Medvedev paralajmëron: Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse kërcënohet ekzistenca e saj

Evropë

Medvedev paralajmëron: Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse kërcënohet ekzistenca e saj

Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 13:56
Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev

Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, ka lëshuar një tjetër paralajmërim me tone kërcënuese, duke deklaruar se Moska mund të ndërmarrë një sulm bërthamor parandalues në rast se përballet me kërcënime që vënë në rrezik ekzistencën e shtetit rus.

Në një artikull të botuar në revistën “Moscow Journal of International Law”, me titull “Sovraniteti shtetëror dhe armët bërthamore: Aspekte të së drejtës ndërkombëtare në garantimin e sigurisë kombëtare”, Medvedev iu referua doktrinës bërthamore të Federatës Ruse dhe kushteve që mund të justifikojnë përdorimin e këtyre armëve.

Sipas tij, kërcënimet ushtarake ndaj Rusisë, përfshirë përdorimin në shkallë të gjerë të mjeteve jobërthamore të sulmit ajror dhe hapësinor, mund të përbëjnë arsye për shqyrtimin konkret të një sulmi bërthamor parandalues.

Medvedev theksoi se këto mjete mund të shkaktojnë katastrofa teknologjike, mjedisore apo sociale, duke e cilësuar një skenar të tillë si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të vendit.

“Me fjalë të tjera, parimet themelore të politikës shtetërore bërthamore lejojnë në praktikë kryerjen e një sulmi bërthamor parandalues, në rastet kur vihet në rrezik vetë ekzistenca e shtetit tonë ose kur vendit tonë i shkaktohet një dëm i papranueshëm”, deklaroi Medvedev.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat