Kronikë prilli - Bota Sot
Kronikë prilli

Diaspora

Kronikë prilli

Më: 7 maj 2020 Në ora: 06:10
Foto ilustrim

Jeta njerëzore është gjunjezuar përpara virusit që po terrorizon globin. Ekonomia është në pauzë. Vetëm pak shërbime janë aktive , ndërkohë që shumë të tjera janë mbyllur dhe presin sinjalet e politikës , me shpresë ,pa shpresë në pritje të një vendimi për rizgjim.

Rrugët i ka pushtuar heshtja, shkollat po ashtu. Qyteti që nuk flen kurrë po jeton ndoshta ditët e veta më të vështira.

Të vetmet vende ku jeta dylufton me vdekjen, me jetën , me sfidat e pafundme janë spitalet .

Prej 5 vitesh punoj në Coney Island Hospital , një prej korporatave më të mëdha të shërbimit shëndetsor e lokalizuar në jug të Brooklynit . Një prej instiucioneve ku punojnë shumë shqiptarë , nën dijen time 35 punojnës shqiptarë (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi)nga ku kemi infermjerë ,ndihmës infermjerë , teknikë , ndihmës mjekë.

Nëse njerëzimi sot ndjehet i dëshpëruar nga ngujimi në shtëpi thirrja e gjithkujt është :''qëndro në shtëpi!'' Nëse shtëpija dhe izolimi në të ju duket dramatik po përshkruaj vetëm një ditë pune në spital. Pastaj gjykoni vete ...

Spitalet tashmë si shumcka perreth kanë marrë pamje tjetër, zbrazëtia duket që në hyrje. Gjithkush ndërron rrugë kur sheh një tjetër jo vetëm për të respektuar distancën , por edhe se veshjet protektive (PPE) nënkuptojnë ekspozim në zona të kontaminuara. Tashmë spitalet janë të kontaminuara, shumë pjesëtarë të stafit rezultojnë me Covid pozitiv, pavionet janë vënë në dispozicion të të sëmurëve shumica e të cilëve janë pre e pandemisë. Mjaft prej departamenteve nuk funksionojnë si më parë. Vizitat , televizitat, i kanë lënë vendin një beteje tjetër ; asaj me pacientët që i drejtohen spitalit për emergjenca jetësore .Brenda në dhoma beteja me jetën është e heshtur, hektike, tragjike, e dhimbshme, lehtësuese. Aty mundet ti gjesh të gjitha nuancat e dhimbjes ; kur mosha është e re, kur vuajtja është e madhe, kur mosha është e vjetër apo kur abuzimi me jetën ka qenë ekstrem. Aty mund te takosh ne vetem pak minuta te gjitha segmentet e jetes; lindjen, semundjen, shpresat, dhimbjen, vdekjen, ngadhnjimin mbi te.

Pak më tutje ndodhen mjekët ; ata janë të lodhur deri në ekstrem, fluksi i madh i pacientëve, tërësia e sëmundjeve shoqëruese,befasia covid, enigma e trajtimit të tij,proçedurat e pafundme burokratike , pa folur pastaj për aspektin njerëzor të gjithsejcilit ku familja, meraku se ky infenksion e prek aq lehtë njeriun dhe transmetohet permes aq shumë formave të tejnjohura tashmë. 

Janë gjendje të cilat u reflektohen në sytë e lodhur dhe fytyrat e zbehta.Askush nuk e ka recetën e vërtetë anticovid, gjithkush ka një terësi teorish ku mungon formula përfundimtare që do t’ju jepte buzëqeshje fytyrave të mjekëve dhe shpresë e jetë pacientëve ndërsa qyteteve jetë dhe gëzim.

Duket ende e largët kjo ditë edhe pse ne që punojmë nën këtë trysni ia duam më shumë se kushdo ngjyrat jetês .

Por drama nuk mbaron këtu, në fakt ajo këtu vetëm sa fillon. Beteja e heshtur me jetën brenda spitaleve ka edhe aktin tjetër, atë më dramatikun ku fëmija nuk sheh dot prindin e sëmurë,kur bija nuk mundet të njomë buzët e thara të nënës që rënkon në vetmi, ku njeriu mbyll sytë i vetëm pa thënë amanetin, pa puthur, a e puthur të shtrenjtët e vet.Njeriu ikën i vetmuar nga kjo botë edhe kur bota e tij është plot. 

Dhe kjo dramë ndodh disa herë në ditë , qindra herë në javë , mijëra e mijëra herë në muaj. Ka pesë muaj që kjo dramë nuk resht së luajturi ca akte që as imagjinata nuk i koncepton dot e në fakt kjo real dramë mu përpara syve tanë prodhon emra , viktima, heronj , lot përmes akteve që nuk dihet se kur do të marrin fund.

Sot një mik i shtrenjtë më dergoi disa vargje motivuese, inspiruese, edukuese me të cilat e nisa ditën , i vendosa mbi tryezat e gjithsejcilit dhe lexova buzëqeshje në sytë e tyre ndërsa i lexonin. Ata nuk janë heronj ndoshta por kurrsesi nuk duhet të jenë as viktima të kësaj fatkeqsije globale. Ca spote tingujsh të shkurtër jehojnë herë pas here në gjithë korpusin spitalor. Janë të mbushura me ritme që thërrasin për besim dhe shpresë dhe duan të falin besim dhe shpresë ndër ne sakaq.

Ditët me covid 19 në spital mbartin shekujt brenda. Aty ndodhen e djeshmja shumvjeçare që shuhet, teknologjia e re që pulson, është jeta, është vdekja, është lutja është edhe lehtësimi e falenderimi. 

Duart e mjekut janë si ato të zotit, pa kujdesin e tyre jeta është viktimë , ajo dorëzohet, gjunjëzohet, shuhet. Prandaj ata i quajme heronj , nuk janë heronj , por njerëz të brishtë ,i duam heronj sepse na duhen të tillë që jeta të triumfojë , si më parë...

Publikuar tek Diasporashqiptare.al
Marjana Bulku 

Prill 2020

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat