Lobi Euro-Atlantik letër institucioneve më të larta evropiane, zonjës Frederica Mogherini - Bota Sot
Lobi Euro-Atlantik letër institucioneve më të larta evropiane, zonjës Frederica Mogherini

Diaspora

E shtunë, 20 tetor 2018

Lobi Euro-Atlantik letër institucioneve më të larta evropiane, zonjës Frederica Mogherini

Më: 14 maj 2018 Në ora: 14:14
Kryetar Shukri Ymeri

Para se gjithash shfrytëzojmë rastin t’ju falemnderojmë për angazhimet dhe punën që e bëni me përkushtim në suaza të funksionit tuaj, e që është në të mirën e të gjitha popujve.

Ju kemi shkruar edhe gjatë muajit maj të këtij viti dhe patëm trajtuar disa tematika që prekin çështjen shqiptare në Ballkanin Perëndimor, me ç’rast patëm propozuar pikëpamjet tona për zgjidhjen e tyre.

Edhe përkundër faktit se në botë kemi vatra të ndryshme krize, që mund të ndikojnë në destabilizimin e rendit ndërkombëtar, ne në vazhdim do t’ju tërheqim vëmendjen për një problem, që po ashtu është shumë i rëndësishëm. Bëhet fjalë për luftën në Kosovë gjatë viteve 1998/99 që regjimi i atëhershëm serb bëri terror dhe shkaktoi mijëra viktima të pafajshëm.

Në këtë kontekst do të trajtojmë një kategori të veçantë të krimeve që po zvarritet tani më 20 vite, duke mos i minimizuar të tjerat. Zonja Mogherini, siç e dimë ushtria, policia, paramilitarët dhe formacionet tjera të organizuara nga shteti serb, dhunuan mbi 20 mijë vajza dhe gra shqiptare. Pasojat nga metodat barbare serbe ndaj popullatës së pambrojtur civile, në veçanti të grave shqiptare, ende janë prezente. Edhe pse ka kaluar një kohë relativisht e gjatë nga këto ngjarje dramatike, traumat dhe gjendja e tyre psikologjike ende vazhdon të jetë shumë e rëndë.

Republika e Kosovës nuk ka qenë e përgatitur për këto ngjarje ekstreme, prandaj edhe nuk ka disponuar me infrastrukturën e nevojshme medikale për t’iu dalë në ndihmë viktimave, kështu që ato nuk e kanë pasur trajtimin e nevojshëm që ka qenë shumë i domosdoshëm, sidomos në vitet e para.

Për fat të keq sjelljet çnjerëzore serbe nuk kanë kursyer as vajzat – fëmijë të moshës 11, 12 13 etj vjeçarë, por as edhe gratë të moshës së tretë. Ka pasur shumë raste kur përdhunimet kanë ndodhur para anëtarëve të familjes. Po ashtu ka ndodhur që më pas viktimat fizikisht janë masakruar dhe janë hedhur nëpër bunare ose janë mbyllur nëpër bodrume dhe janë djegur për së gjalli.

Të gjitha këto janë vërtetuar dhe raportuar nga shumë organizata joqeveritare. Këto përdhunime nuk kanë qenë të rastësishme, por ishin strategji e planifikuar dhe mirë e organizuar nga regjimi i Beogradit e përdorur si armë lufte për spastrimin etnik të shqiptarëve.

Prej pas luftës kjo kategori e viktimave ka ngelur e pambrojtur, me shumë tragjedi familiare, vetëvrasje, probleme psikologjike, sociale dhe ekonomike, prandaj edhe risocializimi i tyre nuk është aspak i lehtë. Ne mendojmë se domosdoshmërisht kjo ka merituar një vëmendje të veçantë dhe më serioze ex officio nga institucionet apo organizmat kompetente të Unionit Europian.

Zonja Mogherini, me këtë rast, Lobi Euro-Atlantik Shqiptar shprehë shqetësimet që kjo çështje edhe pas gati 20 viteve, ende nuk ka marrë epilogun e duhur.

 Duke u nisur nga ajo çka u tha më lart, për zgjidhjen e kësaj çështje, propozojmë që Serbia, që tani, të kushtëzohet për anëtarësimin në Bashkimin Europian, me sa vijon: 1. Serbia t’i pranojë zyrtarisht përdhunimet si vepra të organizuara nga regjimi i atërershëm;

 2. Serbia të pranojë se përdhunimet i ka përdorur si armë lufte për spastrimin etnik të shqiptarëve;

3. Personat e inkriminuar në përdhunime të ekstradohen në Republikën e Kosovës për gjykim dhe

4. Grave të përdhunuara t’u njihet statusi i viktimave të luftës dhe t’ju sigurohet një kompenzim mujor i përjetshëm;

Me këto propozime konsiderojmë se drejtësia nuk vihet në vend, sepse nuk mund të kompenzohet ajo çka është përjetuar dhe pasojat vazhdojnë të jenë ende prezente, por do të ishte vetëm një njohje publike të statusit të tyre. Kjo do të ishte minimumi që do të mund të bëhej për viktimat. Nëse nuk e çojmë drejtësinë ne vend, atëherë kjo do të reflektonte negativisht për në të ardhmen, sepse Ballkani ngelë një vatër krize që mund të prodhojë luftra tjera. Prandaj ky lidership i Bashkimit Europian mbi vete mbanë një peshë të madhe për ta zgjidhur këtë problem kaq të dhimbshëm, e mos t’ia lë historisë që ajo t’a gjykojë. Duke ju falemnderuar për kujdesin tuaj ndaj këtij shkrimi dhe hapat që shpresojmë t’i ndërmerrni sa më shpejt për zgjidhjen e kësaj çështje, zonja Mogherini ju lutemi t’i pranoni konsideratat dhe respektet tonë më të larta.

Lobi Euro-Atlantik Shqiptar Lörach, Gjermani, Kryetar Shukri Ymeri

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test