Kaos në stadiumin e Durrësit, duhen më shumë çadra, ndihmat po vidhen

Durrësi

Kaos në stadiumin e Durrësit, duhen më shumë çadra, ndihmat po vidhen

Më: 27 nëntor 2019 Në ora: 17:03
Shqipëri

Situata në stadiumin "Niko Dovana" në Durrës vijon  të jetë tejet e çorganizuar.

Janë rreth 3000 banorë që kanë gjetur strehë në çadrat e ngritura në stadium.

Nata ka kaluar në kushte shumë të vështira për disa prej tyre. Ka mungesë çadrash por edhe abuzime në mënyrën e shpërndarjes së ushqimeve.

"Duhet të ketë verifikim të qytetarëve që janë banorë të këtij kampi, një hyn dhe një del. Vinë marrin ndihma dhe largohen. Autoritetet janë të shqetësuar. Pata komunikim me disa biznesemenë, më thanë se po vimë të sjellim ndihma por kemi dëgjuar që po vidhen. Ka pasur një tërheqje nga ana e këtyre biznesmenëve, është për të ardhur keq. Një abuzim i panevojshëm. Nëse hyjnë njerëz të paverifikuar në kamp është e pamundur për të mbajtur në kontroll këtë situata kaotike. Duhet të hyjnë me karta identiteti ata që janë banorë të kampit.Në mëngjes pashë sesi njerëzit vinin dhe merrnin ndihma me karroca dhe largoheshin në shtëpitë e tyre" raportoi Leonidha Musaj.

Abuzimet janë si nga ana e banorëve që po tentojnë të përfitojnë të mira materiale persona të ndryshëm që sjellin donacione, por edhe nga vetë personat që shpërndajnë këto ndihma.

"Ndihmat po vidhen masivisht nga  banorët, por edhe ata që po merren me shperndarjen e tyre. Ka forca të shumta vullnetare që po kontribuojnë por nuk ka një organizim si duhet. I takon bashkisë së Durrësit të merret me organizimin" raportoi gazetari i Rtv Ora News.

Autoritetet janë të dorëzuara deri diku, kryebashkiakja Sako në një komunikim që pati me gazetarin Leonidha Musaj është shprehur se është e pamundur të bëjnë më shumë sesa kaq në të tilla rrethana.

"Jemi shumë të frikësuar. Banesa është  dëmtuar, nuk kemi besë të rrimë aty dhe ndaj kemi ardhur.Këtu do të rrimë se nuk kemi ku të shkojmë" tha një banore.

"Ftohtë është, me fëmijë të vegjël. Jemi 6 persona, çadër nuk kemi, as enë asgjë. Nuk vinë te ne as për ushqime, as për ndihmë. Po rrimë në këmbë. Nuk po na sjellin çadër. Kemi frikë të rrimë në shtëpi, as për të marrë rroba. Fëmijët u torturuan, pa gjumë, kanë frikë. Kërkojmë strehim" u shpreh një banore tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat