Një vepër e dashurisë së mërgimtarëve për strehën e moçme

Diaspora

Një vepër e dashurisë së mërgimtarëve për strehën e moçme

Nga: Shyqeri Sejdijaj Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 14:01
Qerim Kryeziu

Ditë më parë doli nga shtypi libri i Qerim Kryeziut “Reflektime letrare e shënime kulturore nga mërgata”. Nëse dikur është trajtuar si koncept historik e sociologjik, sot mërgata shqiptare patjetër duhet të studiohet edhe si koncept kulturor sepse në kohën tonë e ka të pasur botën e vet kulturore.

Po kush është Qerim Kryeziu?

Qerim Kryeziu u lind në Mleqan të Malishevës. Shkollimin fillor e të mesëm e mbaroi në vendlindje. Në Prishtinë mbaroi Fakultetin Filologjik pastaj edhe studimet pasuniversitare. Në Televizionin e Prishtinës - TVP (në Programin Arsimor Shkollor) ka punuar nga 1986 deri në mbyllje të dhunshme të RTP-së nga Serbia më 5 korrik 1990. Për një kohë punoi në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës si profesor i gjuhës shqipe. Në vitin 1998 largohet nga Kosova dhe vendoset në Suedi. Në vitin 2000 nisa punën pedagogjike në komunën e Ostorpit ku vazhdon edhe sot si mësues i licencuar.

Veprimtaria e tij në Suedi në sferën arsimore për gjuhën shqipe është e gjerë dhe përpjekjet e tij për të ndihmuar jetën kulturore të komunitetit shqiptar janë të parreshtura. Gati për dhjetë vite ka redaktuar materialet e Kuizit të Diturisë për nxënës shqiptarë. Ky Kuiz ishte i mirënjohur në Suedi. Në Qendrën Kulturore të Kosovës në Suedi ka drejtuar/moderuar të gjitha veprimtaritë kulturore. Ka bashkëpunuar me shtypin e mediat elektronike shqiptare në Kosovë e Shqipëri. Ndërkaq në televizionin e vetëm shqiptar në Suedi “AlbSe” ka realizuar dhjetëra intervista me poetë, aktorë, regjisorë, piktorë, doktorë shkencash dhe personalitete tjera kulturore që jetojnë e veprojnë në mërgatë. Gjurmon lidhjet letrare kulturore shqiptaro-suedeze, veçanërisht letërsinë e Ismail Kadaresë të përkthyer në suedisht.

Aktualisht jeton e vepron në qytetin bregdetar në Helsingborg të Suedisë.

Si erdhi ky libër?

Erdhi si rezultat i studimeve të mija, si fryt i dashurisë që kam për gjuhën shqipe dhe si vlerësim imi sipëror për trashëgiminë tonë kombëtare, brenda e jashtë territoreve shqiptare. Për të shkruar librin me ndihmoj edhe puna ime publicistike në këto dy-tre vitet e fundit si autor e redaktor i programit “Kultura në AlbSe”. Gazetaria më ka vërë përballë krijuesve të dëshmuar në mërgatë. Prezenca ime në botën e krijuesve mërgimtarë (në mënyrën më të mirë gazetareske), me ka obliguar të shkruaj. Edhe këtë e quaj arsye tjetër të fortë që e përshpejtoi botimin e veprës në këtë nëntor. E nëntori është me plot histori shqiptare. Ndjehem shumë mirë, nëse sadopak, me këtë vepër të botuar nderoj lavdinë e nëntorëve shqiptar. Unë, në këtë libër, pohoi dhe ngre lart dashurinë e gjithë mërgimtarëve për strehën e moçme, për nëntorët e lirisë e për synimet e përbashkëta drejt ardhmërisë sonë.

Cilat janë temat që kap libri yt?

Libri ka dy pjesë, pjesën me reflektime mbi letërsinë e autorëve që kam lexuar apo intervistuar dhe pjesën me shënime kulturore mbi veprimtaritë kulturore të komunitetit tonë në Skandinavi. Reflektimet mund të quhen edhe interpretime letrare, ndonëse si të tilla nuk mëtojnë të shqyrtojnë në plotëni veprimtarinë e akëcilit autorë. Ato, (reflektimet) fillojnë si të tilla dhe përfundojnë pa kaluar horizontin e këtij determinimi. Nëse me pak fjalë e paraqesim tematikën, atëherë them se është letërsia subjekt tematik në pjesën e parë kurse publicistika si rikujtesë kulturore në pjesën e dytë. Pjesa e dytë ka edhe vlerën e një kronike të shkruar mbi gjithë ato veprimtari kulturore që ne i organizuam në kuadër të Qendrës Kulturore të Kosovës apo edhe në kuadër të Unioneve e Shoqatave tjera shqiptare në Suedi.

Kush janë ata që patjetër duhet ta lexojnë veprën tënde?

mendoja lexuesit/receptuesit, atëherë përpiqesha që librin ta shkruaj për të gjithë. Kur them për të gjithë mendoj për lexuesit që e kanë pasion leximin e informimin. Pjesa e parë e librit lexohet (pa bezdisje) nga kushdo që e do letërsinë, që e kupton reflektimin e interpretimin letrar. Pjesa e dytë lexohet me lehtësi (ndoshta edhe me kënaqësi) nga mërgimtarët. Sidomos nga mërgimtarë tanë në Skandinavi. E them edhe në Parafjalë se libri i kushtohet dashurisë së mërgimtarëve për atdhe. E si autor, jam përpjekur të shkruaj me dashuri. Kur zemra dikton me dashuri edhe mendja disiplinohet dhe në pajtueshmëri me njëra tjetrën renditë mendimet. Me vjen mirë që dashurinë- si sepal të veçantë të ndjesisë sime për mërgimtarët, e ka hetuar redaktori dhe recensentët e librit. Dhe me kanë komplimentuar për këtë cilësi shkrimi. Tek e fundit, për dashurinë që mërgimtarët kanë për Atdheun, nuk mund të shkruhet ndryshe veçse me dashuri.

Shkurtimisht si e gjete mërgatën kur u bëre pjesë e saj dhe si e vëren sot?

e gjeta mërgatën..., oh një pyetje e lehtë kjo e juaja, që do të humbet në përgjigjen time të rëndë. Unë kam ardhur në Suedi në fillimet e stinës së luftës të vitit 1998, atëherë kur viktimë e parë e agresionit serb në Kosovë u bë liria jonë. E pa liri nuk jetohej dot. Erdha, sepse nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër. Ardhja këtu u bë posaçërisht e rëndë kur kuptova se kthimi im i serishëm atje, mund të bëhej vetëm me pushkë në krah. Apo, edhe mund të paramendohej si një pamundësi kthimi, a si një lamtumirë e përjetshme Kosovës. Kjo ndjesi të mjeronte, të vdiste pak nga pak në atë kohë. Atëherë kur nuk mund ta ngushëlloja vetën, pozicioni ynë më dukej edhe më i shkatërruar, edhe më poshtërues se kalvari i mbretit Gent. E kur arrija të shikoja përtej horizonteve (atëbotë krejt të errësuara nga lufta) qenia ime keq e trazuar, qetësohej. Qetësia ime shpirtërore (dhe e të tjerëve, besoj) sikur inhalohej me oksigjen nga veprimet e shpejta diplomatike botërore e nga aksionet e zjarrta luftarake të UÇK e të Natos në Kosovë e mbi Serbi. Në një gjendje të tillë të stisur nervore ishte edhe e gjithë mërgata jonë në atë kohë. Pastaj me kohë ngjarjet rrodhen mbarë dhe ne sot jemi këtu ku jemi, me dy shtete shqiptare në Ballkan. Përfundim më fatlum, në atë kohë, as që mund të parashikohej. Ndërkaq sot, është çështje tjetër neglizhenca jonë që pengon shtet forcimin, e diçka krejt tjetër konjuktura bllokuese ndërkombëtare e qarqeve antishqiptare.

tash kemi situatë krejtësisht tjetër nga e dikurshmja. Unë jam mësues në Suedi, tash e njëzet vjet. Njohë shumë të rinj, gjenerata fëmijësh që dikur i kisha nxënës, e sot janë studentë apo individualitete të kualifikuara që ushtrojnë me nder profesionet e veta kudo në Suedi. Në shkollë, kënaqem shumë kur kolegët suedezë lavdërojnë fëmijët tanë për sukseset e tyre; në gazetari ndjehem shumë krenar kur drejtorë a shefa institucionesh të ndryshme me thonë se pa filan shqiptaren/in nuk funksionon institucioni ynë. Gjë shumë e mirë kjo kur mëson nga vlerat e të tjerëve dhe kur u jep njëkohësisht të tjerëve vlerat e tua. Pasardhësit e mërgimtarëve të dikurshëm, sot gjenden kudo në hierarkinë institucionale suedeze, në teatro, universitete, media, biznese e klube të njohura sportive. Për mërgatën, nuk mund të ketë gjë më të fuqishme e me shpresëdhënëse se sa prosperiteti i gjeneratave të reja shqiptare në shtetet ku ato mërgojnë. Gjeneratat shqiptare të emancipuara, sot bëjnë dritë e do të shndrisin përgjithmonë si yll i shpresës sonë. Ato do t´i vënë të forta e të sigurta ledhet e lidhjeve të ardhshme kulturore mes popujve.

Si gjithnjë si përfundim, ndonjë projekt të ri që ke nëpër duar?

Unë kam shumë shënime, materiale të ndryshme që me pak këmbëngulësi krijuese mund të bëhen libra. Shpresoj, i nderuar Sejdiu se do të përzgjedh shumëçka nga arkiva ime e do ta botoj. Kështu, bie fjala, në janar të vitit të ardhshëm do të botoj një vepër që do të ketë për objekt trajtimi poezinë e dy poetëve shqiptarë në Suedi dhe veprimtarinë e një albanologu të njohur suedez. Kam shumë dëshirë që të gjurmoj dhe të zbardhë lidhjet kulturore shqiptaro-suedeze, ato lidhje që kanë ekzistuar dikur, janë evidente sot e do të shumëfishohen nesër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat