Punësim dhe shërbime sociale, familjeve të kthyera nga emigrimi

Durrësi

Punësim dhe shërbime sociale, familjeve të kthyera nga emigrimi

Më: 9 prill 2019 Në ora: 14:18
Pamje nga takimi

Bashkia e Durrësit prezantoi sot projektin “Përmirësimi i aksesit dhe riintegrimi i fëmijëve, të rinjve dhe familjeve të kthyera nga migrimi, në edukim, punësim dhe shërbime sociale” (IRMA).

Ky projekt do të zbatohet nga Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me “Terre des homes” dhe me fondet e GIZ.

Në këtë prezantim merrte pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, drejtoresha e “Terre des hommes” në Shqipëri Alketa Lasku, si dhe përfaqësues të shumë institucioneve qendrore e lokale që do të angazhohen në zbatimin e këtij projekti përsa i përket qytetit të Durrësit.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako deklaroi se “Bashkia  vazhdon të ketë prioritet të gjitha projektet që kanë të bëjnë me shërbimet sociale. Ne e mbështesim këtë projekt, i cili është shumë i rëndësishëm sepse është një projekt që prek fëmijët, të ardhmen tonë, të cilët kemi nevojë t’i mbështesim dhe t’i edukojmë sepse sa më të shëndetshëm të rriten ata, sa më larg fenomeneve të këqija të jenë, aq më e sigurt është e ardhmja jonë”.

“Me “Terre des hommes” kemi pasur gjithmonë bashkëpunime dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim për arsye se nga të dyja palët kemi gjetur një bashkëpunim të mirë dhe kemi pasur suksese në të gjitha projektet, kështu që mendoj që ky bashkëpunim do të vazhdojë”, – theksoi Dako.

Kryetari i Bashkisë uroi që të gjithë aktorët dhe faktorët ta mbështesin këtë projekt sepse është në dobi të Durrësit, në dobi të së ardhmes së fëmijëve.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte prezantimi i ndërhyrjes dhe objektivave të projektit, përmes fokusit në parandalimin dhe riintegrimin e familjeve dhe fëmijëve në nevojë nga migrimi i pasigurt, duke përmirësuar kushtet e tyre të jetesës dhe aksesin ndaj shërbimeve sociale cilësore.

Në këtë aktivitet u prezantuan fushat e ndërhyrjes së projektit nëpërmjet shërbimeve të integruara komunitare, si dhe koordinimi me aktorët dhe institucionet lokale dhe rajonale.

Projekti me vlerë rreth 1 milionë euro zbatohet në 8 qytete: Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Tiranë, Lezhë, Kukës, Shkodër. Projekti “IRMA” është hartuar për t’iu përgjigjur problemeve të ndërlidhura në lidhje me migracionin dhe të kthyerit.

Projekti synon të lehtësojë qasjen e të kthyerve në shërbime adekuate arsimore, punësimi dhe sociale. Fëmijët janë fokusi primar dhe përfituesit përfundimtarë të kësaj ndërhyrjeje duke qenë më vulnerabël në një lëvizje të tillë. Objektivat e projektit janë lehtësimi i riintegrimit të familjeve të kthyera në Shqipëri duke përmirësuar qasjen e tyre në punësim, shërbimet sociale dhe nevojat e tjera për jetën e jetuar në dinjitet.

Projekti ka objektiv edhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve komunale në mënyrë që të mundësohet riintegrimi i plotë i fëmijëve dhe familjeve të kthyera.

Objektiv tjetër i këtij projekti është rritja e kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve në nivel të shoqërisë civile dhe institucioneve të qeverisjes vendore në ofrimin e shërbimeve cilësore për të kthyerit. /atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat