Rohingat në Indi nën frikën e deportimeve

Bota

Rohingat në Indi nën frikën e deportimeve

Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 20:53
Ilustrim

Në Indi, deportimi i parë i rohingave për në Mianmar ka zgjuar shqetësimet për deportime të tjera nga të 40 mijë rohingat që jetojnë në këtë vend. Kjo ndodh ndërkohë që qeveria nacionaliste e etnisë hindu po mban qëndrim të ashpër ndaj imigrantëve të paligjshëm.

Rohingat në këtë kamp refugjatësh jetojnë në vendstrehime të mbingarkuara, kanë vetëm një burim uji të pishëm ndërsa fëmijët ndjekin shkolla provizore. Por ata e durojnë këtë situatë në kampin e refugjatëve në distriktin Mewat të shtetit Haryana, pasi u ka ofruar strehë të sigurtë pas përndjekjes që kanë vuajtur në atdheun e tyre.

“Askush nuk na përndjek këtu në Indi. Nëse gjejmë punë, sigurojmë ushqimin pa problem,” thotë, Fatime Hatu, një refugjate rohinga.

Por, 45 familjet që jetojnë këtu prej gjashtë vitesh shqetësohen se mund të detyrohen të largohen. Ali Zohar, i cili është përfaqësues i banorëve të kampit, shpreh frikën se është hapur rruga për deportime, pasi shtatë rohinga nga pjesa verilindore e Indisë u deportuan në Mianmar.

“Mua më është shkatërruar jeta. Po si t’ia bëj për fëmijët? Mos do u duhet të kthehen? Më dhemb koka thjesht kur e mendoj”, thotë ai.

Banorët në këto kampe shpresojnë se kartat që kanë marrë nga zyra e Komisionerit të Lartë të OKB për Refugjatët do t’i mbrojnë nga dëbimi për herë të dytë, pasi shtatë rohingat e dëbuar nuk ishin të pajisur me këto karta.

Sultan Amin gjithmonë e mban kartën në vend të sigurtë, pasi është gjëja më të vlefshme që zotëron. Ai thotë se nëna dhe vëllezërit në Mianmar i thonë se atje vazhdon persekutimi:

“Dua të kthehem në atdhe, por atje ke frikë për jetën. Erdha këtu që të shpëtoj. Si mund të kthehem? Që të më vrasin?”

India thotë se nuk i njeh kartat e OKB-së dhe i trajton rohingat si imigrantë të paligjshëm që do të deportohen. Qeveria i ka cilësuar rohingat si kërcënim për sigurinë.

Vëzhguesit e shohin qëndrimin e ashpër të qeverisë hindu të Narendra Modit ndaj rohingave që janë myslimanë, si manovër politike në përgatitje për zgjedhjet e 2019.

“Kam bindjen se çështja e rohingave ka dalë në skenë pasi po afrojnë zgjedhjet. Nëse debati polarizohet në linjat hindu-myslimanë, fiton partia e Modit,” thotë analistja politike Neerja Chowdhury.

Refugjatët, shumë prej të cilëve janë vendosur në Indi pasi u larguan nga Bangladeshi, thotë se thjesht duan një copë vend ku të nxjerrin bukën e gojës.

“Të gjithë të afërmit, e gjithë familja më është vrarë. Kur atdheu im të jetë i sigurtë si India, si Bangladeshi, do të kthehem,” thotë Noor Begum, një refugjate rohinga.

Këtë qëndrim mban edhe agjencia e OKB për refugjatët, e cila ka kritikuar deportimin e shtatë rohingave dhe thotë se refugjatët nuk duhet të kthehen në vende ku përballen me persekutim./voa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat