Vetëvrasja në qeli, trondit gjyqtari italian: Më fal Dona, dështova unë, dështoi sistemi!

Diaspora

Vetëvrasja në qeli, trondit gjyqtari italian: Më fal Dona, dështova unë, dështoi sistemi!

Më: 11 gusht 2022 Në ora: 12:08
Donatela Hodo

 Një e re shqiptare i ka dhënë fund jetës në qelitë e burgut të Veronas javën e kaluar, pasi prej 6 vitesh ishte në betejë me varësinë ndaj drogës.

Fundi i saj ka tronditur mbarë opinionin publik për shkak se vajza ka qenë jo vetëm në duart e autoriteteve për vite me radhë, por madje ka qenë edhe në duart e sistemit të drejtësisë.

E varur nga droga, Donatela Hodo prej vitesh kishte qenë e ‘varur’ edhe në dyert e sistemit, që sipas gjyqtarit Vincenzo Semeraro, me rastin e saj kanë dështuar. Ngjarja u bë edhe më e ndjeshme pas letrës që gjyqtari shkroi dhe u lexua në kishën ku iu dha lamtumira 27-vjeçares shqiptare.

Nga ai moment u mësua se me shpëtimin e jetës së Donës kishin dështuar të gjithë; mjekët, qendrat e rehabilitimit, gjykata, familja dhe i dashuri i saj. Ajo mësohet se i dha fund jetës në tubacionet e gazit të burgut, duke lënë një letër për Leon, djalin e ëndrrave të saj.

Edhe më e rëndë bëhet situata kur mediat kanë mundur të kontaktojnë të atin, i cili ashtu si gjyqtari, ka pranuar dështimin.

Mediat kanë shkruar gjatë dje për historinë e vajzës duke theksuar se ‘shëmbëlltyra e saj është drama e të gjithëve, madje edhe gjyqtarit që duhej të merrej me rikuperimin e saj’.

Gjykatësi Vincenzo Semeraro, 63 vjeç, shkroi: “Më fal Donatella, me vdekjen tënde edhe unë dështova”!

I ATI

Donatella, një shqiptare, e cila vuante prej vitesh nga varësia ndaj drogës, u vetëvra në burgun e Montorios në Itali. Babai e çoi në qendra të ndryshme të specializuara, madje edhe jashtë Italisë, dy herë në Spanjë, më pas në Kroaci dhe në Belgjikë për ta shëruar.

“Të shpëtoja atë ishte bërë arsyeja ime për të jetuar”, tha ai për median italiane, “Corriere della Sera”.

Babai i Donatellës takoi dhe përqafoi me lot në sy gjykatësin veronez që ndoqi rastin e vajzës së tij. “Unë po dridhesha, të dy u ndjemë të mundur. Gjyqtari dhe unë ishim të dy duke qarë. Ndihemi të mundur dhe të humbur, kërkuam falje. Unë po dridhesha, Donatela ime gjithmonë më fliste për këtë magjistrat si të ishte baba i dytë për të”.

“Ku gabova? Në çfarë? Nuk e prisja kurrë që Dona ime ta bënte një gjë të tillë, asnjëherë. Ndjej se jeta ime pa Donën nuk vlen asgjë, jam unë që dështova, jo gjyqtari”, thotë ai i shqetësuar.

Në një rast, e reja kishte ikur ende nga shtëpia. Për dy vjet ajo ishte në Spanjë, kur babai i saj e gjeti “ajo ishte në kushte të tmerrshme, peshonte vetëm 24 kilogramë, ishte një skelet …

E mora dhe e solla në shtëpi, e kujdesa për tre muaj, pa e lënë asnjëherë derisa u shërua. Për fat të keq, më pas ajo u rikthye me ne, edhe atëherë nuk pushova kurrë së qeni pranë saj, duke e ndihmuar”.

“Për vajzën time nuk isha i vetmi gabim. I gjithë sistemi ka dështuar dhe për mendimin tim as kontrollet në burg nuk kanë qenë adekuate. Për këtë bëra një ankesë, për fat të keq vajza ime nuk do të kthehet, por ajo meriton të vërtetën dhe drejtësinë”, tha ai.

FJALËT E FUNDIT TË DONËS

“Leo, dashuria ime, më vjen keq. Ti je gjëja më e bukur që mund të më ndodhte dhe për herë të parë në jetë mendoj dhe e di çfarë do të thotë të duash dikë, por kam frike nga gjithçka, të të humbas dhe nuk do ta duroja. Më fal dashuria ime, bëhu i fortë, të dua dhe më fal…”.

Donatella shkroi fjalët e saj të fundit. Frazat e saj të lamtumirës për jetën u shkruan në një çarçaf të bardhë.

Mediat italiane shkruajnë se ajo ishte e bukur dhe e re, shumë e re për të vendosur t’i jepte fund jetës. Në vend të kësaj ajo zgjodhi të largohej në vetminë e një qelie. Ajo u vetëvra në burgun e Veronës në moshën 27-vjeçare, pavarësisht se kishte ende jetë përpara dhe një pafundësi ëndrrash dhe projektesh për t’u realizuar, shkruajnë mediat vendase.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat