Dardania, djep shqiptare

Diaspora

Dardania, djep shqiptare

Nga: Ndue Shabaku Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 06:28
Nga veprimtaria e ORËS LETRARE 2019, në Itali

" Vetëm atje do të shkojmë doemos ...", - më tha kur po bisedonim në një event ditën e shtunë, miku ynë, poeti talentuar, Tonin Nikolli. 

Dhe kështu, me dëshirën e madhe për t'u takuar me shumë miq e kolegë mbërritëm në Musano (Montebelluna) jo larg nga Treviso. Festë atje. Dy festa. Përkujtohet njëmbëdhjetëvjetori i shpalljes së republikës më të re në botë, Republika e Pavarur e KOSOVËS. Miqtë tanë dinë, si përherë, të vlerësojnë institucionin e mikut dhe, kur u shkel në prag, u shndrit fytyra, u qeshin sytë, të përcjellin rrahjet e zemrës që u gufon, duke ditur se kemi një gjak. Në një atmosferë të tillë futesh menjëherë në hiret e tyre e ndihesh i pushtuar nga mikpritja e ngrohtë. Por akoma më e ngrohtë atmosfera u bë me zhvillimin e vepritarisë. 

Shoqata Kulturore Dardania me president profesorin e nderuar Faik Tafolli në bashkëpunim me Shoqatën Bashkimi Kombëtar, me president veprimtarin e palodhur e shkrimtarin Avdi Beqiri, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në zona ku komuniteti shqiptar e, kryesisht, ai kosovar, është relativisht i madh, kishin organizuar edicionin e katërt të aktivitetit "Ora Letrare". Mund ta justifikoj vonesen, por nuk mund të justifikoj habinë, kur pashë në tavolinën e nderit miken tonë poete Trandafile Molla që kishte ardhur nga Novara e largët me bashkëshortin e saj. Vetëm para pak ditësh mori pjesë e ishte protagoniste në shumë verpitari në disa qytete të Kosovës në të cilat u nderua edhe me çmime.

Si veprimtari kryesore e Orës Letrare ishte vënë promovimii librit me titull "Një pasion i ushtruar" me autor shkrimtarin Beqir Beqir M. Cikaqi. Për këtë, drejtuesit e eventit i dhanë fjalën poetes së njohur Miradie Avdullahi. Oratorja foli për bashkëpunimin e suksesshëm me autorin dhe për rëndësinë e vlerat që mbart ky vëllim. Autori ka ditur bukur të hedhë në letër një pjesë të veprimtarisë së tij tepër aktive e dmomethënëse. Krahas punës për të siguruar jetesësn, ka qenë shumë aktiv në hapjen e shkollës shqipe disa vite më parë si dhe shumë punë të pandërprerë në mësimin e gjuhës sonë fëmijëve, me shkrime artistike dhe, krahas tyre, edhe si eksponent i medias. Që nga hidhërimi, sepse i hidhnin në kosh shkrimet, kur ishte i vogël, e deri në bashkëmpunimin me shumë gazeta e median (radio e televizion) është rrugëtimi i ngjitjes pasionale derisa mund të themi me bindje se ka të drejtë autori kur thotë se pasioni u bë profesion.

Në libër autori ka përfshirë disa nga intervistat më të spikatura me personazhe të artit, të luftës, të emigracionit, të shkollimit, të mbijetesës ... Në evidencë zgjuarsia e zotësia për të kapur thelbin e problemit e përcjelljen tek lexuasi sa më qartë, thjesht e bukur. Në krah të referueses ishte edhe Pajtim Gashi që sillte ilustrime nga vëllimi me publicistikë. Fill pas tyre mori fjalën autori Beqir Cikaqi. Falënderoi pjesëmarrësit e referuesit dhe, në fund, i dhuroi librin profesorit të tij Faik. Një moment vërtet prekës kur të dy, dikur ish nxënës e mësues, sot dy kolegë, ekzaltoheshin përmallshëm e krenarë, sepse nxënësit e tyre tani janë mjekë, inxhinierë, profesorë, ekonomistë, shkencëtarë, deputetë ...

Moment gati solemn në sallë, kur drejtuesja thirri emrin Kleopatra. Një vajzë e re, nxënëse në shkollën shqipe dhe me pasion ndjek një kurs për violinë. Ajo u ftua të interpretojë melodinë "Baresha", tashmë, famoze në botën shqiptare, qoftë për këngëtaren mitike Nexhmije Pagarusha, qoftë për popullaritetin e madh që ka kënga. Tingujt e ëmbël të violinës me tonalitet të këndshëm lirik na bënë sikur ndienim jehonë bjeshke, ushtimë malesh, hove shpirtërore, klithmë liberatore ... (Më vonë, Kleopatra lexoi edhe një poezi nga Izet Jashari.) Për një moment uroi autorin e përshëndeti veprimtarinë Ora Letrare edhe Bajram Desku.

Moderatorët e aktivitetit kishi programuar prezantimin e poetes Trandafile Molla. Ajo iu drejtua publikut thjesht e bukur si autore e gjashtë librave e pjesëmarrëse në shtatë antologji. Pastaj me tonalitet të lartë retorike, lexoi një poezi epike. Një poezi tjetër të autores e lexoi kolegia e saj në art Miradie Avdullahi. 

Moment i bukur ishte leximi i pesë poezive të pesë viteve të fundit dedikuar pavarësisë së Kosovës nga poeti lezhian Tonin Nikolli. Në poezitë e tij evokuese e reflektuese ndihet fuqishëm si himnizimi i heroizmit të pashoq të kosovarëve, ashtu edhe lidhjet e pandashme në një ind e në një gjak të popullit shqiptar. 

Poetja Tevide Mislimi ka shkruar një poezi të bukur me titull "Vëlla e motër, por të ndarë". Kjo poezi prekëse u lexua në formë recitali, ku nxënësit e shkollës lexonin shumë bukur strofat njëri pas tjetrit. Kjo stafetë u prit me shumë duartrokitje.

Me shumë emocion u pritën dy recitueset Shpresa Gashi dhe Edona Thaqi. Për mua ata ishin të njohura, sepse i kanë dhënë tonin dy veprimtarive të Lidhjes së Shkrimtarëve "Fjalët e shpirtit" me paraqitjen e tyre tepër dinjitoze. Edicionin e parë të recituesve në Verona e fitoi Edona, sot studente në nivelin mastër, dhe lexoi një poezi për të pranishmit kushtuar Jusuf Gërvallës. Ndërsa Shpresa, në Mantova zuri vendin e dytë, sepse nuk mund te jepnim dy çmime të para. Ajo recitoi si një studente akademie artesh dhe patjetër që do ta kemi prezente edhe herë të tjera para spektatorit.
Përsëri protagoniste një nxënëse. Enesa Sahitaj. Pas muzikës së bukur, shpërtheu zëri i saj i ëmbël e kumbues. Një këngë kushtruese me rimë e ritëm të lartë ku ndihej epizmi i Kosovës. 
Iu dha fjala edhe inxhinierit e mësuesit Ragip Thaqi. Ai lexoi një ese evokuese të jetës dhe veprës së heroit Jusuf Gërvalla. Edhe një herë, poetja Miradie lexoi një poezi të sajën dhe shpejt protagoniste nxënësja me emrin Gentiana. Lexoi me shumë mjeshtri një shkrim me titull"Letër gjyshit". Në përmbajtjen e letrës kishte shumë emocion e përmallim, deri në këputje fryme për momentin e ndarjes nga të shtrenjtit tanë në vendlindje.

Në fund e mori përsëri fjalën protgonisti kryesor, mësuesi, publicisti, poeti shkrimtari Beqir Cikaqi. Pasi përcolli falënderimet e përgëzimet e rastit, lexoi dy poezi. E para një poezi nga Demir Reshiti, kushtuar dëshmorëve dhe poezinë e tij "Katrahurë e papërsëritshme".

Në mendjen e pjesëmarrësve mbetet atmosfera e këndshme dhe malli që merr jetë nga oshëtima e atmëmëdheut tonë që përshkoi gjithë eventin e bukur artistik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat