Solidariteti i shqiptarëve të Trevizos si shembulli më i mirë në Italinë e koronavirusit - Bota Sot
Solidariteti i shqiptarëve të Trevizos si shembulli më i mirë në Italinë e koronavirusit

Diaspora

Solidariteti i shqiptarëve të Trevizos si shembulli më i mirë në Italinë e koronavirusit

Nga: Gëzim Muçolli Më: 19 korrik 2020 Në ora: 12:00
Trevizo

Lajmet për një virus të ri që po shkaktonte probleme të mëdha në frymëmarrje dhe po i shtrinte njerëzit e sëmurë përdhe rrugëve të qytetit, që filluan të vinin nga Kina e largët duke rrjedhur dalëngadalë  p֝ërtej barrierave ideologjike dhe diktatoriale të Pekinit, filluan të brengosin vendet e Europës e sidomos Italinë e cila qysh nga mesi i shkurtit u bë vend i përhapjes së tij.

Pacienti “zerro” i dyshuar në qytetin Lodi të Lombardisë si dhe viktima e parë në qytezën Vo të provincës së Padovës në Veneto, ishin dëshmi të rrezikut i cili u rrit nga dita në ditë duke pëfshirë gjithë territorin e Italisë. Qeveria italiane ndërmorri masa urgjente duke iu përmbajtur udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke urdhëruar masa shtërnguese që kufizuan edhe lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve duke shkelur edhe parimet themelore të disa drejtave të njeriut.

Si pasojë u mbyllën edhe fabrikat dhe shumica e veprimtarive ekonomike, industriale e tregtare duke u përpjekur që të parandalohej përhapja e virusit dhe të mbrohej popullsia. Shtrirja kapilare e virusit për një kohë të shkurtër bëri që Italia të gjunjëzohej meqenëse numri i të infektuarve po rritej me shpejtësi përditë kurse numri i të vdekurve nga pasojat e komplikimeve shëndetësore të shkaktuara nga Covid-19 po ngritej përditë deri afër numrit njëmijë brenda 24 orësh.

Image

Paralizimi i sistemit ekonomik italian nga ngushtimi i detyruar i veprimtarive prodhuese si dhe ngulfatja e sistemit shëndetsor dhe spitalor nga numri i madh e i paparashikuar i të sëmurëve dhe rritja e rasteve të vdekjeve që deri tash arritën të kalojnë edhe numrin 35 mijë, nuk e ndalën asnjëhere shpirtin human dhe vullnetin e mirë të njerëzve në Gadishullin Apenin. Para syve të të gjithëve, derisa familjet po kalonin ditë të vështira të karantinës dhe të izolimit të detyrueshëm, ndodhi ajo që diktonte realiteti i ri: nevoja e njerëzve  për ti ndryshuar gjërat dhe situatën, ku kontributi personal apo kolektiv i bërë me entuziazëm dhe vullnet rriti vlerën humane duke krijuar një faqe të re në historinë e pafund të asaj pasurie në formë trashëgimie qytetare, praktike, shpirtërore e materiale e cila është shfaqur dhe dhuruar përherë si në raste të kaluara .

Në Republikën e Italisë zhvillimi i patologjisë së Covid-19 pati dallime në regjionet ku u shtri, sepse vetë gjeografia dhe dallimet ekonomike-sociale varen nga niveli i zhvillimit territorial dhe mentaliteti lokal i cili sado që duket o parëndësishëm në shikim të parë, dihet se trashëgimia historike ka luajtur rol në psikologjinë e njerëzve qysh nga koha e austriakëve dhe francezëve në zonat veriore ashtu edhe nga borbonët e spanjollët në jugun e pazhvilluar mjaftueshëm të Italisë.

Regjioni Veneto në verilindje të Italisë është zonë me përqindje të madhe të mërgimtarëve shqiptarë nga Kosova ku ata kanë më shumë se një çerek shekulli të jetës dhe punës. Lidhjet historike të këtij regjioni, që dikur ishte zemra e Republikës Serenissima të Venedikut, me popullin shqiptar, gjithëmonë janë kujtuar në raste të ndryshme dhe në aktivitete të shoqatave kulturore të mërgatës shqiptare, duke krijuar kushte për njohje, për hapje të ndërsjellë dhe integrim interkulturor dhe afirmim të komunitetit shqiptar në Itali.

Image

Pikërisht kultura e organizimit dhe efikasiteti i sistemit shëndetësor dhe ekonomik në Veneto, bëri që masat e ndërmarra nga regjioni Veneto i prirë nga governatori Luca Zaia të jenë efikase dhe shpëtimtare përballë vështirësive reale të diktuara nga dekretet e shpallura nga qeveria italiane dhe masave shtërnguese nga autoritetet mjekësore. Presidenti Zaia fitoi simpatinë e të gjithëve me punën e tij të madhe programore ku qysh  në fillim ai thirri ekspertët e mirënjohur shëndetësorë të Universitetit të Padovës të cilëve iu besoi pa ndërhyrje  që të krijojnë planin e mbrojtjes së popullsisë dhe këtu pati rol të madh profesori i virologjisë Andrea Crisanti i cili me karantinimin total trejavor me tri përsëritje periodike të testimit kolektiv arriti ta zhdukë Covidin nga qyteti Vo, që ishte vatër e parë të infektimit.

Në frymë të bashkëpunimit dhe të efikasitetit, për t’iu bërë ballë vështirësive të shkaktuara nga rrethanat e epidemisë, në xhirollogarinë e hapur të solidaritetit në Regjionin Veneto përditë u shtuan shumat e eurove të dhuruara për të përkrahur punën e madhe për t’i ardhur në ndihmë familjeve dhe individëve të ngelur pa punë dhe pa të ardhura materiale për të siguruar ekzistencën.

Vullnetarët dhe shoqatat e tyre në gjithë Veneton sipas vlerësimeve janë një thesar human të përbërë nga një milion e njëqindmijë qytetarë, që janë një burim i pashterrshëm i organizimit social plot shkathtësi dhe fleksibilitet për të hulumtuar dhe orientuar kontributin e tyre në projekte ndaj nevojave të evidencuara siq janë: të miturit dhe kriza e varfërisë edukative, të moshuarit e vetmuar pa ilaqe e pa furnizim me ushqime, familjeve më në nevojë, njerëzve të braktisur e të pastrehë, rrjetit të dërgimit në shtëpi të gjërave ushqimore, ilaqeve ,transportit dhe mjekimit dhe  personave të sëmurë dhe me aftësi të kufizuara, situatave të autoizolimit vullnetar të diktuar nga situata e emergjencës ekstreme si dhe përgjigjies së nevojave të fqinjësisë dhe asistencës primare vullnetare të organizuar apo shpeshherë spontane.

Image

Governatori i Venetos Luca Zaia gjatë tërë kohës në vazhdimësi ishte transparent dhe krijoi një komunikim të sinqertë me qytetarët në konferencat e rregullta të mbrojtjes civile duke përmendur dhe falenderuar përditë qytetarët e të gjitha moshave, firmat dhe sipërmarrësit italianë që kontribuan në fondin regjional solidaritetit.

Por ai u falenderua me mirënjohje të thellë ndaj një donacioni të papritur dhe të veçantë që në fillim të këtij muaji e pranoi nga një delegacion i bizneseve shqiptare në provincën e Trevizos. Me këtë rast z. Luka Zaja, gjatë pritjes që organizoi në qytetin San Vendemiano që është edhe vendlindja e tij, ai shprehu mirënjohjen e tij duke thënë; “ Faleminderit pa kufinj këtyre djelmoshave për senzibilitetin dhe solidaritetin e dëshmuar ndaj Italisë dhe ndaj Venetos”.

Si lindi idea e këtij aksioni humanitar të mërgatës shqiptare të Trevizos që shkaktoi reagime të shumta pozitive në mesin e italianëve? Ishte iniciativa dhe bashkëpunimi midis nënkryetarit të Rrjetit të bizneseve z. Bedri Suka, dhe afaristit z. Hetem Zogaj, të cilën pastaj e përkrahën dhe iu bashkangjitën edhe nga afaristë të tjerë si  Rrahim Krasniqi , Albert Bashota, Mursel Kodra, Sherif Asllanaj, Xhevat Zemaj , Imer Berisha, Bekim Besimi, Mejdi Bislimi, Gëzim Desku, Zeqir Zogaj, Burim Obrazhda, Kadri Kololi, Kristian Palokaj, Fuad Agushi, Shpresart Ahmetaj, Naim Bytyqi, Erion Kololi, Lulzim Gashi, Albion Suka, Ilir Shala, dhe Hasan Shala. Ata e ndien veten të nderuar dhe krenarë që patën mundësi të jenë nxitës dhe pjesëmarrës të një aksioni që do të mbetet si akt human kolektiv që cilëson komunitetin shqiptar si një nga më të përparuarit dhe shembull i shkëlqyeshëm i integrimit të plotë në shtetin dhe shoqërinë italiane.

Image

Shuma prej 11 mijë euro në çekun e dorëzuar në Fondin e solidaritetit të regjionit Veneto iu  dha presidentit Zaia duke kujtuar gjithmonë mirënjohjen për shtetin e Italisë dhe ndihmën gjatë luftës në Kosovë dhe pas saj. Duke kujtuar shprehjen se e mira kthehet gjithmonë me të mirë.Dhe kjo u përsërit edhe gjatë bashkëbisedimit të kryetarit të Venetos me shqiptarët e Trevizos, ku ai u informua hollësisht në lidhje me aktivitetete e tyre të shumta. Z. Admir Zogaj student foli për gjeneratën e re që studiojnë në universitetet e Venetos ,për projektet për integrimin e tyre në të ardhmen në institucionet lokale dhe shtetërore.

Z. Bajram Desku, aktivist i mirënjohur nga Quinto di Treviso, inicues dhe bartës i shumë veprimtarive kulturore që e bënë të njohur kudo komunitetin shqiptar duke thyer përfundimisht barrierat e izolimit dhe duke realizuar edhe projektin madhor të inaugurimit të monumentit votiv me shtatoren e shenjtores shqiptare Nënë Terezës e njohtoi presidentin e Venetos me historikun e aktiviteteve dhe sukseset e integrimit dhe bashkëpunimit interkulturor, Poashtu edhe për bashkëpunimin dhe përkrahjen që kanë nga Ambasada e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë në Romë si dhe konsullatat në Milano.

Presidenti Zaia duke falenderuar lavdëroi punën e tyre dhe angazhimet e shumta, tha se kishte kohë që merrte njohtime për sukseset dhe veprimtaritë kulturore të këtij komuniteti nëpërmjet zyrtarëve nga komuna dhe provinca e Trevizos si dhe miqve të tij që jetojnë në atë zonë. E për të mbyllur këtë takim në shenjë solidariteti dhe zemërgjerësie z. Hetem Zogaj i dhuroi presidentit Zaia një simbol të begatisë së Kosovës, një gur me kristale të minierave të Trepçës si dhe z. Bajram Desku ia dha dy prodhime origjinale shqiptare , një shishe me konjak “Skenderbeg” dhe një punim artizanal autokton me flamur kuqezi të qëndisur me dorë.


Komuniteti i shqiptarëve nga Kosova që jetojnë në këtë zonë të begatshme të Italisë nëpërmjet z. Bajram Desku i cili tashmë njihet si pikë referimi për autoritetet italiane për angazhimet e tij të shumta në krijimin e raporteve të shkëlqyera interkulturor, ka njohtuar se nuk do të ndalen me kaq por kanë nxitur edhe procesin e binjakëzimit të komunës Quinto di Treviso me qytetin e Klinës në Kosovë, si dhe për iniciativën që nënkryetari i kësaj komune Mauro Dal Zilio, i cili gjatë dy mandateve të kaluara si kryetar kishte kontribuar shumë për mirëqenien dhe integrimin e shqiptarëve, të nderohet me titullin Qytetar Nderi i komunës së Klinës.

Natyrisht se angazhimi i Bajramit me shokë nuk përfundon me kaq por pritet në të ardhmen edhe realizimi i një projektit për ngritjen e përmendores së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skenderbeut në një nga sheshet e qytetit të Venecias, duke i dhënë shtytje dhe ngritje niveli, veprimtarisë patriotike dhe diplomacisë kulturore në këtë regjion të Italisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat