Në koncertin e organizuar për gurbetqarët mbrëmjen e së martës në Prizren u shtrua edhe sofra me ushqime, ndërsa mërgimtarët i shërbeu edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi.
Ai duke ju drejtuar mërgimtarëve dhe të pranishmëve të tjerë tha se ky është “organizimi i parë i këtij lloji në republikën e Kosovës, me të vetmin qëllim që të ju jemi falënderues për gjithë atë që keni bërë dhe po bëni për Kosovën”.
Gashi tha se Ministria ka vendosur që disa mërgimtarëve për kontributin e dhënë të ju ndajë mirënjohje, gjithmonë tha Gashi në shenjë falënderimi për punën dhe kontributin.
Sipas kumtesës, në emër të mërgimtarëve Muahmet Vezaj falënderoi ministrin e Kulturës ndërsa bashkatdhetarëve u dëshiroi mirëseardhje në vendlindje. Ai përmendi etapat në të cilat bashkatdhetarët tanë kanë kontribuar për Kosovën dhe i ftoi që të vazhdojnë ta ndihmojnë familjen dhe vendin e tyre.
Pas ndarjes së mirënjohjes nga valltaret dhe valltarët e AKV “Emin Duraku” mërgimtarët u shërbyen me ushqime tradicionale.
Koncerti sofra e gurbetqarëve u organizua nën qiellin e hapur, në një ambient të këndshëm, në Kejin e Lumbardhit, në Shatërvanin e Prizrenit.
Mbrëmjen e hapën valltarët e Ansamblit Lidhja e Prizrenit, të cilët u paraqitën me valle popullore, ndërsa në pjesën më të madhe të koncertit AKV “Eminn Duraku” paraqiti dasmën e Zhurit dhe pjesë të folklorit të Lumës.
Me valle para të pranishmëve u paraqit edhe ShKA “Dogri Yol”, Grupi I rapsodëve nga Kukësi dhe këngëtarët Bukurie Zogaj, Masar Sinani etj.