Marrëdhëniet mes SHBA dhe Koresë së Veriut - Bota Sot
Marrëdhëniet mes SHBA dhe Koresë së Veriut

Bota

Marrëdhëniet mes SHBA dhe Koresë së Veriut

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 20:24
Mike Pompeo dhe Donald Trump

Rrjeti CNN dhe gazeta “Washington Post” njoftojnë se javën a kaluar, Koreja e Veriut i dërgoi një letër Shteteve të Bashkuara, ku i paralajmëronte se bisedimet për çnuklearizimin janë “në rrezik dhe mund të dështojnë”. Sipas këtyre njoftimeve, retorika e ashpër në letër, bëri që Presidenti Donald Trump ta anulonte menjëherë një udhëtim të planifikuar për në Phenian nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, vetëm disa orë para nisjes, të premten e kaluar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Departmentin e Shtetit Cindy Saine, na njeh më me hollësi:

Mendohej që ky do të ishte udhëtimi i katërt i Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo në Korenë e Veriut. Por Presidenti Donald Trump e ndali atë përmes një tweet-i dhe akuzoi Kinën se nuk ka ndihmuar sa duhet në bisedimet e çnuklearizimit.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert, nuk pranoi të shprehej lidhur me ekzistencën e një letre nga Koreja e Veriut, ku thuhet se zoti Trump paralajmërohet se bisedimet rrezikojnë të dështojnë.

Në vend të kësaj, zëdhënësja dha arsyen e anulimit të menjëhershëm:

“I gjithë ekipi i sigurisë kombëtare diskutoi për këtë çështje dhe ata gjykuan se tani nuk është koha e përshtatshme për të shkuar në Phenian. Presidenti ishte dakord me këtë dhe pikërisht atëhere ai mori vendimin të publikonte disa twite, përmes të cilave e njoftonte këtë vendim.”

Ambassadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley, tha se mundet që Koreja e Veriut ka ndryshuar mendje lidhur me çnuklearizimin, por shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndryshojnë mendje për sanksionet.

“Është pozitiv fakti që ne kemi në fuqi sanksione, të cilat në fakt bllokojnë 90 për qind të tregtisë së tyre dhe 30 për qind të naftës. Ne po i mbajmë në fuqi ato, që Phaniani të ketë ende nevojë për ndihma financiare, për të cilat janë duke u lutur,”- tha zonja Haley.

Sekretari Mbrotjes Jim Mattis tha se ai po punon me Sekretarin Pompeo për rifillimin e manovrave të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut.

“Siç e dini, ne e ndërmorën hapin për pezullimin e disa prej manovrave më të mëdha, si një masë e besimit të mirë, pas Takimit të Singaporit. Tani nuk kemi plane për ndalimin e manovrave të ardhshme,”- tha zoti Mattis.

Senatori Ben Cardin i tha Zërit të Amerikës se ai mbështet takimin e zotit Trump me Kim Jong Un-in, por jo ndërprerjen e manovrave të përbashkëta ushtarake.

“Unë mendoj se ndërprerja e manovrave ushtarake ishte një vendim i gabuar. Unë isha kundër. Takimin e mbështeta, sepse mendoj se diplomacia ka kuptim. Por mendoj se Koresë së Veriut nuk i duhen bërë lëshime, pa patur rezultate të konkrete,”- tha senatori Cardin.

Ndërsa duket se bisedimet kanë ngecur, nuk është e qartë se kur do të mund të shihen imazhet e një tjetër takimi të nivelit të lartë mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...