Vrasja e shqiptares nga burri maroken, djali 5 vjeç i rrëfen krimin policisë - Bota Sot
Vrasja e shqiptares nga burri maroken, djali 5 vjeç i rrëfen krimin policisë

Diaspora

E enjte, 18 tetor 2018

Vrasja e shqiptares nga burri maroken, djali 5 vjeç i rrëfen krimin policisë

Më: 1 qershor 2018 Në ora: 14:06
Fjoralba Nonajt

Historia e trishtë e një çifti në Monza në sytë e fqinjëve të tyre. Djalin e rrëmben nga vendi i krimit një grua. Si nisi dashuria që u shua me një dhunë të vazhdueshme ndaj vajzës shqiptare, Fjoralba Nonajt, ndarja dhe takimi i së mërkurës për të sqaruar gjërat

“E’ stato papà” (Ishte babi)! Kjo është fraza që ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme djali 5-vjeçar i Fjoralba Nonajt, gruas shqiptare që u vra në makinë nga burri i saj maroken. Djali ka ulëritur sapo i ati ka nisur të godasë me thikë nënën e tij dhe ka dalë nga makina. Aty është gjendur një fqinjë e Fjoralbës e cila e ka marrë djalin me shpejtësi duke u përpjekur të mos e lërë të jetë pjesë e skenës horror. Me të mbërritur policia dhe ambulancat, mësohet se djali iu ka kërkuar sërish ndihmë policisë ndërsa më kot mjekët e spitalit të Desio`s, kompleksi spitalor i Monzas, kanë luftuar ta mbajnë në jetë shqiptaren.

Ajo nuk ka mundur dot t`u mbijetojë plagëve të rënda që kishte marrë nga goditjet me thikë nga bashkëshorti i saj, maroken, me të cilin ishin njohur 5 vite më parë, ishin bërë edhe prindër të atij djali që dy ditë më parë i ati e braktisi duke i vrarë nënën e duke shkuar vetë në burg. Fëmija është në duar mjekësh ndërsa gjithë lokalitetin në të cilin kishin jetuar dhe banuar çifti i ka pllakosur zija, pas asaj ngjarjeje të rëndë ndodhur në mes të ditës dhe në mes të një prej zonave më të populluara të Monzës, shkruan shekulli.

Historia e përplasjeve të çiftit në fakt është pranuar nga një banor i pallatit në të cilin ka jetuar çifti. Ai ka treguar se “prej shumë kohësh ai kishte nisur të ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes. Madje kohëve të fundit ai e ka kërcënuar edhe më vrasje, marrje jete e fjalë të tilla”! Të tjerët kanë heshtur përballë gjithçkaje që kanë parë dhe dëgjuar në atë hyrje të katit të dytë në të cilën kishin jetuar për thuajse 5 vite çifti i të rinjve që thuhej se ishin martuar me dashuri!

Mediat italiane     

Sipas mediave italiane, djali i Fjoralba Nonajt është tashmë në gjendje shoku dhe po kurohet në spitalin e Desio-s. Ai është i tmerruar, pasi ka parë me sytë e tij gjithçka që ka ndodhur, ka parë se ai i ati ka vrarë me thikë nënën e tij, duke e lënë të vdekur mes pellgut të gjakut brenda në makinë. Fjoralba Nonaj, u masakrua të mërkurën pasdite me thikë nga ish-burri maroken me të cilin ishte ndarë prej disa muajsh. 35-vjeçarja shqiptare u gjet e mbuluar në gjak në makinën e saj në Seregno në zonën e Monzas. Pavarësisht mbërritjes të shpejtë të ambulancës dhe dërgimit në spitalin e Monzas, shqiptarja nuk ia doli t’u mbijetojë plagëve të marra.

Gjithçka ndodhi rreth orës 16:00 brenda automjetit “Chevrolet” me ngjyrë të zezë, ku ndodheshin të tre; gruaja, burri dhe fëmija. Pas debateve të shumta mes tyre, ai mësohet se nxorri thikën dhe e qëlloi disa herë rresht Fjoralbën. Pas ngjarjes, ai u largua në këmbë dhe u vetëdorëzua në stacionin e policisë me duart e përgjakura, ku rrëfeu krimin që kishte kryer. Ajo kishte marrë plagë të shumta nga goditjet me thikë në brinjë, bark, qafë dhe në shpinë. Mjekët u përpoqën ta rikthenin në jetë atë në sy të djalit të vogël i tmerruar nga ngjarja që mbahej në krahë nga fqinja 49-vjeçare. Më pas mbërriti edhe tezja, të cilës i është besuar fëmija me vendim të gjykatës për të mitur dhe shërbimi social. Fëmija u qetësua disi pa ditur që nëna e tij kishte vdekur. Pasi i dhanë ndihmën e parë në vendngjarje, Fjoralba u transportua në spital ku mjekët shpallën zyrtarisht vdekjen e  saj.

Viktima

33-vjeçarja, Fjoralba Nonaj, e cila punonte si pastruese ishte martuar me një djalë maroken. Një martesë që pesë vjet më parë kishte sjellë edhe një fëmijë. Por për njëfarë kohe marrëdhëniet mes të dyve nuk kanë funksionuar.

Sipas disa të njohurve, marokeni në të kaluarën e kishte kërcënuar disa herë gruan e tij derisa Fjoralba vendosi  disa muaj më parë që të ndahet. Ai ishte larguar në shtëpinë e disa miqve të tij,  ndërsa ajo në anën tjetër mbeti me djalin e saj të vogël. Të dy i ndante një distancë e shkurtër, derisa 35-vjeçari maroken e zbrazi të gjithë zemërimin e tij pasditen e së mërkurës. Ai u takua me ish-gruan e tij për të folur për të ardhmen e tyre, ndoshta me bindjen se Fjoralba mund të bënte pas. Por në atë takim, marokeni shkoi bashkë një thikë kuzhine në xhepin e tij.  35-vjeçari e ka goditur në mënyrë të përsëritur gruan në sy të fëmijës, duke e lënë atë të vdekur në sedijen e “Chevroletit” ngjyrë të zezë të parkuar para një porte në rrugën Romagnosi.

Masakra e Ankonës  

Gjykata e Apelit e qytetit të Ankonës në Itali ka marrë vendimin e dënimit me burgim të përjetshëm për dy shqiptarët Marjo Mema e Igli Meta të akuzuar për vrasjen e 17-vjeçarit, Ismaele Lulli. Për autoritetet e drejtësisë italiane krimi ishte i qëllimtë, i paparamenduar por i kryer në mënyrë makabre. 17-vjeçari italian u torturua i lidhur në një kryq në një zonë të izoluar, duke u qëlluar disa herrë me thikë dhe u ekzekutua në mënyrë makabre me një prerje të thellë në fyt. Dy autorët e vrasjes u munduan të fshehin krimin, duke transportuar e braktisur trupin e viktimës  në rrethinat e një qyteze aty pranë. Ngjarja ka ndodhur më 19 korrik të 2015 në komunën Sant’Angelo in Vada në provincën e Pesaro Urbinos. Motivi i këtij krimi ishte xhelozia e shqiptarit Igli Meta me dyshimin e një flirti mes Ismaele Lullit e të fejuarës së tij Ambra. Gjykata italiane ka njohur si ekzekutues materiale të krimit shqiptarin Igli Meta e si bashkëpunëtor e bashkautor të plotë në vrasje mikun e tij Marjo Mema. Në nivelin  e parë të gjykimit, Igli Meta, ishte dënuar me dënim të përjetshëm e Marjo Mema me 28 vite e 4 muaj burg. Menjëherë pas këtij vendimi, nëna e Isamele Lullit Deborah Lulli për mediat lokale italiane u shpreh “se tashmë biri i saj mund të prehet në paqe”.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test