​Sulmi ndaj anijes ruse në Libi ngjall tensione, autoritetet paralajmërojnë: Nuk lejojmë larje hesapesh në territorin tonë

Azia

​Sulmi ndaj anijes ruse në Libi ngjall tensione, autoritetet paralajmërojnë: Nuk lejojmë larje hesapesh në territorin tonë

Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 07:37
​Sulmi ndaj anijes ruse në Libi

Një sulm i dyshuar me dronë ndaj një anijeje ruse në portin e Bengazit ka shkaktuar reagime në Libi, duke ngritur shqetësime për përhapjen e konfliktit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës përtej kufijve të tyre.

Autoritetet në lindje të Libisë kanë dënuar incidentin e raportuar më 22 nëntor 2026, duke paralajmëruar se territori libian nuk mund të përdoret për përplasje ushtarake apo për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.

“Libia nuk do të shndërrohet në arenë për larje hesapesh apo për eksportimin e konflikteve ndërkombëtare”, thuhet në qëndrimin e autoriteteve libiane.

Incidenti ka nxitur shqetësime për sigurinë e porteve dhe të ujërave territoriale të Libisë, në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me ndarje të brendshme politike dhe prani të aktorëve të huaj.

Sipas raportimeve të Associated Press dhe The Guardian, objektiv i sulmit ishte anija luftarake ruse “Merkury”, një korvetë e marinës ruse, e cila kishte ndaluar në Bengazi për t'u furnizuar me karburant dhe pajisje gjatë kthimit drejt Rusisë.

Dy zyrtarë ushtarakë libianë, të cilët folën në kushte anonimiteti për AP, thanë se hetimet fillestare sugjerojnë se disa dronë detarë ishin nisur nga një bazë në perëndim të Libisë, ku dyshohet se veprojnë forca ukrainase.

Sipas tyre, të paktën 4 dronë u kapën dhe u shkatërruan nga forcat e sigurisë, ndërsa 2 të tjerë goditën anijen ruse, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm dhe zjarr në bazën detare.

Pamjet satelitore të publikuara nga kompania Vantor tregojnë se anija “Merkury” është fundosur në pjesën më të madhe të saj, ndërsa pjesa e përparme mbeti e dukshme mbi sipërfaqen e ujit. Në pamje shihen gjithashtu tym dhe mbetje të shpërndara.

Autoritetet libiane njoftuan se zjarri u vu nën kontroll dhe se infrastruktura e portit, përfshirë objektet e bazës detare dhe depot, nuk kishte pësuar dëme që do të pengonin vazhdimin e operacioneve.

Sipas raportimeve fillestare nuk kishte konfirmim për viktima, ndërsa burimet mjekësore raportuan për persona të lënduar. Raportimet e mëvonshme përmendën 10 të lënduar lehtë, përfshirë shtetas rusë dhe libianë.

Ndërkohë, autoritetet në Bengazi kanë nisur hetime në bashkëpunim me palën ruse për të përcaktuar origjinën e sulmit dhe përgjegjësit.

Qeveria me seli në lindje të Libisë e cilësoi incidentin shkelje serioze të sovranitetit kombëtar dhe kërcënim për sigurinë e lundrimit detar, duke paralajmëruar masa ligjore dhe diplomatike ndaj personave apo strukturave që rezultojnë përgjegjëse.

Kryeministri i administratës lindore, Osama Hammad, njoftoi gjithashtu se qeveria e tij i ka kërkuar Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nisjen e një hetimi ndërkombëtar.

Ai kërkoi të hetohen dyshimet se dronët mund të jenë nisur nga territori perëndimor i Libisë, si dhe pretendimet për praninë e specialistëve ukrainas në vend.

Në një zhvillim tjetër, mediat lokale raportuan se një anije tregtare me flamur të Maltës u godit nga një dron detar pranë Bengazit gjatë së njëjtës ditë. Forcat detare libiane ndërhynë për të shpëtuar ekuipazhin, ndërsa autoritetet shëndetësore konfirmuan se disa persona kishin marrë lëndime të lehta.

Sipas televizionit libian Almasar, forcat detare dhe ajrore kishin shkatërruar edhe të paktën 12 dronë të tjerë në ujërat pranë qytetit.

As Rusia dhe as Ukraina nuk kishin dhënë reagime të menjëhershme zyrtare për sulmin ndaj anijes “Merkury”, ndërsa përgjegjësia për incidentin mbetej e pakonfirmuar.

Ngjarja ka marrë rëndësi edhe për shkak të situatës politike në Libi, e cila vazhdon të jetë e ndarë ndërmjet administratës së njohur ndërkombëtarisht në Tripoli dhe autoriteteve rivale në lindje të vendit.

Pjesa lindore dhe jugore e Libisë kontrollohet kryesisht nga forcat e komandantit Khalifa Haftar, i cili ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Rusinë.

Moska e ka shfrytëzuar praninë e saj në këtë pjesë të Libisë për të mbështetur aktivitetet ushtarake dhe logjistike në Afrikë dhe për të ruajtur ndikimin në rajonin e Mesdheut.

Sulmi në Bengazi vjen në kohën kur Ukraina ka zgjeruar përdorimin e dronëve detarë kundër objektivave ruse, përfshirë anijet luftarake dhe infrastrukturën detare.

Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt 2022, forcat ukrainase kanë realizuar një sërë sulmesh ndaj flotës ruse në Detin e Zi, duke detyruar Moskën të zhvendosë një pjesë të kapaciteteve të saj detare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat