16:58
Foto nga takimi

Katër fëmijë që ishin zhdukur për më shumë se pesë javë pas rrëzimit të një avioni, janë shpëtuar.

Ata kishin humbur në një xhungël në jug të Kolumbisë, ku nëpërmjet disa të dhënash që përfshinin dhe gjurmët që fëmijët kishin lënë, u gjendën të gjallë. Ata tani kanë mbërritur në kryeqytetin Bogota për trajtim mjekësor.

Vëllezërit e motrat u gjetën të premten në provincën Caqueta të Kolumbisë, sipas forcave të armatosura të vendit dhe fillimisht u trajtuan nga mjekë ushtarakë, të cilët kishin qenë në mesin e ekipeve të kërkimit që i kërkonin.

Misioni për të gjetur katër vëllezërit e motrat, i quajtur Operacioni Shpresa, tërhoqi vëmendjen e kolumbianëve pasi raportet e të dhënave për vendndodhjen e tyre, nxitën dëshirën që ata të gjendeshin të sigurt, pavarësisht se do të kalonin më shumë se një muaj në xhunglën jomikpritëse.

Gjenerali Pedro Sanchez, komandanti i komandës së përbashkët ushtarake për operacione speciale tha: Ne bëmë gjithçka që ishte e nevojshme, për të bërë të pamundurën të mundur, duke përdorur satelitët, duke përdorur avionë që lëshonin mesazhe, që lëshonin ushqime dhe fletushka.

Në fotot e shpërndara nga ushtria e Kolumbisë, katër fëmijët, tre vajza dhe një djalë, dukeshin të dobët. Pasi avioni me fëmijët u ul në Bogota, katër autoambulanca po prisnin për t’i dërguar në një spital ushtarak për kujdes mjekësor të specializuar.

Ata u zhdukën kur një avion Cessna 206 që transportonte shtatë persona në një rrugë midis Araracuara, në Caqueta, dhe San Jose del Guaviare, një qytet në provincën Guaviare, lëshoi një alarm për shkak të dështimit të motorit në 1 maj.

Tre të rritur, përfshirë pilotin dhe nënën e fëmijëve, vdiqën në përplasje dhe trupat e tyre u gjetën brenda avionit. Vëllezërit e motrat, 13, 9, 4 vjeç, si dhe një foshnjë tani 12-muajshe, i mbijetuan përplasjes.

Një nga pasagjerët e vdekur, Ranoque Mucutuy, ishte nëna e katër fëmijëve, të cilët janë të përkatësisë etnike indigjene Huitoto. Pylli i dendur i shiut dhe vendi jashtëzakonisht i izoluar penguan përpjekjet e kërkimit, me avionë ushtarakë dhe helikopterë.

Një helikopter lëshoi një mesazh të regjistruar nga gjyshja e tyre në gjuhën Huitoto, duke u thënë fëmijëve të ndalonin së lëvizuri nëpër pyll që të bëhej e mundur gjetja e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat