Trump paralajmëron Iranin për bllokadën e Ormuzit, Teherani: Do të përdorim çdo mjet

Bota

Trump paralajmëron Iranin për bllokadën e Ormuzit, Teherani: Do të përdorim çdo mjet

Nga: Bota sot Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 08:45
Fotoilustrim

SHBA-ja e ruan bllokadën detare ndaj anijeve iraniane në Ngushticën e Ormuzit, ndërsa Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se anijet që përpiqen ta thyejnë do të "shkojnë të gjitha në fund të detit". Irani thotë se do të përdorë çdo mjet kundër bllokadës.

Trump i tha të dielën një gazetari të Fox News se shpreson që iranianët ta provojnë, dhe e shpalli të pavlefshëm memorandumin e Islamabadit. Bisedimet aktuale me Iranin i cilësoi marrëzi, raporton Euronews.

Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, e quajti bllokadën shkelje të Kartës së OKB-së dhe "agresion ushtarak", duke thënë se Teherani do të përdorë çdo mjet për ta kundërshtuar. Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi tha se Ngushtica e Ormuzit mund të rihapet brenda dy orësh pasi pala tjetër të përmbushë angazhimet. Kushtet e Teheranit, sipas Baghaeit, janë heqja e sanksioneve amerikane, ndërprerja e bllokadës dhe zbatimi i angazhimeve që Uashingtoni pranoi në memorandumin e Islamabadit.

Media pranë Gardës Revolucionare kanë kërkuar një bashkëshoqërim cisternash iraniane për ta thyer bllokadën, por zyrtarët iranianë thonë se nuk ka plan konkret. Të dielën, UKMTO konfirmoi të paktën një incident me një cisternë naftëmbajtëse në Gjirin e Omanit, me përfshirje të supozuar të forcave ushtarake. Nuk u dhanë detaje dhe Komanda Qendrore e SHBA-së nuk e kishte komentuar deri të hënën.

Në planin diplomatik, nënpresidenti JD Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio u takuan të hënën, veç e veç, me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani; Katari vepron si ndërmjetës. Sipas AP, një deklaratë e përbashkët cekte "prioritete të përbashkëta politike", pa njoftuar politika të reja. Mediatorët kanë propozuar lehtësimin e ndërprerjeve në Ormuz në këmbim të lehtësimit të kufizuar të sanksioneve ndaj Iranit, si hap drejt bisedimeve më të gjera, përfshirë programin bërthamor. Trump ka thënë se nuk sheh nevojë të rifillojë operacione të mëdha ushtarake dhe se SHBA-ja kërkon "marrëveshje të vërtetë, jo të rreme".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat