Nga themelimi i Nvidia-s deri në shndërrimin e saj në një gjigant të inteligjencës artificiale, Jensen Huang ka ndërtuar një nga kompanitë më të rëndësishme të teknologjisë në botë. Por së fundmi, emri i tij u përfshi edhe në një skandal që tronditi drejtimin e kompanisë.
Çipat e projektuar nga Nvidia po i shtyjnë gjithnjë e më tej kufijtë e inteligjencës artificiale, ndërsa bashkëthemeluesi i kompanisë, Jensen Huang, i njohur për paraqitjet e tij me xhaketë të zezë prej lëkure, ka arritur ta shndërrojë atë në një prej markave më të rëndësishme në botë.
Gjatë 33 viteve në krye të kompanisë, Huang ka qenë figura qendrore e zhvillimit të saj. Sipas shkrimit të Euronews, më 23 nëntor, vetëm 11 ditë pasi ishte larguar nga posti për shkak të një skandali të përmendur në media, ai u rikthye në detyrën e drejtorit ekzekutiv (CEO). Ky rikthim i papritur e vuri sërish në pah rolin e tij në një industri që ka nxitur revolucionin teknologjik dhe rritjen ekonomike globale, shkruan Euronews, transmeton "Bota sot".
Deri para disa vitesh, emri i Huangut ishte i panjohur për një pjesë të madhe të publikut. Megjithatë, me zhvillimin e inteligjencës artificiale, ai u shndërrua në një sipërmarrës me famë ndërkombëtare. Prezantimet e tij për teknologjitë dhe komponentët e rinj të kompanisë tërheqin mijëra njerëz, ndërsa produktet e Nvidia-s janë bërë thelbësore për zhvillimin e mjeteve të inteligjencës artificiale, përfshirë ChatGPT-në.
Sipas raportimit, largimi i tij më 12 nëntor erdhi pas publikimit të pretendimeve se ai kishte tradhtuar bashkëshorten me një grua, për të cilën zyrtarët amerikanë dyshonin se kishte lidhje me shërbimet kineze të inteligjencës.
Ngritja e jashtëzakonshme e Nvidia-s
Nvidia, me seli në Kaliforni, është shndërruar në një prej kompanive më të vlefshme në botë, falë kërkesës gjithnjë në rritje për procesorët grafikë (GPU), të cilët ajo i projekton dhe prodhon.
Ky sukses i jashtëzakonshëm e ka bërë Jensen Huangun një prej njerëzve më të pasur në botë. Sipas revistës “Forbes”, pasuria e tij vlerësohet në rreth 160 miliardë dollarë, ose afërsisht 138 miliardë euro. Një pjesë e madhe e kësaj pasurie vjen nga rreth katër për qind e aksioneve që ai zotëron në kompaninë të cilën e themeloi tri dekada më parë, së bashku me dy miq, në një restorant të vogël në Silicon Valley.
Huang është shndërruar gjithashtu në një këshilltar joformal të afërt të presidentit amerikan Donald Trump për çështjet e inteligjencës artificiale. Në fillim të këtij viti, ai udhëtoi me presidentin amerikan në bordin e avionit presidencial “Air Force One” drejt Pekinit.
Megjithatë, jeta e tij ka qenë shumë larg luksit dhe famës së sotme. Huang lindi në Taipei të Tajvanit, në vitin 1963, dhe historia e tij konsiderohet një shembull i rrugëtimit të suksesit amerikan.
Kur ishte vetëm nëntë vjeç, ai u dërgua së bashku me vëllain e tij në një shkollë me konvikt në një qytet të vogël të Kentakit, në Shtetet e Bashkuara.
Xhaxhai i tij ua kishte rekomanduar këtë institucion prindërve tajvanezë, duke besuar se bëhej fjalë për një shkollë prestigjioze. Në të vërtetë, ajo ishte një institucion për të rinj me probleme në sjellje.
Për shkak të moshës së vogël, Huang qëndronte në konvikt, ndërsa mësimet i ndiqte në një shkollë publike aty pranë, së bashku me fëmijët e familjeve që merreshin me kultivimin e duhanit. Duke mos e zotëruar mirë gjuhën angleze, ai përjetoi tallje dhe bullizëm, madje ishte detyruar edhe të pastronte tualetet.
“Punonim shumë, studionim shumë dhe fëmijët ishin vërtet të ashpër”, ka treguar ai në një intervistë për radion amerikane NPR. Megjithatë, siç ka theksuar vetë Huang, në fund të kësaj përvoje ai arriti ta donte kohën që kishte kaluar atje.
Më vonë, prindërit e morën pranë vetes, pasi ishin vendosur në shtetin e Oregonit, në veriperëndim të SHBA-së. Huang përfundoi studimet universitare në moshën vetëm 20-vjeçare dhe filloi punën në kompaninë AMD, e më pas në LSI Logic, ku u angazhua në projektimin e çipave – fusha që e kishte pasion.
Një yll në Tajvan
Dëshira për të shkuar edhe më larg në fushën e teknologjisë e shtyu Huangun që në vitin 1993 të themelonte Nvidia-n.
Synimi i tij ishte të krijonte teknologji që mund të zgjidhnin probleme përtej kapaciteteve të kompjuterëve të zakonshëm, duke përdorur gjysmëpërçues mjaftueshëm të fuqishëm për të përpunuar grafika tredimensionale (3D).
Këtë qëllim ai e kishte shpjeguar gjatë një interviste në podkastin “No Priors”.
Në vitin 1999, Nvidia krijoi procesorin e parë grafik (GPU), duke përfituar nga zhvillimi i industrisë së videolojërave. Më pas, teknologjia e kompanisë u bë gjithnjë e më e rëndësishme për qendrat e të dhënave, kompjuterizimin në re (cloud computing) dhe, së fundmi, inteligjencën artificiale gjeneruese.
Huang është bërë i njohur edhe për stilin e tij të veçantë. Ai shfaqet pothuajse gjithmonë me bluzë të zezë dhe xhaketë lëkure, ndërsa në trup mban edhe një tatuazh me logon e Nvidia-s. Një tjetër pasion i tij janë veturat sportive.
Pavarësisht paralajmërimeve nga disa ekspertë të industrisë se zhvillimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale mund të përbëjë rrezik për njerëzimin brenda dekadës së ardhshme, Huang ka kundërshtuar thirrjet për ngadalësimin e qëllimshëm të këtij zhvillimi.
“Duhet të ecim sa më shpejt që të jetë e mundur”, kishte deklaruar ai për televizionin amerikan CBS News në shtator.
Në vizitat e tij në vendlindje, Tajvan, Huang pritet si një yll i vërtetë. Adhuruesit e rrethojnë për të marrë autografe dhe për të bërë fotografi me të, ndërsa gazetarët e ndjekin edhe gjatë vizitave në berberin e tij të preferuar apo në tregjet tradicionale të natës.
Pas imazhit të suksesshëm, kritika për stilin e drejtimit
Nvidia është kujdesur ndër vite që të ndërtojë një imazh publik të qetë dhe pa polemika për drejtuesin e saj. Megjithatë, sipas Euronews, një ish-punonjës i kompanisë e ka përshkruar Huangun si një drejtues që mund të ishte jashtëzakonisht i ashpër me punonjësit kur ata bënin gabime ose merrnin vendime të gabuara.
Kjo dëshmi paraqet një anë tjetër të drejtuesit që është bërë simbol i suksesit të inteligjencës artificiale dhe i një prej kompanive më të fuqishme të teknologjisë në botë.
Pas zhvillimeve të fundit dhe rikthimit në krye të kompanisë, Huang ka shprehur dëshirën për t'iu rikthyer punës.
“Mezi pres të kthehem në punë”, deklaroi ai të hënën.