Arbëreshja rrëfen se si ruhet gjuha shqipe në Itali

Diaspora

Arbëreshja rrëfen se si ruhet gjuha shqipe në Itali

Më: 2 shtator 2018 Në ora: 09:52
Emilia Conforti

Emilia Conforti, ka ruajtur me xhelozi gjuhën shqipe, ashtu sikurse e ruajtën edhe shumë arbëresh të tjerë të Italisë ndër shekuj. Madje ajo nuk është mjaftuar me kaq, ka ardhur në Kosovë që të përvetësojë gjuhën shqipe, në lexim dhe në të shkruar.

Ajo është bashkëpunëtore në Universitetin e Kalabrisë, ku edhe bënë hulumtime, ndërsa më parë ka qenë e angazhuar edhe në Universitetin e Prishtinës.

Në një intervistë, Conforti tregon se gjuha e arbërit vazhdon të flitet në familjet shqiptare të cilat u shpërngulën në Italinë Jugore pas vdekjes së Skënderbeut, para 5 shekujsh. 

Sipas saj, arbëreshët kanë huazuar fjalë të shumta edhe nga italishtja, por duke u dhënë prapashtesa nga shqipja. Teksa shton se arbërishtja nuk i ka marrë fjalët standarde të shqipes, duke e bërë që të duket dialekt tjetër. E pavarësisht këtyre, ajo thotë se nëse një arbëresh dhe shqiptar duan të komunikojnë së bashku, munden pa problem. 

Conforti: E kemi ruajtur gjuhën shqipe shumë mirë

“Akoma është e gjallë, e kemi ruajtur shumë mirë. Janë shumë leksik të ngjashme me këto të shqipes sot. Disa fjalë kanë mbetur të vjetra dhe bashkimi me një shtet të huaj e ka ndërruar pak gjuhën arbëreshe. I kemi fjalët e vjetra për shembull ‘katund’, ndoshta ka edhe dialekte akoma, por e ka ndërruar shqipja në ‘fshat’. E kemi ‘shpi’ ndërsa është ‘shtëpia’. Por, kuptohet nëse një shqiptar dhe një arbëresh kanë dëshirë të flasin munden”, tha ajo.

Përveç gjuhës, ajo tregon se arbëreshët kanë ruajtur edhe traditat shqiptare.

Conforti: Arbëreshët bëjnë vallet popullore shqiptare çdo vit

“Po tradita popullore kanë, i kanë edhe përrallat, edhe këngët, edhe shprehje dhe fustane, i bëjnë vallet çdo vit. Është ruajtur shumë mirë, kanë kaluar 500 vjet”, theksoi ajo.

Për të ndihmuar komunitetin arbëresh në Itali, ajo tregon se kanë krijuar disa fonde kombëtare përmes së cilave kanë organizuar kurse për të mësuar gjuhën shqipe.

Ndërsa kur jemi tek ruajtja e traditës, është pikërisht dëshira për të lexuar dhe mësuar këngët shqip. Ajo që e ka shtyrë Confortin që pastaj ta mësojë gjuhën shqipe në universitet.

Ajo thotë se edhe arbëreshët e tjerë, kanë interesim të dukshëm për të mësuar dhe përvetësuar shqipen.

Conforti: Në Itali kemi disa fonde kombëtare për komunitetin arbëresh

“Në Itali është ligji që ruan pakicat minoritare. Për këtë punë ne kemi pasur disa fonde kombëtare, ku i kemi bërë disa kurse në shkollë, punën në bashki, që merret me ruajtjen gjuhësore dhe traditat e vendit. Pastaj, fondet u pakësuan, dhe kurset zhvillohen por jo si para 10 vjetëve. Kanë interes sepse babi im e flet shqipen, por as nuk lexon dhe as nuk shkruan, edhe gjyshja. Alfabeti është shumë ndryshe, sepse alfabeti italian i ka 21 shkronja, ndërsa shqipja i ka 36”, tha studiuesja e gjuhës shqipe. 

Ndryshe, viti 2003 për arbëreshen Emilia Conforti shënon vizitën e saj të parë në Kosovë, për të ndjekur Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, gjë që i ka ndihmuar të flas më rrjedhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat