Marte Gojani Mrijaj – Një formulë atdhetare dhe mishëruese e filozofisë rugoviane

Diaspora

Marte Gojani Mrijaj – Një formulë atdhetare dhe mishëruese e filozofisë rugoviane

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 11:38
Marte Gojani Mrijaj

Dihet mirëfilli dhe është vlerësuar gjithherë se roli i gruas në shoqëri përherë ka qenë, edhe sot është i rëndësishëm dhe i pamohueshëm. Gratë shqiptare përherë kur vendi dhe shoqëria shqiptare ka pasur nevojë për ndihmë dhe përkrahje, i janë gjendur afër dhe gjithë dijen, mundin dhe sakrificën nuk e kanë kursyer në këtë kauzë.

Njeriun, në të cilin tradita, trashëgimia familjare dhe rrethi shoqëror ia brumosin vetëdijen e lartë kombëtare, mprehtësinë e gjykimit, energjinë e veprimit dhe përkushtimit të paepur plot sakrifica për kolektivitetin, për lirinë e vendit dhe popullit të tij, veçori këto të cilat me tërë qenie i vë në funksion të ardhmërisë. E tillë është edhe figura e veprimtares dhe atdhetares Marte Gojani - Mrijaj, me origjinë nga Klina, e cila aktualisht jeton dhe vepron në Amerikë, përkatësisht në Nju Jork.

Pak biografi: Marte Mrijaj – grua e një familjeje bujare dhe plotë tradita

Marte Gojani-Mrijaj u lind në vitin 1940 në fshatin piktoresk e të bukur Budisalc të Klinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në gjimnazin e atëhershëm Gjimnazi Real të Pejës. Ishte nxënëse e sjellshme dhe shembullore në mësime. Për shkaqe ekonomike dhe pse ishte motra më e madhe u detyrua të mos vazhdoi shkollimin e lartë që t’iu hap rrugë motrave tjera dhe vëllait të vetëm, i cili, po ashtu vazhdonte mësimet në fakultet.

Martja ka qenë tërë jetën e saj e pasionuar pas leximit. Ka lexuar numër të madh librash nga autorë të letërsisë shqipe, por edhe të asaj botërore.

Sipas traditës u martua me atdhetarin e devotshëm, Pren Mrijajn dhe krijoi një familje të shëndoshë dhe të veçantë. Në martesë ishte e pafat, sepse ishte shumë e re kur mbeti e ve, ngase bashkëshorti i vdiq në moshë të re.

Martja frymëzimin dhe motivine për punë dhe angazhim kryesisht e mori nga vëllai i saj, Hil Gojanim, jurist i viteve të hershme dhe sekretar shumëvjecar në Fakultetin Jurudit të Universitetit të Prishtinës.

Nga fshati Pataqan për një jetë më të mirë Martja bashkë me familjen u vendosën në qytezën e Klinës. Ardhja e saj në qytet i ofroi mundësi më të mira për t’u angazhuar në veprimtari të ndryshme. Martja shtëpinë e saj e shndërroi në fole të atdhetarizmës, ku që nga viti 1992, pothuajse çdo aktivitet me karakter kombëtar, letrar e kulturor u zhvillua në Odën e familjes Mrijaj.

Në ato tubime që janë mbajtur në Odën e Mrijaj, kanë marrë pjesë njerëz të dijes dhe të zgjuarsisë, si Prof. Anton Çetta, Prof. Dr. Ymer Jaka, Prof. Dr. Engjëll Sejdaj, Akademik Mark Krasniqi, Dr. Dom Lush Gjergji dhe shumë emra të tjerë veprimtarë të kohës. Në Forumin Rinor të LDK-së ishte Kolë Mrijaj, biri i Martës. Aty merrnin pjesë edhe aktivistët dhe veprimtarët, si Ismet Rraci ( ish- kryetar i Degës së LDK-së në Klinë dhe kryetar i Komunës, i vrarë në vitin 2001), Kolë M. Berisha, Anton Gj. Kolaj, Prend Buzhala, Pal Canaj, Binak Syla Idriz Dushi (i cili ishte kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut). Madje, profesorin e nderuar dhe veprimtarin e palodhshëm të çështjes kombëtare, prof.. Pal Canajn, i cili ishte kryetar i Aktivit nr. 3 dhe kryetar i Nëndegës se LDK=se në Klinë, disa herë është arrestuar nga policia serbe dhe është maltretuar.

Martja përveç se ishte një Rugoviste dhe pjesëtare e pakompromis e LDK-së, ajo kontribuoi shumë në Forumin Demokratik të Gruas së LDK-së. Për aktivitetin e saj politik shpesh është ftuar dhe në të ashtuquajturat "Biseda informative". Por, Martja, për Atdheun dhe Lirinë ishte e palëkundur, se kurrë nuk e tha asnjë fjalë për shokët e idealit.

Kjo nënë dhe grua fisnike me vështirësi rriti 6 fëmijë si gjashte lule. Pas luftës emigroi në SHBA, ku gëzon një pleqëri të mbarë e rrethuar me shumë dashuri nga djem, vajza, nipa e mbesa. Shpesh kthehet te rrënjët, në Atdhe.

Dashuria për shkolle shkrim e lexim nuk iu shua kurrë. Në ditët e moshës së tretë na vjen me një roman të pëlqyeshëm për lexuesin për t’u futur në ujërat e shkrimtarisë, që kishte si ëndërr të fëmijërisë.

Aktualisht jeton në Neë York të SHBA-ve.

Romani i saj, "Dashuri e traditë", është libri i saj i parë. Ka në dorëshkrim edhe libra të tjerë.

Veprimtaria e gjithanshme e saj në planin shoqëror dhe atë kombëtar përputhet plotësisht me kohën

Tiparet e saja njerëzore, të kalitura shumë herët, qëndrimi i saj vertikal, ishin dëshmia më autentike se kjo veprimtare e devotshëm po gëzonte admirimin e njerëzve idealistë dhe të veprimit. Ajo punonte pareshtur në zgjimin e vetëdijes kombëtare në masat e popullit. Në këtë kohë, ajo e shpalos mëtimin e saj prej një këmbëngulëse të pathyeshme për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar. Ishte kjo kohë kur para forcave të organizuara atdhetare po shtrohej si imperativ i kohës, qëndresa, vitaliteti dhe guximi i popullit tonë; barazia, drejtësia njerëzore dhe flijimi si akti më sublim i fitores. Në këtë kohë, i gjithë aktiviteti i saj atdhetar u zhvillua përmes lëvizjeve që vepronin në atë kohë në Kosovë.

Veprimtaria e gjithanshme e saj në planin shoqëror dhe atë kombëtar përputhet plotësisht me kohën kur kombit tonë nga forcat e errëta serbe po i përgatitej një hatakombë e trishtë me synime tragjike dhe fund e krye ajo përshkohet nga filli i aspiratave dhe të idealeve të mbarë popullit shqiptar.

Jeta dhe veprimtaria e tij për asnjë çast nuk janë shkëputur nga qëllimi për t’i shërbyer vendit dhe popullit të saj. Pra, duke e kuptuar thirrjen e kohës, kjo grua, veprimtare e palodhshme, iu përvish punës me seriozitetin më të madh, edhe pse ishte e vetëdijshme se rruga që kishte zgjedhur nuk do ta kishte lehtë, se ajo rrugë kalohej përmes vuajtjeve dhe sakrificave të mëdha. Këtë mësim themelor e kishte nxjerrë nga përvoja e popullit të saj dhe nga përvoja e popujve liridashës. Këtë konkludim të drejtë, me jetën dhe veprën e saj, po e vinte edhe në bazën e orientimit të shëndoshë të popullit të saj të robëruar.

Vitet e kthesave të mëdha historike...

Për ato vite dhe ato kohë, veprimtarja Marte Gojani- Mrijaj, edhe sot pse ka kaluar një periudhë e gjatë, edhe pse i ka ofruar të ’80-tat, kujtesën e ka shumë të freskët dhe i rrëfen, sikur të kishin qenë dje. Ajo ndër të tjera shprehet: “Ishin këto vite të 90-ta, vite të kthesave të mëdha historike, si vazhdimësi e lëvizjeve, luftërave dhe përpjekjeve të mëhershme të këtij populli për liri dhe pavarësi, ëndërr shumëshekullore e shumë brezave tanë. Si sublimim i këtyre lëvizjeve, që i trand edhe themelet e ish Jugosllavisë, në vitin 1989 lind lëvizja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në krye me strategun dhe vizionarin e Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën. Dr. Rugova ishte arkitekti i pavarësisë së Kosovës. Puna dhe angazhimi i tij shumëdekadëshe për jetësimin e pavarësisë së Kosovës dhe për emancipimin e përgjithshëm kombëtar shqiptar, dëshmoi vetëdijen vepruese të tij, duke e bërë të veçantë, konsekuent dhe inspirues për synimin sublimues–pavarësinë e Kosovës. Pra, kjo lëvizje u krijua në kohën kur Kosova ishte në sulm të egër të Serbisë për ta dominuar dhe shkatërruar kombin tonë shumicë në Kosovës. Kjo lëvizje , që në atë kohë udhëhiqte jetën shqiptare në Kosovë, që ishte e ndërtuar si një lëvizje mbi parimet paqësore për liri, demokraci dhe pavarësi, për të mbrojtur ekzistencën e kombit shqiptar, vlerat nacionale dhe njerëzore të këtij kombi. Në këtë kohë LDK ishte bartëse e gjithë aktivitetit politik, shoqëror, arsimor, kulturor etj. Në ndërkohë u ndërtuan edhe strukturat shtetërore të Kosovës, përmes akteve madhore, siç ishin Deklarata e Pavarësisë – 2 Korriku 1990; Kushtetuta e Republikës së Kosovës – 7 Shtatori ‘90, si dhe Referendumi për Pavarësinë e Kosovës - Shtator 91. Një Kosovë e pavarur, demokratike e paqësore, e integruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, ishte vullneti politik i popullit dhe i qytetarëve të Kosovës. Pra, ndërtimi i institucioneve të Kosovës dhe i një shoqërie demokratike me institucione të modelit perëndimor nën drejtimin e LDK-së ishte sfida më e madhe që shqiptarët i bënin Serbisë, e cila ndërkohë kishte angazhuar makinerinë e luftës për të kundërshtuar procesin e pavarësisë së Kosovës. Dhe, si reaksion i këtij organizimi dhe ndërtimi të këtyre shtyllave të shtetësisë së Republikës së Kosovës, Serbia ndërmori një fushatë të egër shtypëse, duke përdorur forma të ndryshme të dhunës, represionit, të një lufte speciale, si të keqtrajtimeve të popullatës, sidomos të veprimtarëve dhe aktivistëve të çështjes kombëtare, me përndjekjet dhe burgosjet e tyre etj. Edhe përkundër kësaj gjendjeje shtypëse që krijoi politika hegjemoniste serbe ndaj Kosovës dhe popullit të saj, shqiptarët kishin përcaktuar vetes rrugën e tyre – synimin e idealit të lirisë dhe pavarësisë. Edhe pse okupuesi serb me politikën e tyre ekspansioniste, kishin për qëllim zhbërjen e çdo gjeje shqiptare, prandaj shqiptarët ndjeheshin të obliguar që përmes veprimit, edhe pse ndjeheshin të rrezikuar, t’i gjenin format e tyre të mbijetesës. Ishin kohë kur mbijetesa bënte jetën shqiptare. Ideali i shqiptarëve për të vazhduar rrugën që i kishin përcaktuar vetes thyente të gjitha vështirësitë. Meqë okupuesi serb kishte okupuar të gjitha të gjitha segmentet e jetës së shqiptarëve, përkatësisht kishte mbyllur të gjitha objektet ku shqiptarët deri atëherë kishin zhvilluar veprimtaritë e tyre dhe nuk lejonte që këta të zhvillojnë jetën e tyre arsimore, kulturore, shoqërore etj. Shqiptarët ishin të obliguar që të gjejnë alternativa të tjera për ta zhvilluar jetë e tyre. Edhe pse rrezikoheshin u gjenden idealistë të shumtë të cilët shtëpitë – odat e tyre i shndërruan në tempuj të arsimit, kulturës etj. Kështu që Oda e burrave u bë vatër e aktiviteteve të shumta, u shndërrua edhe vatër e dijes dhe e diturisë kombëtare, edhe akademi, edhe shtëpi e kulturës, edhe parlament, po ashtu luante cilindo rol që kërkohej në shërbim të kauzës. Gjatë këtyre viteve, unë bashkë me familjen tim, edhe përkundër rrezikut që na kanosej, u gjendem të gatshëm që odën që kishim ta vëmë në shërbim të kauzës për zhvillimin e veprimtarive të ndryshme politike, kulturore etj. Pra, edhe përkundër shumë kërcënimeve, shantazheve dhe presioneve që na i bënin policia serbe, hapëm dyert e kësaj ode në të cilën u bënë shumë punë, shumë veprimtari të fushave të ndryshme. Në këtë odë u mbajtën qindra mbledhje të LDK-së, e cila parti në atë kohë ishte një lëvizje gjithëpopullore dhe bartëse e gjitha segmenteve të jetës institucionale në Kosovë, po ashtu edhe në Klinë; u mbajtën veprimtaritë shumta nga fusha e kulturës, pra aktivitete kulturore, orë letrare, tribuna shkencore, promovime të lirave etj. Përpos LDK-së në këtë tempull të asaj kohe veprimtaritë të tyre i kanë zhvilluar edhe FISH “Luigj Gurakuqi”, PSHDK, KL “Vorea Ujko” etj. Gjatë kësaj kohe kjo odë në vazhdimësi ka qenë në shënjestër të policisë serbe. Janë të shpeshta rastet kur policia serbiane ka ndërhyrë gjatë zhvillimeve të veprimtarive të ndryshme, ka arrestuar dhe keqtrajtuar veprimtarë të shumtë. Po ashtu kjo shtëpi disa herë është bastisur dhe kjo familje është kërcënuar, shantazhuar dhe arrestuar, krejt me qëllim që të pengojë zhvillimin e veprimtarive në këtë shtëpi. Nuk ë është modesti këto fjalë të dalin nga goja ime, mirëpo më duhet të konstatoj se përkundë të gjitha këtyre sulmeve që ka ushtruar policia serbiane kjo shtëpi nuk i ka vënë drynin asnjë aktiviteti apo angazhimi në shërbim të kauzës kombëtare. Kulla u kthye në një qendër të fortë për propagandën dhe përpjekjen për Pavarësinë e Kosovës, duke mbjellë populli, e veçanërisht tek rinia forcën e bashkimit dhe dashurisë mes njëri-tjetrit.

Si shprehje e këtij vlerësimi, Forumi i Intelektualëve “Luigj Gurakuq” në Klinë, në krye me intelektualin dhe veprimtarin prof. Pal Canaj, në këtë shtëpi kanë vendosur një pllakë përkujtimore. Për ne familjen Mrijaj, ishte shprehje vlerësimi për atë çka familja jonë në kohën kur ky popull dhe ky vend në kohë kur më tepër se kurdoherë më parë kishte nevojë për t’ju gjendur pranë, ne iu gjendem me gjithë potencialin dhe mundësitë çfarë kishim.

Kjo pllakë që u vendos në shtëpinë tonë do të shërbejë si memorie historike për brezat tanë, që edhe ata ta dinë se lufta e shqiptarëve për liri dhe pavarësi është e hershme dhe e shumanshme sa, edhe vetë përpjekjet e këtij populli, i cili lirinë dhe pavarësinë e kishte gjakim gjatë tërë rrugëtimit të tij historik”, është shprehur ndër të tjera Martja.

Veprimtari i palodhshëm i çështjes sonë, profesor Pal Canaj, profesor shumëvjeçar në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë, duke rrëfyer për veprimtarinë e Marte Gojanit – Mrijaj, ndër të tjera shprehet:

“ Me këtë veprimtare më ka rënë të njihem qysh herët dhe se ne shumë aktivitete na kanë rënë të jemi bashkë. Ishte një veprimtare e palodhshme. Aktivitetet e saj janë të shumta dhe tepër të rëndësishme.

Pikërisht këto oda tona u shndërruan në institucione në shkolla, parlamente, dhe kushtrim të lirisë për ushtrinë çlirimtare të Kosovës dhe këto oda e kanë simbolikën e tyre shumë domethënëse për liri demokraci dhe shtetësi të Kosovës. Në ato ditë të para të viteve ’90 kur kemi ardhur këtu në kë odë i kemi thënë Martës dhe birit të saj Kolës a banë të na lironi këtë odë ti mbajmë aktivitetet tona të gjithmbarshme kombëtare, këta të dy më thanë, se veç një herë me ke pyetur ma s’ke nevojë pra e kemi pasur traditën e një burrneshe malësore trime të nënës Marte, Kolës pa përjashtuar në asnjë mënyrë edhe mbështetjen e fuqishme të Tomës, i cili përherë na ka ndihmuar edhe në aspekte tjera të natyrave të ndryshme andaj u jemi mirënjohës kësaj ode, këtij vendi dhe gjithë atyre që kanë kontribuar edhe me veprimtari të tjera përgjatë asaj kauze kombëtare.

Veprimtaria e Marte Mrijajt gjatë këtyre viteve ishte mjaft e dendur dhe tejet e frytshme. Ajo në kuadër të Aktivit të Dytë të LDK-së dhe Forumit të Gruas të LDK-së kreu shumë punë, shumë angazhime në shërbim të çështjes kombëtare. Për shkak të aktivitetit të saj dhe lëshimit të shtëpisë në shërbim të kauzës kombëtare, ishte në shënjestër të organeve policore serbe, mire edhe përkundër shumë kërcënimeve, shantazhimeve, kjo grua asnjëherë nuk u zmbraps, sepse ideali i saj për lirinë dhe demokracinë e këtij populli mposhtnin të gjitha ato rreziqe të cilat vinin nga pushtuesi serb”, u shpreh prof. Canaj.

Gjatë kësaj periudhe veprimtarja Marte Mrijaj përpos sume aktiviteteve dhe angazhimeve në shërbim të kauzës kombëtare, ajo, kryesisht me shumë veprimtare të Forumit të Gruas të LDK-së dhe veprimtarë të LDK-së mori pjesë në organizimin e aktiviteteve të ndryshme, po ashtu ishte pjesëmarrëse në shumë demonstrata, si me rastin e bylljes se heqjes se bustit të Luigj Gurakuqit në Klinë, në gjimnazin që mbante po këtë emër, pastaj po ashtu në demonstratat në mbrojtje të arsimit shqip në Kosove, me rastin e vrasjes se familjes Jasharaj etj., etj.
 

Respekt dhe mirënjohje për punën dhe angazhimin e Marte Mrijajt në shërbim të çështjes kombëtare

E pajisur me një krenari shumë të theksuar dhe me një dashuri të palëkundur për racën e vet dhe për traditat e veta si komb, Marte Mrijaj, u shqua për dashuri ndaj atdheut dhe popullit të saj. Guximtare përtej mase, e zgjuar, e lidhur me popullin e saj. Zemra e saj e madhe, mençuria dhe guximi e saj bënë që, ajo të përballojë e kapërcej pengesat që dilnin përpara. E frymëzuar nga lëvizja gjithëkombëtare e LDK-së, rreth të cilës parti qenë bashkuar shqiptarët si kurrë më parë në historinë e tyre.
Ajo nuk ndiente lodhje dhe nuk ndalej së vepruari, në organizimet për veprime kombëtare.

Ajo, pa përtesë dhe me vullnet kryente punët që i caktoheshin, pavarësisht pengesave dhe rreziqeve që shfaqeshin në rrethanat e kohës.
Ajo merrte përsipër gjithë përgjegjësinë, veprim ky që rinisë dhe popullit i jepte kuraje dhe bënte që ata me Marten në mes të ndiheshin të sigurt, të pamposhtur.

"Ne shqiptarët, tani jemi më afër se kurrë më parë realizimit të dëshirave kombëtare, për çka ne duhet të mbahemi të fortë, gjithmonë duke u mbështetur në njëri-tjetrin, e në veçanti në rininë", thoshte ajo.

Ishte një grua me shikim plotë gjallëri, me tipare burrërore. Ajo nuk kundërvepronte ndaj njerëzve të ligë. Por, iu shmangej situatave që mund të krijonin përplasje të dhunshme ndër shqiptarë.
Kërkonte dhe gjente paqen për ta, të cilët më pas i bëheshin shërbëtorë të nderit dhe karakterit të tij njerëzor.

Pavarësisht nga situatat e egra të regjimit, ajo kishte një shpirt të lirë, e cili vepronte sipas vullnetit të vet dhe bëhej bartëse e veprimeve të veta.

Romani “Dashuri e traditë” sublimim i punës dhe angazhimit intelektual

Marte Mrijaj në vitin 2018 ka botuar romanin “Dashuri e traditë”, botuar në SHB “Meshari” në Prishtinë, që është sublimim i punës dhe angazhimit të saj.

Romani ngërthen një temë tepër interesante dhe me imazhe dramatike, që kryesisht lidhet me fatin e një dashurie e përcjellë me çaste me esenca katrahure. Libri vjen në një kohë kur zënkat, debatet, mërzia, inatet dhe mëritë kanë zënë rrënjë të forta në shoqërinë shqiptare, kudo që jetojnë dhe veprojnë shqiptare. Kjo ndjenjë akoma ruhet me fanatizëm edhe në vendet më më zhvillim dhe që kanë arritur shkallën më të lartë të emancipimit, siç është edhe Amerika e mundësive të mëdha, ku kjo shprehje tek komuniteti shqiptar akoma është prezent dhe ruhet si relikt i së kaluarës.

E në këtë kohë, kur njerëzit janë bërë më të distancuar nga njëri tjetri, romani “Dashuri e traditë”, është ilaçi më i mirë për të kuruar shpirtrat trazuar dhe për sjellë risi tek to, ndjenjën më të bukur: DASHURINË, të cilës autorja Mrijaj iu ka qasur në këtë roman.

Romani “Dashuri e traditë”, ka vlera dhe lexuesi do të gjejë shumëçka që do t’i shërbejë në jetë.

Autorja Marte Gojani - Mrijaj, me këtë vepër dëshmoi se është krijuese e frytshme, të cilës nuk i mungoi asnjëherë imagjinata, puna këmbëngulëse, madje as guximi për t’iu qasur krijimit letrar.

Marte Mrijaj: Të jetosh larg atdheut do të thotë të këpusësh njërën gjymtyrë të trupit

Marte Mrijaj ka disa dekada që jeton dhe vepron në Amerikë, përkatësisht në Nju Jork. Për një kohë as atje nuk i ka munguar aktiviteti dhe angazhimi i saj në të mirë të komunitetit të diasporës shqiptare, por edhe të atdheut.

“ Mërgimi është një plagë e rëndë që rëndon shpirtin e cilido mërgimtar. Të jetosh larg atdheut do të thotë të këpusësh njërën gjymtyrë të trupit. Megjithatë, ne mërgimtarët që kemi vepruar për lirinë dhe demokracinë e vendit, ngado që shkojmë një grusht dhe e bartim me vete si shprehje e dashurisë ndaj atdheut tonë të shtrenjtë”, shprehet Martja e cila në vijim shton se rreth angazhimit tim në të mirë të atdheut dhe kombit nuk do të dëshiroja të flas, sepse mua nuk me takon, ju takon të tjerë, mirëpo në shenjë respekti dhe mirënjohje dëshiroj t’u shpreh homazh dy mikeve të shtrenjta dhe bashkëpunëtoreve të pandashme, znj. Hatixhe Berisha, ish-kryetare e FG të LDK-së (Martja ishte nënkryetare e këtij Forumi) dhe znj. Nusrete Syla, të cilat deri në frymën e fundit të jetës angazhimin e tyre nuk e ndalen në të mirë të kombit. “Kishte edhe shumë nëna dhe gra të tjera, të cilat nuk kanë kursyer asgjë në të mirë të Kosovës. Ishte një obligim modest kundrejt asaj që meritonte atdheu dhe populli shqiptar, i cili ishte i robëruar nga pushtuesi serb”, shprehet veprimtarja Marte Mrijaj.

Kështu, për qytetarët e Klinës dhe brezi me të cilin jetoi dhe veproi Marte Gojani- Mrijaj, angazhimin e saj të pandalshëm dhe të pakursyer, nuk do ta harrojnë kurrë dhe do t’i janë mirënjohës.

Image
  1. Dokument i sigurimit serb qe dëshmon faktin qe Marte Gojani Mrijaj ishte ne shenjester te sigurimit serb per  shkak te angazhimit dhe veprimtarive atdhetare
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat