Rusia fajëson Izraelin për rrëzimin e avionit të saj nga Siria - Bota Sot
Rusia fajëson Izraelin për rrëzimin e avionit të saj nga Siria

Bota

E hënë, 22 tetor 2018

Rusia fajëson Izraelin për rrëzimin e avionit të saj nga Siria

Më: 18 shtator 2018 Në ora: 13:32
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes ruse, Igor Konashenkov. (Foto arkivi)

Forca ajrore e Sirisë rrëzoi pa dashje një avion rus të mbikëqyrjes në Detin Mesdhe, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, duke fajësuar, siç tha, "veprimet e papërgjegjshme" të Izraelit.

Të pesëmbëdhjetë shërbyesit rusë në bordin e avionit vdiqën.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha përmes një deklarate se pilotët izraelitë, duke kryer sulme mbi caqet në Siri, "kanë përdorur aeroplanin rus si mbulesë, duke e ekspozuar ndaj zjarrit të forcës ajrore të Sirisë".

"Si rezultat i veprimeve të papërgjegjshme të ushtrisë izraelite, 15 shërbyes rusë vdiqën. Kjo absolutisht nuk korrespondon me frymën e partneritetit Rusi-Izrael", tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes ruse, Igor Konashenkov.

"Ne rezervojmë të drejtën për të marrë masa të duhura si përgjigje", shtoi ai.

Kjo deklaratë u bë pak orë pasi ministria njoftoi se avioni Ilyushin Il-20 është zhdukur nga radari, rreth 35 kilometra larg bregdetit sirian, natën e shkuar.

Nuk ka ende komente nga Qeveria e Izraelit apo e Sirisë.

Rusia ka nisur sulme ushtarake në Siri në vitin 2015, pas kërkesës së presidentit sirian, Bashar al-Assad, i cili ka mbetur në pushtet pavarësisht shtatë vjetëve luftë civile.

Konflikti, deri më tash, ka vrarë mbi 350 mijë njerëz.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test