Shqiptarët e Zvicrës kërkojnë pikën e kualifikimit!

Botërori 2018

Shqiptarët e Zvicrës kërkojnë pikën e kualifikimit!

Nga: Kemajl Goca Më: 27 qershor 2018 Në ora: 10:24
Lojtarët e Zvicrës

Zvicra është e trimëruar në çdo pikëpamje kundër Kosta Rikës pas fitores së madhe me rezultat 2:1 ndaj Serbisë dhe barazimit me 1:1 me pesë herë kampionin e botës, Brazili.  Shqiptarët e Zvicrës kërkojnë fitore por edhe një pikë iu mjafton në duel me Kosta Rikën që të kualifikohen në të tetën e finales së Kampionatit Botëror. Futbollistët Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, me shokë do të luftojnë për fitore në përballje me Kosta Rikën e cila ka në portë portierin e Real Madridit, Keylor Navas. Ndeshja luhet sonte (20.00) në stadiumin “Nizhny Novgorod”, ndërsa bastet e ndryshme botërore e vlerësojnë favoritë Zvicrën.

Zviceranët janë në një pozicion të mirë edhe një pikë iu kryen punë, për faktin se renditen në vend të dytë me 4 pikë po aq sa ka edhe Brazili në krye të grupit E, duke lënë pas Serbinë (3) dhe Kosta Rikën në fund (0) pa asnjë shpresë. Kosta Rika do të mundohet të fitojë pikën parë pas humbjeve nga Serbia me 1:0 dhe nga Brazili me 2:0, por do ta ketë të vështirë me Zvicrën që ka ekip jashtëzakonisht të fortë dhe që u dëshmua në dy takimet paraprake sidomos kur dominuan me lojë e me golat e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit kundër Serbisë. Nga ana tjetër po në orën 20.00 Brazili synon fitore ndaj Serbisë. Sipas basteve ndërkombëtare, Brazili është favorit i madh në duel me Serbinë. Brazilit i mjafton edhe një pikë por kërkon vetëm fitore dhe asgjë tjetër ndaj Serbisë së tronditur, pas humbjes nga Zvicra e shqiptarëve. 

Neymari me shokë premtojnë lojë të hapur e sulmuese në drejtim të portës së portierit Stojkoviq.  Brazili vlerësohet në çdo aspekt më i mirë se Serbia. Brazili dhe Zvicra do të luftojnë se cila do të jetë në kreun e tabelës, por nuk duhet lënë anash edhe serbët që nuk janë pa gjasa përveç Kosta Rikës që është përshëndetur. Mund të konsiderohet portieri më i mirë në botë, të paktën në këtë moment. Alisson Ramires Becker i Brazilit. Ai ka rrëfyer disa të veçanta të stilit të tij të lojës dhe një prapaskenë që ka pasur lidhje me sfidën e Champions League të luajtur mes Roma dhe Liverpool. “Luaj si mbrojtës, marr pjesë në ndërtimin e aksioneve. Nuk kam frikë të përdor këmbët, nuk ndihem në siklet nëse nuk e prek topin me duar, përkundrazi kërkoj të mos bëj më shumë se duhet. Kjo është tradita jonë”, ka thënë Alisson.

Duke kujtuar humbjen e Brazilit me 7:1 në takim me Gjermaninë në vitin 2014 dhe portier ishte Julio Cesar: “Nuk i ka pësuar ai, por i gjithë Brazili. Unë kam qenë në shtëpi para televizorit dhe e kam parë të gjithë ndeshjen. Disa gjëra nuk harrohen kurrë, mund t’i thuash vetes se nuk ishte fundi i botës, por shenja mbetet”. Më pas, Alisson ka zbuluar prapaskenën: “Kur unë kam pësuar pesë gola kundër Liverpoolit kam përjetuar një eksperiencë të ngjashme dhe nuk kam fjetur për ditë me radhë. I kam kaluar netët duke pyetur veten: cilin gol mund të kisha shmangur? Fatmirësisht ke mundësinë të luash përsëri dhe të ndryshosh historinë”. Në grupin F Meksika – Suedia është sikurse finale.

Meksikanëve iu mjafton edhe një pikë që të avancojnë para dhe në fakt ta ruajnë edhe vendin e parë, kurse Suedia kërkon tri pikë me kusht që Gjermania të dështojë me Korenë e Jugut. Suedia ende nuk pajtohet me humbjen në sekondat e fundit nga Gjermania me rezultat 2:1 dhe kjo mund t’i kushtojë edhe me eliminim, por e gjitha do të varet në sfidat e sotme (16.00) se si do të rrjedhin. Gjermania futet vetëm për fitore dhe sa më bindëse ndaj Koresë së Jugut e cila është përshëndetur nga kjo ngjarje e madhe. Koreja do të zhvillojë pa ngarkesë lojën me synim që të mos eliminohet pa asnjë pikë.   

Grupi E, sot

Zvicra-Kosta Rika

Serbia-Brazili

Tabela

1. Brazili     2       1       1       0       4

2. Zvicra 2  1       1       0       4

3. Serbia    2       1       0       1       3

4. Kosta Rika       2       0       0       2       0

Grupi F, sot

Meksika-Suedia  16.00

Koreja e Jugut-Gjermania     16.00

Tabela

1. Meksika 2       2       0       0       6

2. Gjermania       2       1       0       1       3

3. Suedia    2       1       0       1       3

4. Koreja e Jugut          2       0       0       2       0

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat